Numrat e Këshillit Kombëtar/ “Lobi” drejt zyrtarizimit të Bashës

Mes deputetëve të Grupit Parlamentar demokrat që deri para zgjedhjeve lokale njiheshin si PD e vulës, ka përplasje në lidhje me vendimet që po merr kjo forcë politike.

Një pjesë e saj kërkon rikthimin sa më të shpejtë të Lulzim Bashës, tashmë në një garë të paracaktuar, ndërsa të tjerë theksojnë se duhet zbatuar statuti i partisë.

Teksa lufta e numrave në PD duket se do të vijojë gjatë, rikthimi i Lulzim Bashës për të marrë kreun e kësaj force politike, ka përçarë edhe më shumë deputetët.

Këshilli Kombëtar i 20 Qershorit, duket se ka zyrtarizuar një grupim të ri brenda Partisë Demokratike, në luftën e brendshme për të marrë drejtimin e kësaj force. Saimir Korreshi nga oborri i Kuvendit njoftoi se ai dhe 6 deputetë të tjerë, pjesë e grupit të Gazment Bardhit, janë duke punuar për të mbledhur një këshill tjetër kombëtar, jo me listën e reduktuar nga mbështetësit e Bashës në PD, por me numrin e plotë të anëtarëve që janë zgjedhur në vitin 2021.

“Jemi duke verifikuar dhe parë sesi mund të bëhet një tjetër Këshilli Kombëtar. Të mbyllemi të mos hamë as bukë as ujë siç zgjidhet Papa. Ne do kërkojmë listën e anëtarëve të Këshillit Kombëtar që morën pjesë”, tha deputeti Korreshi.

Enkelejd Alibeaj, dyshimet për legjitimitetin e mbledhjes së fundit të Këshillit Kombëtar, e konsideron të kotë. “Ka ndodhur që nga gjithë Këshilli kombëtar, si nga të gjithë strukturat e tjerë një pjesë kanë zgjedhur që të mos militojnë më me PD-në dhe kanë gjetur një strofull tjetër të LSI. 329 emra të Këshillit Kombëtar janë ata që përbëjnë Këshilli Kombëtar”, tha Alibeaj.

Korreshi deklaroi se ata që kërkojnë poste në parti nuk mendojnë për anëtarësinë, por Alibeaj tregon se kush e gëzon e kush jo të drejtën për t’i bërë moral ish-kryetarit që kërkon rikthimin.

Lexo edhe :  Shqipëria kërkon punonjës nga Bangladeshi, Bajram Begaj merr rolin e negociatorit

“Unë mendoj dhe gjykoj se të paktën demokratët duhet të dinë se lufta nuk bëhet për ta, por për terezinë e vet, b..ën e vet që ta mbajnë në karrige”, u shpreh Korreshi.

Gara

Lulzim Basha do të garojë për t’u rikthyer në krye të Partisë Demokratike kundër Gjergj Hanit, ish i përndjekur politik. Një emër aspak i njohur në fushën politike apo potencial për të marrë kreun e Partisë Demokratike. Duket që e gjithë kjo ngjan si një lojë për të fituar sërish Lulzim Basha, i cili në zgjedhjet e fundit e braktisi totalisht Partinë Demokratike, edhe kur Komisioni Qendror Zgjedhor nuk e regjistronte Enkelejd Alibeajn si kryetar të PD-së zyrtare.

Saimir Korreshi interesit të gazetarëve, lidhur me mbledhjen e Këshillit Kombëtar, ku Lulzim Basha dorëzoi kandidaturën për kryetar për në zgjedhjet e 29 korrikut, ai iu përgjigj duke thënë se nuk do të bëhet pjesë e farsës.

“Në qoftë se ne do të sajojmë Këshill Kombëtar se ashtu do të bëjmë një punë, le të hapin parti, t’i ndërrojnë emrin, të bëjnë ça të duan. Të paktën të mos na bëjnë pjesë e farsës”, tha ai.

I pyetur nga gazetarët se cilët do të jenë hapat e radhës nga grupi i deputetëve që refuzojnë t’i bashkohen Berishës dhe janë kundër zgjedhjeve të shpallura në PD-në zyrtare, Korreshi me ironi tha se ekziston edhe opsioni për të shitur shalqinj.

Korreshi nuk dha një përgjigje konkrete nëse ai dhe deputetët e tjerë do të krijojnë një parti të re politike pasi të mbarojnë mandatet apo do të shkojnë në shtëpi, por tha se luftën në PD, gjithsecili po e bën për interesin personal.