“AMBASADOR NË BALLKAN”
Libri i ri më i fundit i Ylli Polovinës, 415 faqe.
Pjesa e gjashtë dhe përmbyllëse e një cikli me temë nga shërbimi diplomatik shqiptar në Ballkan. Librat e mëparshëm janë “Homo Balcanicus”, 2001, në italisht, Romë; “Sarajevë, moj motër”, 2021, Prishtinë; gjatë vitit 2022 qenë botimi në Tiranë i librave “Serbi, armik, miku ynë”, “Shqiptarët me dy Hoxha”, “Rugova & Kadare përballë”. Në pasqyrën e lëndës mes të tjerash janë “Një diplomat i Tiranës në Shkup”, Leonidha Mërtiri; ambasadori serb në Sofje, Vladimir Curgus; diplomati Xhelal Fejza; ambasadori Shaban Murati; Majlinda Bregu, Ballkani Perëndimor; Me avionin Malev drejt Beogradit; Ambasadorja gjermane, Eleonore Staimer Pieck, vajza e Wilhelm Pieck; Ambasadori Bashkim Pitarka në ciklin e tij të shkrimeve “Kujtime të një diplomati”; Tefta Cami: “Ambasadori jugosllav Branko Komatina, një diplomat karriere korrekt dhe me kulturë”; Diplomacia e vaksinës; Kundër-zbulimi francez depërton drejt Tiranës; Një ambasador elite: Ksenofon Nushi; Cari bullgar Boris fliste shqip; Drejtori i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, Ambasadori Genci Muçaj; Diplomacia e konjakut “Skënderbeu”; Tri ditë që tronditën Sali Berishën; TAP; Korridori VIII; Dy aeroportet konkurrente: Beogradi dhe Rinasi…
Nga Ylli Polovina
Fragmente
Edmond Panariti, Armand Skapi
Në fillim të vitit 2013 bëra pesë biseda të regjistruara me Armand Skapin, punonjës i rëndësishëm në Shërbimin e Jashtëm Shqiptar. Arsyeja qe se ministri Edmond Panariti, shef i kabinetit të të cilit ishte, paraqiste një rast befasues intuite dhe largpamësie diplomatike. Qe si i lindur për atë profesion. Ndërkohë që ishte veteriner. Madje e jashtëzakonshmja me këtë rast qe se ata të dy përbënin një bosht të pandashëm energjie të specializuar për të vepruar me sukses në çdo terren të marrëdhënieve ndërkombëtare. Diplomati profesionist Skapi interpretoi si vlerë një shumësi cilësish të duhura për ambasadorin shqiptar në Ballkanin Perëndimor dhe këto i shpjegoi në 16 minutat e bisedës së parë. Ndërkaq në bisedën e dytë, të titulluar prej meje si “Lufta e qumështit”, Armand Skapi këmbënguli se dhuntitë e Edmond Panaritit ishte transparenca e tij, hapja me të gjithë bashkëpunëtorët dhe faktorët protagonistë, përfshi qeveritë dhe shtetet. “Forma më e zakonshme e punës së tij, pohoi Skapi, qe të këshillohej me të gjithë”. Biseda e tretë, e katërt dhe e pestë qenë për raportet me Maqedoninë, me Luginën e Preshevës dhe me gazsjellësin TAP. Në 16 janar 2013 Edmond Panariti i dha një intervistë radios DW (“Zëri i Gjermanisë”) dhe pyetjes “Viti që lamë pas duket se nuk ka qenë shumë i favorshëm për raportet me fqinjët…iu përgjigj: “Vizita ime zyrtare në Greqi, synoi dhe arriti të hapë një kapitull të ri të marrëdhenieve midis dy vendeve në frymën e diskutimit të hapur, bashkëpunues dhe jo paragjykues të çështjeve të së kaluarës dhe të atyre të aktualitetit. Për sa i takon ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, ecuria e marrëdhenieve me këtë shtet do të kushtëzohet me shkallën e respektimit të të drejtave të shqiptarëve, përfshirjen e duhur të tyre në jetën politike, sociale dhe ekonomike të vendit, sipas detyrimeve të cilat rrjedhin nga Marrëveshja e Ohrit”. Pyetjes së DW për lobingun e njohjes së Kosovës Edmond Panariti u dha përgjigjen “Objektiv i pandryshueshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe imi personal