Nisma e Qeverisë në Shqipëri për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale, ka ndarë në qëndrime politikanët dhe ekspertët.
Qeveria ka deklaruar se kjo nismë rrit ekonominë dhe hap vende të reja pune, ndërsa për opozitën nxit joformalitetin në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, ndërsa përfitimet ekonomike i konsideron të papërfillshme.
Por, shqetësim për këtë nismë ka pasur edhe nga deputetë të partisë në pushtet. Dy prej tyre, Pandeli Majko dhe Fatmir Xhafaj, nuk e kanë votuar këtë nismë në Komisionin parlamentar të ligjeve ditën e enjte. Ndërsa, Erion Braçe është i shqetësuar për krahun e punës që do t’i ikë bujqësisë, që edhe aktualisht vuan për punonjës.
Edhe ekspertët e ekonomisë kanë mendime të ndryshme. Ata që e mbështesin flasin për miliona euro shtesë në buxhetin e shtetit nga eksporti i kanabisit, ndërsa kundërshtarët sjellin si shembull dështimin që, sipas tyre, ka pasur kjo nismë në shtetin fqinj, Maqedoni e Veriut.
Kabanisi është lule në familjen Cannabaceae. Shpesh kjo lëndë narkotike psikoaktive, quhet edhe marihuanë.
Çfarë përmban projektligji?
Projektligji për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale është miratuar në Qeveri më 16 qershor.
Projektligji detyron edhe ngritjen e Agjencisë Kombëtare për Kontrollin e Kanabisit. Kjo Agjenci është e ngarkuar për të kontrolluar dhe monitoruar procesin në të gjitha hallkat që nga farërat, mbjellja, korrja, tharja dhe destinacioni i fundit i kanabisit.
Në projektligj janë parashikuar të gjitha kushtet për aspektet e dhënies së licencave dhe lejeve për subjektet e interesuara. Parashikohet edhe ngritja e regjistrit të posaçëm të subjekteve të licencuara dhe të lejuara.
Sipërfaqja totale e lejuar për kultivimin e bimës së kanabisit për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e madhe se 200 hektarë në rang kombëtar. Gjithashtu, sipërfaqja e njësisë së licencës të aktivitetit për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e vogël se 5 hektarë dhe jo më e madhe se 10 hektarë.
Licenca jepet për një periudhë 15-vjeçare. Në raste shkeljesh, gjobat janë nga 500 mijë lekë deri në 5 milionë, si dhe ndalimi i përkohshëm i kryerjes së veprimtarisë për një periudhë nga 6 muaj deri në 3 vjet.
Në ligj janë vendosur kritere të forta për t’u pajisur me licencë. Praktikisht, asnjë kompani shqiptare nuk i plotëson kushtet, pasi kriteri i parë është që kompania duhet të ketë eksperiencë 3-vjeçare në kultivimin, prodhimin, përpunimin, qarkullimin dhe administrimin e bimës së kanabisit. Kompania duhet të ketë një kapital jo më të vogël se 100.000.000 lekë apo rreth 960 mijë euro.
Opozita: Ligji do të jetë pengesë në rrugën drejt BE-së
Opozita në Shqipëri e ka kundërshtuar këtë projektligj. Deputetët opozitarë në të gjitha diskutimet e fundit në komisionet parlamentare dhe në Kuvend kanë thënë se nxitimi i Qeverisë për ta votuar ligjin nuk lë shije të mirë, e nga ana tjetër, pretendimi se do të rrisë ekonominë nuk shoqërohet me një analizë serioze nga ministritë e linjës.
Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike dhe kryetare e Komisionit për integrimin evropian, thotë për Radion Evropa e Lirë se projektligji u dërgua në komisione me procedurë të dyshimtë, jo përmes mbledhjes së Konferencës së kryetarëve, duke mos lënë kohë të mjaftueshme për debat në komisionet parlamentare. Ajo përmend disa nga argumentet kundër.
“Qeveria pretendon se një sektor i ri i ekonomisë do të hapet, por nuk ka një analizë konkrete sa vende pune do të hapë, çfarë ndikimi do të ketë te fermerët, tek eksportet, si do të rritet GDP-ja. Është hera e parë që Qeveria sjell një politikë të re ekonomike dhe është dëshpëruese e mjaft shqetësuese që ajo lidhet me kanabisin”.
“Së dyti, 10 vjet qeverisje kanë treguar se sfida më e madhe ka qenë kontrolli i territorit. Vjet pati një rritje në 3600 tonë të kanabisit të prodhuar në vend. Mendoj se kjo nismë do të nxisë kultivimin në rrugë joformale. Së treti do të jetë një sfidë e jashtëzakonshme për bujqësinë që kontribuon 20 % të PPB-së. Ligji parashikon 200 hektarë tokë për kultivimin e kanabisit, do të marrë fermerë duke i paguar ata më shumë e duke i hequr nga tokat bujqësore”, thotë Tabaku.
Sipas deputetes demokrate, ligji për kanabisin, pasaportat e arta dhe amnistia fiskale janë pengesa në rrugën drejt BE-së. Ajo thotë se një nismë e tillë ka dështuar në Maqedoni të Veriut.
