Aksident në parkun e lodrave në Suedi, humb jetën një person dhe plagosen disa të tjerë

Momente tmerri në një park lodrash në Stokholm, Suedi ditën e sotme, kur një vagon i trenit lodër doli nga shina, duke vrarë një person dhe duke plagosur të paktën shtatë të tjerë.

Tre nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë dhe ndodhen në spital. Sipas mediave të huaja, në momentin e aksidentit ndodheshin 14 persona në vagon.

Dëshmitarët okularë thanë se rrotat dolën nga kursi i tyre dhe vagoni doli nga shinat, duke bërë që të paktën dy persona të binin në tokë. Një person i tretë arriti të mbahej në momentin e fundit.

Vagoni, pasi doli nga shinat, filloi të rrëshqasë dhe më pas u rrëzua. Një gazetare suedeze, e cila kishte vizituar parkun argëtues me familjen e saj dhe ndodhej pranë vendit të përplasjes, tha se dëgjoi një zhurmë metalike dhe vuri re se pista po dridhej në momentin e përplasjes.

Parku argëtues Grona Lund, ku ndodhi aksidenti, ka një histori disa vjeçare. Ajo u mbyll përkohësisht pas aksidentit.

Slita me rul Jetline u inaugurua në vitin 1988 dhe u rinovua për herë të fundit në vitin 2000. Ajo funksionon në shina çeliku me një shpejtësi deri në 90 km në orë ndërsa arrin një lartësi deri në 30 metra mbi një gjatësi prej 800 metrash.