është intensifikimi në fillim të këtij viti i lobingut që do të kryejmë për njohjet e reja të Kosovës, në koordinim me qeverinë e Kosovës. Aktualisht po punojmë për rritjen e hartës së njohjeve të reja për Kosovën. Jemi fokusuar kryesisht në vendet e Lindjes së Mesme. Unë kam pasur kontakte me ministrin e Punëve të Jashtme të Tunizisë, dhe kam kërkuar që Tunizia të njohë sa më parë pavarësinë e Kosovës. Po punohet për arritjen sa më parë të këtij objektivi. Po punohet dhe me autoritetet e Libanit për njohjen e Kosovës. Më lejoni të kujtoj që në fund të vitit të kaluar gjatë kontakteve që pata me sekretaren amerikane të Shtetit, Hillari Klinton, i kërkova në mënyrë të drejtpërdrejtë që të ndikonte te autoritetet e Izraelit për njohjen e shtetit të Kosovës. Pra, siç e shikoni, unë nuk do humbas asnjë rast të vetëm për të kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ato shtete që nuk e kanë bërë…” Në mbyllje të intervistës Panariti u shpreh me fjalët: “Sfidat janë të shumta, por mendoj se me një dinamizëm më të madh, me një vullnet më të madh ne do t’i realizojmë këto qëllime”.
***
Edmond Panariti lindi në Tiranë më 1 qershor 1960. Ai e filloi karrierën e tij si studiues në Departamentin e Radiobiologjisë të Institutit të Kërkimeve Veterinare në Tiranë (1984-1989). Shërbeu si shef i Departamentit të Toksikologjisë Mjedisore në Institutin e Kërkimeve Veterinare (1992-1995). Më pas punoi si shef i seksionit të sigurisë ushqimore në Institutin e Shëndetit Publik (1996-1998). Ai u bë zëvendësdrejtor i Institutit të Kërkimeve Veterinare në vitin 1998. Mandati i tij zgjati deri në vitin 2006. Panariti u emërua ministër i Punëve të Jashtme më 3 korrik 2012, duke zëvendësuar Edmond Haxhinasto. Ai gjithashtu shërbeu si kryetar i komitetit të ministrave evropianë në Këshillin e Evropës deri më 9 nëntor 2012. Edmond Panariti dha dorëheqjen si ministër i Jashtëm kur u riorganizua kabineti, më 3 prill 2013. U pasua në këtë post nga Aldo Bumçi. Më 31 korrik 2013, Panariti u emërua ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Në vitin 2015 Universiteti i Perugias i dha titull nderi në mjekësi veterinare, Ceremonia solemne u zhvillua në Aula Magna dhe u kryesua nga rektori Franco Moriconi.
***
Armand Skapi lindi në Tiranë më 24 dhjetor 1973. Në vitin 1996 u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Ai ka kryer një vit akademik në fushën e së drejtës ndërkombëtare të krahasuar në Fakultetin e Drejtësisë së Universitetit të Leiden, Holandë. Prej vitit 1997 Armand Skapi ka punuar pa ndërprerje në strukturat e Shërbimit të Jashtëm të Shqipërisë ku ka mbuluar detyra të rëndësishme drejtuese si: Drejtor i Drejtorisë së Kombeve të Bashkuara, Drejtor i Drejtorisë së Shtypit dhe Diplomacisë Publike, Drejtor i Drejtorisë së Lindjes së Mesme dhe Afrikës, Ministër Këshilltar pranë Ambasadës së RSH, Romë, Drejtor i Kabinetit të Ministrit të Jashtëm dhe Drejtor i Drejtorisë së të Drejtës Ndërkombëtare dhe Traktateve. Në nivel ndërkombëtar Skapi është Anëtar i Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit, 2016 e në vazhdim, dhe anëtar i Gjykatës për Pajtim dhe Arbitrazh e OSBE, 2013 e në vazhdim. Në korrik të vitit 2019 Skapi u emërua në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Aktualisht është me detyrën e drejtorit të një drejtorie të re të porsa krijuar. Ajo ka të bëjë me të drejtën e detit dhe marrëdhëniet me gjykatat ndërkombëtare.
Ana Lalaj, kërkime në Arkivin e Jugosllavisë në Beograd
Studimet e saj për vite të tëra janë përqendruar në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë, ish Jugosllavisë, Greqisë dhe rajonit të Ballkanit gjatë Luftës II Botërore dhe Luftës së Ftohtë. Ka shkruar shumë artikuj në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit si edhe është bashkautore në libra të rëndësishëm historikë. Ana Lalaj ka botuar edhe librat “Lufta për çlirim kombëtar dhe vetëvendosje e popullsisë shqiptare në Jugosllavi (1941 – 1945) – Tiranë”, 1984; “Kosova: rruga e gjatë drejt vetëvendosjes (1948 – 1981)”, Tiranë, 2000; “Dosjet e Luftës”, Tiranë, 2014; “Pranvera e rrejshme e 56-s”, Tiranë, 2016. Ajo ka pohuar vazhdimisht se hapja e arkivave dhe deklasifikimi i regjistrimeve arkivore ia ka lehtësuar punën. Për nevoja shkencore Lalaj ka kryer kërkime jo vetëm brenda vendit por dhe në disa arkiva të mirënjohura për sasinë e tyre të madhe dhe të rëndësishme të dokumenteve, si në NARA (SHBA), në Arkivin Kombëtar të Britanisë së Madhe, në OSA (Hungari) etj. Në fund të prillit 2012, disa muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes “Për lëvizjen e lirë të shtetasve” ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Serbisë (5 korrik 2011), ajo realizoi hulumtime edhe në Arkivin Shtetëror të Jugosllavisë. Ishte pranverë dhe Beogradi qe plot gjelbërim. Aty Ana Lalaj qëndroi nga 25 prilli deri më 26 maj 2012. Ndoshta ishte koha më e mirë për kërkime dhe njëkohësisht për të vizituar pika historike, muze, librari, si dhe për të shijuar bukuritë e tjera të Beogradit. Meqë studimet e saj qenë fokusuar në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë në shekullin XX, ajo si studiuese e priti me gëzim këtë hap afrimi ndërmjet dy qeverive, heqjen e vizave ndërshtetërore. Procedurat për të hyrë në sallën e leximit të dokumenteve të Arkivit të Jugosllavisë ishin të thjeshta, pa ngarkesa administrative të rënduara. Tek dera e jashtme e Arkivit dorëzoje pasaportën dhe hyje brenda në ndërtesë. Në një sirtar të vogël lije çantën dhe sendet personale. Stafi i Shërbimit në Sallë në Arkivin e Jugosllavisë përbëhej nga Dimitrije Spasojevi?, Ivana Božovi?, Dragana Dragiši? dhe Jelena Ivanovi?.Në këtë Arkiv Ana Lalaj shfrytëzoi fondin e Komitetit Qendror të PKJ (Lidhjes Komuniste Jugosllave) (Arhiv Centralnog Komiteta Saveza Komunista Jugoslavije- A CK SKJ).
Pra fondin 507. Konkretisht marrëdhëniet midis PKJ (LKJ) dhe PKSH (PPSH) ose Komisija za Medjunarodne Odnose i Veze, Albanija. Ana Lalaj punoi edhe me fondin e Kabinetit të Presidentit të Republikës, Marshall Tito, (Arhiv Predsednika Republike, Kabinet Marshala Jugoslavije Arhiv Josipa Broz Tita). Ky qe një fond mjaft interesant për të kuptuar jo vetëm marrëdhëniet Shqipëri-Jugosllavi, por edhe raportet midis vendeve të rajonit në vitet e Luftës së Ftohtë. Aty ndodhej një pjesë e historisë së Shqipërisë, madje një pjesë e panjohur e saj. Materialet qenë të ruajtura shumë mirë. Anës punonjësit e personelit i shërbyen me letër, por jo me mikrofilma. Shërbimi qe korrekt, të gjithë të gatshëm për të qenë të dobishëm. Nuk kishte diferencime. Ana Lalaj punonte nga ora 9 e mëngjesit deri sa mbyllej Arkivi. Në sallë ishe i detyruar të merrje vetëm lapsin, fletoren dhe aparatin fotografik. Skanimi nuk lejohej. Për materialet e fotografuara duhej të paguaje 22 euro në ditë, pavarësisht nga numri i fotove që merrje.Ndërkohë historiania Lalaj kërkoi fotografitë e Enver Hoxhës tek Agjencia e Lajmeve TANJUG, por nuk ja hapën derën. Ajo nuk kërkonte t’ia falnin, do t’i blinte pa hezitim, sepse ato çfarë në Arkiv kishte parë prej gazetave, pamjet e Hoxhës qenë të dobëta. Në TANJUG gjeti një me cilësi shumë të mirë, me në gjoks medaljen e Heroit të Popujve të Jugosllavisë.
Ia pati dhënë Tito. Pas prishjes së marrëdhënieve mes dy shteteve PKSH ia ktheu të gjitha dekoratat Beogradit. Por Hoxha nuk e ktheu të vetën. Për herë të parë një historian shqiptar po e shihte këtë medalje, të vendosur në gjoksin e uniformës ushtarake të kryekomunistit të Tiranës.
Pas një muaji qëndrimi në Beograd Ana Lalaj doli nga kufiri serb pa asnjë problem.
Në Olimpiadën e Berlinit në 1936, “Audienca me kancelarin Hitler”
Ishte një turne ndërkombëtar i futbollit i realizuar nga viti 1929 deri në 1980. Në edicionin e parë morën pjesë Rumania, Greqia, Jugosllavia dhe Bullgaria. Ky edicion u luajt gjatë tri viteve nga 1929 deri më 1931. Sipas gazetarit dhe studiuesit Besnik Dizdari, “gazeta sportive italiane e kohës, “Il Littoriale” (“Corriere dello Sport” e sotme) me titull “Kupa e Ballkanit: Rumania mund Jugosllavinë 2-1”, thotë fjalë për fjalë: “Takimet për zhvillimin e Kupës së Ballkanit në të cilën marrin pjesë Rumania, Bullgaria, Jugosllavia, Greqia dhe Shqipëria, filloi me ndeshjen e përfaqësueseve të Rumanisë dhe Jugosllavisë”. Ajo çka ka rëndësi për ne në këtë lajm të “Il Litoriale”-s për fillimin e Kampionatit Ballkanik të Futbollit, është fakti se përmendet edhe Shqipëria si pjesëmarrëse! E pra, dihet se Shqipëria nuk ka shkuar në Bukuresht. Po ashtu Besnik Dizdari përshkruan edhe një episod tjetër, për Olimpiadën e Berlinit në 1936: “Dhe po nëntitulloj ashtu siç ka përcaktuar shtypi shqiptar i kohës: “Audienca me kancelarin Hitler”! Ndodhi pra, që tre shqiptarët, të cilët për herë të parë përfaqësonin Shqipërinë në një Olimpiadë, të jenë në “Olympia Stadion”: dr.Nush Bushati, prof. Gaqo Gogo dhe kryeredaktori i “Sportit Shqiptar”, Anton Mazreku” … “Ajo që në editorialin e tij të famshëm të vitit 1936 Anton Mazreku do ta titullonte: “Mësimi i mosvalëvitjes së flamurit tonë në Olympiadën e Berlinit”. Po Shqipëria gjithsesi ishte aty… Madje, përmes një ngjarjeje krejt të jashtëzakonshme, që simbas kërkimeve tona i përket datës 9 ose 10 gusht 1936, në ditë kulminante të zhvillimit të Olimpiadës. Adolf Hitleri, Kancelari i Gjermanisë, ka pritur në selinë e tij në Berlin, dr. Nush Bushatin, ministër i Arsimit të Mbretërisë Shqiptare dhe kryetar i organizatës sportive kombëtare të Shqipërisë “Vllaznia Shqiptare”… “Dihet ndërkaq se në Olimpiadën e Berlinit kanë qenë të pranishëm autoritete shumë më të larta se dr. Nush Bushati i Shqipërisë, të tillë si Mbreti i Bullgarisë, Princi Trashëgimtar i Italisë, Princi Trashëgimtar i Suedisë, të cilët Hitleri mund t’i ketë pritur…
***
Në 1922 në Vjenë, dr. Nush Bushati mbaron Drejtësinë, martohet me zonjushën Hansi Zdeborsky dhe papritmas më 1930 rikthehet në Shqipëri! … “Madje qysh në 1922-23, kur 26-27 vjeç emërohet përfaqësues i Shqipërisë në Arkivin Austriak të Ministrisë së Jashtme të Austrisë. Synimi ishte që të hulumtohej në arkivin e famshëm perandorak austro-hungarez për dokumente që i përkisnin historisë së Shqipërisë… “Dhe përsëri në Vjenë, në 1924 si kryekonsull i Shqipërisë dhe inspektor i studentëve shqiptarë në Austri. Periudha e qeverisë së Fan Nolit! Në 1925, ai është midis deputetëve, të cilëve iu rrëzohet titulli, duke qenë se është një nga të cilët gjatë dramës së 1924-s kishte pranuar detyrë me rrogë, në këtë rast kryekonsull në Vjenë!…. Kështu njofton shtypi shqiptar, ndërkohë, që pritja që i bëhet ministrit Bushati prej autoriteteve gjermane qe më se e përzemërt… Ministrit Bushati i vihet në dispozicion një veturë e posaçme gjatë gjithë kohës që ai ndjek garat e Olimpiadës, por ndërkohë ai viziton shumë shkolla e mjedise kulturore e sportive gjermane, me synimin për të marrë përvojë organizative. Ky është edhe një qëllim më vete i gjithë kësaj pranie të Shqipërisë në Lojnat e 11-ta Olimpike të Berlinit. Nuk jipen hollësira, përveç faktit se audienca krye më krye midis Adolf Hitlerit dhe dr. Nush Bushatit nuk ka qenë një takim më këmbë, por që ka zgjatur plot 40 minuta! Me gjuhën e diplomacisë shtypi thekson se midis tyre “pati një bisedim miqësor që zgjati 40 minuta”! Për çka është biseduar?” Në vijim të shkrimit të tij Besnik Dizdari rrëfen se Nush Bushatin e pritën ministri Jashtëm i Gjermanisë, von Neurath, madje mes tyre pati mbi një orë “bashkëbisedime të ndryshme”. Më mbas ministrin shqiptar të Arsimit e pritën radhazi Göbbelsi dhe Geringu!
Ambasadori Spiro Koçi
Pas ndarjes së Serbisë nga Mali i Zi, Spiro Koçi ishte Ambasadori i parë i Shqipërisë në shtetin e Serbisë. Në fillim autoritetet serbe e shtynë pa fund afatin normal të miratimit akreditimit të tij deri kur kjo më në fund nuk mund të refuzohej më. Madje pati edhe ndërhyrje prej qarqeve diplomatike të vendeve të tjera që Beogradi zyrtar ta miratonte akreditimin e tij si Ambasador, ndërkohë që Serbia vijonte të përfaqësohej në Tiranë në nivel Të Ngarkuari me Punë. Më në fund, i gjetur në kryeqytetin serb në fillim të vitit 2007 në nivel Ambasadori dhe jo të Ngarkuari, Spiro Koçi e kuptoi edhe më mirë ftohtësinë e paragjykuar zartare që i vinte nga autoritetet shtetërore. Gjithsesi, në fund të vitit 2007 Shqipëria dhe Serbia patën një bum shkëmbimi mallrash dhe puthuaj u arrit niveli i vitit 1989, kur Beogradi ishte partneri kryesor tregtar i Tiranës. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së menjëhershme nga Shqipëria, Ambasadori Koçi u përball me bojkotin e autoriteteve serbe. Sipas një plani të miratuar nga qeveria serbe, nuk e ftonin në veprimtaritë e ndryshme të organizuara për trupin diplomatik nga MPJ serbe, por nuk i shkonin as në ambasadë apo në aktivitetet e organizuara prej tij.
***
Dukej kjo ishte direktivë zyrtare, por realisht punonjësit e Ministrisë së Jashtme serbe dhe diplomatët e ndryshëm të atij shteti, nuk tregoheshin kaq të rreptë. Orientoheshin më mirë në favor të vlerësimeve që kishin për individin. Në Beograd familja Koçi u ndesh me një numër problematikash në mbarëvajtjen e vajzave në sistemin e arsimit serb. Nuk do ta ekzagjeronim nëse do të themi se fëmijët patën dhe tronditje psikologjike në disa raste.
***
Muajt e parë të punës së tij në Beograd Spiro Koçit iu pleksën me çështjen e realizimit të Pakos Ahtisari. Kjo Pako ishte rezultati i përpjekjeve të gjata të Kosovës për të ardhur deri te një zgjidhje për statusin të saj përfundimtar. Si karakteristika themelore të Pakos qenë: Hapja e rrugës për statusin përfundimtar; bërja e Kosovës me Kushtetutë si akti më i lartë juridik; krijimi i mundësisë për themelimin e një force të re të sigurisë, e cila realisht do të qe ushtria e ardhshme e Kosovës etj. Miratimi i kësaj Pakoje papritur u shty për katër muaj, pasojë e presionit të Rusisë, dhe ambasadorit Koçi iu desh të lobonte për shpejtuar vënien e saj në jetë. Nisi vizitat në Beograd në disa nga ambasadat e vendeve të Afrikës dhe Azisë. Tek ambasada e Ganës titullari i saj i ra shkurt përgjigjes. I tregoi me gisht në korridor një pllakë, në të cilën ishte shkruar se ajo godinë qe dhuratë e Titos dhe e popujve të Jugosllavisë. Në ambasadën e Indonezisë ndodhi e njëjta gjë, kurse në një përfaqësi tjetër diplomatike aziatike, kur shkoi në dhjetë pa pesë të paradites dhe trokiti në derë, doli një toje. Ky i tha se ajo nuk ishte godina e ambasadës, por rezidenca e ambasadorit. Roja tregoi me dorë një pllakë të nikeluar, e cila thoshte se ndërtesa qe dhuratë e Titos dhe e popujve të Jugosllavisë. Pastaj i tregoi adresën ku kishin ambasadën. Ishte një apartament i thjeshtë dhe i mobiluar varfër.
***
Në takimet e përditshme me ambasadat e huaja në Beograd, Spiro Koçi shkoi edhe në atë të Vatikanit. Ajo drejtohej nga Eugenio Sbarbaro. Ky reagoi pa shprehur asnjë shqetësim. “Jini të qetë, tha, se vendimi për njohjen e Kosovës është marrë”. Pastaj duke lënë në nënkuptohej se gjithçka i ka rrënjët në SHBA, saktësoi se një muaj më shumë apo një muaj më pak nuk kanë asnjë rëndësi. Eugenio Sbarbaro, i lindur më 3 korrik 1934, ka qenë një prelat italian i Kishës Katolike i cili e kaloi karrierën e tij në shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë. Eugenio Sbarbaro iu bashkua shërbimit diplomatik në vitin 1968 dhe detyrat e tij të para e çuan në Paraguaj, Ugandë, Turqi dhe Shtetet e Bashkuara. Më 14 shtator 1985, Papa Gjon Pali II e emëroi atë Kryepeshkop Titullar të Tidit dhe Pro-Nuncio Apostolik në Malavi dhe në Zambi. Më 7 shkurt 1991, Gjon Pali e emëroi Pro-Nuncio Apostolik në Antigua dhe Barbuda, Bahamas, Barbados, Belize, Dominica, Xhamajka, Grenada, Shën Vincenti dhe Grenadinet, Shën Lucia dhe Trinidad e Tobago, si dhe delegat apostolik. për Antilet. Përveç kësaj, ai e emëroi atë Nunc në Suriname më 13 korrik 1994, në Guajana më 26 gusht 1997, në Saint Kitts dhe Nevis më 23 tetor 1999. Më 26 prill 2000, Gjon Pali e emëroi atë Nunc Apostolik në Jugosllavi. Në shkurt 2007 Sbarbaro ishte Nunc në Serbi. Shërbimi i tij diplomatik përfundoi kur Benedikti e zëvendësoi atë si Nunc në Serbi më 8 gusht 2009. Një vit pasi Spiro Koçi u largua nga Beogradi.
Boza
Në librin e tij me kujtime “Rrugëtimi i një karriere”, diplomati Qemal Alijaj ka edhe këtë fragment: “Një dukuri tjetër ndesha kur u ftova për vizitë në familjen e njohur shqiptare Memishi, me prejardhje nga Tetova e Maqedonisë. Nëna e tyre së bashku me tre djemtë e martuar banonin afër qytetit të Krajovës, në Sllatinë. Udhëtuam me sekretarin e parë të ambasadës dhe gratë tona për të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar se të tre djemtë e njerit prej pjesëtarëve të familjes ishin bërë synet. Në këtë vend ata ishin vendosur prej më shumë se një shekulli dhe kishin hedhur rrënjë të forta, duke mbajtur pasaportën shqiptare. Bisnesi i tyre ishte një dyqan i njohur për ëmbëlsirat dhe bozën, që e pëlqenin aq shumë rumunët. Për këtë të fundit dëgjova diçka interesante që familja e tyre e përmëndte shpesh, por që kishte të bënte me punën e tyre. Çaushesku në moshën e adoleshencës, punonte si shegert në një këpucar, dyqani i të cilit ishte shumë pranë me atë të të parit Memishi. Babait të tyre u vinte keq për djalin e ri dhe shpesh i jepte ëmbëlsira dhe bozë. Ai nuk e kishte përfytyruar që ai djalë, i cili kërrusej duke riparuar këpucët, do të bëhej një ditë i pari i vendit. Por, edhe Çaushesku nuk e kishte harruar bamirësin e tij dhe sa herë që vinte për vizitë në Sllatinë, qyteti ku jetonin shqiptarët, pyeste për dyqanin e tyre dhe u kërkonte vartësve të tij t’i sillnin “braca”, bozën shqiptare. Këtë nostalgji të Çausheskut djemtë e familjes e tregonin kudo dhe mburreshin me interesimin që tregonte ndaj familjes së tyre i pari i vendit, gjë që u vlejti kur qeveria rumune urdhëroi mbylljen e dyqaneve private. Familja kundërshtoi dhe u ankua tek sekretari i partisë së rrethit, duke i përmendur se do të ankoheshin tek shefi i madh. Sekretari i partisë u frikësua sepse e dinte që Çaushesku fliste me simpati për familjen e tyre, prandaj e anulloi urdhërin për mbylljen e dyqanit, që mbeti kështu i vetmi që ushtronte aktivitetin privat”.
Ambasadorja Donika Hoxha në qytetin e Radomirit
Në 14 tetor 2019 me ftesë të nënkryetarit të Komunës së Radomirit, një qytezë 50 km larg Sofjes, Dimitër Dimitrov, stafi i Ambasadës së Shqipërisë në kryeqytetin bullgar mori pjesë në Ditën e Bozës, e organizuar për të katërtin vit radhazi në Radomir dhe kushtuar pijes tradicionale të qytetit, bozës. Aktiviteti u organizua nga Komuna e Radomirit me moton “Me bozë, festë e këngë”.Sipas njoftimit të ambasadës shqiptare “Qyteti i Radomirit ka qenë historikisht i famshëm për prodhimin e bozës që nga gjysma e dytë e shekullit të 19-të dhe që atëherë boza është bërë një pjesë e madhe e jetesës së popullsisë vendase. Duhet theksuar se pija boza është prodhuar fillimisht nga shqiptarët dhe shtetasi shqiptar Ali Serbez dhe djali i tij konsiderohen si prodhuesit më të fundit të bozës nga Shqipëria, duke lënë pas një pasuri të çmuar për qytetin e Radomirit”. Lajmi spikat se “ambasadorja Donika Hoxha theksoi se Shqipëria dhe Bullgaria ndajnë shumë gjëra dhe pija boza është një prej tyre. Sipas saj, fakti që kjo pije është prodhuar nga një shqiptar i jep edhe më shumë vlerë eventit dhe lidhjeve mes dy vendeve”. Ceremonial i madh u krye në një festim të mëparshëm, ku i pranishëm qe ambasadori Qirjako Kureta.