“Pse nxitohet me kultivimin e kanabisit, me një ekonomi të re, kur kemi potencial të pashfrytëzuar në bujqësi, turizëm, teknologji informacioni? Nuk është koha për t’u diskutuar tani kjo nismë as nga pikëpamja ekonomike, as sociale dhe as nga pikëpamja e kritereve drejt integrimit në BE”, thekson Tabaku.
Qeveria: BE-ja ka disa rezerva, do t’i zbatojmë rekomandimet
Qeveria e ka mbrojtur projektligjin, edhe pse ka pranuar se Bashkimi Evropian ka disa rezerva.
Në komisionet parlamentare ku është debatuar për këtë nismë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka deklaruar se nuk ka asnjë rrezik që kultivimi i kanabisit të dalë jashtë kontrollit.
Kundërshtimit të opozitës i është përgjigjur duke theksuar se qytetarët e mbështesin ligjin, pasi 61 % e të anketuarve apo rreth 350 mijë qytetarë janë shprehur pro, në anketën e Këshillimit Kombëtar – një instrument i përdorur nga Qeveria shqiptare në platformën e saj për bashkëqeverisje me qytetarët.
“Është një ligj sfidues, por që përfitimet i ka puro ekonomike, krijon një industri të re, hap vende të reja pune, krijon të ardhura për buxhetin e shtetit nga taksat dhe tarifat. Nuk ka legalizim të trafikut të paligjshëm. Ligji sanksionon kultivim të kontrolluar të kanabisit dhe për këtë janë pyetur qytetarët.
Ky ligj është i tëri siguri dhe garanci, parashikon gjithçka që nga fara që do të përdoret, deri te teknologjia, shenjimi dhe gjurmimi. Kjo është sfidë që ne do ta kapërcejmë”, tha ministrja e Shëndetësisë.
Manastirliu pranoi se Bashkimi Evropian ka disa rezerva, por tha se të gjitha rekomandimet do të merren parasysh dhe do të reflektohen.
“Edhe ditët e fundit Bashkimi Evropian na ka mbështetur për sa i përket rekomandimeve për të përmirësuar disa aspekte. Komentet flasin për masa mbrojtëse për rolin e policisë dhe agjencive të tjera, kushte specifike për pastërtinë e figurës së punonjësve në Agjencinë e Kontrollit, kujdes në transferimin e licencave, që sigurisht do ta përmirësojnë ligjin”, theksoi Manastirliu.
Ajo shtoi se që nga viti 2020 po punohet për këtë ligj dhe qeveria ka mësuar edhe nga problematikat, me të cilat u përball Maqedonia e Veriut.
Ministrja bëri të ditur se përdorimi i kanabisit për qëllime mjekësore në Shqipëri do të përfshihet në një fazë të dytë, pasi fillimisht duhet përcaktuar në protokollet mjekësore.
Ekspertët e ekonomisë pro dhe kundër
Ekspertët e ekonomisë janë të ndarë në qëndrime dhe argumente për këtë projektligj. Fatos Çoçoli thotë se në shumë vende të botës kjo nismë ka rezultuar pozitive dhe nuk ka arsye të mos aplikohet edhe në Shqipëri.
“Ka shumë mundësi që të kemi tregtarë dhe sipërmarrës për t’i hyrë këtij aktiviteti, që kërkon standarde të forta. Ligji i hap rrugë prodhimit vetëm për eksport. Gjykohet të kapë vlerë deri në 100 milionë euro për një periudhë 2-3 vjeçare pas miratimit të ligjit. Është në dobi të vendit. Nuk gjykoj se lejimi i kultivimit të kontrolluar do të të nxisë trafikun e paligjshëm. Është hap i duhur për të rritur eksportet, të hapë vende të reja pune në një industri të re”, thotë Çoçoli.
Por, një tjetër ekspert ekonomie, Klodian Muço, e sheh ndryshe situatën dhe nuk vlerëson se do të ketë ndonjë ndikim të madh në ekonomi.
“Tregu i kanabisit mjekësor në Evropë është diku te 550 milionë euro, i domateve mbi 12 miliardë euro. Ne nuk jemi bërë të pasur me domate që të bëhemi me kanabis. Nga ana tjetër në Maqedoninë e Veriut u dhanë 62 licenca me një investim 3 milionë euro për licencë, vetëm njëra i mbijetoi tregut, të tjerat falimentuan”.
“Aspekti i dytë pa kontrata të huaja nuk mund të futesh në treg për të mos thënë e pamundur. Ata që do të marrin licencën do të deklarojnë më pak sesa që kultivojnë, problemi është te kontrolli. Në Itali prodhimi i kanabisit mjekësor nuk vjen nga privatët, por nga Ministria e Mbrojtjes, pra nga ushtria. Është e vështirë të monitorosh tregun dhe ta kontrollosh, prandaj duket humbje kohe dhe energjie”, thotë Muço për REL-in.
Ai shton se në shtetet që ka pasur legalizim të kanabisit për qëllime mjekësore është rritur edhe konsumi nga të rinjtë, është dëmtuar bletaria, etj. Ndaj, sipas tij, ka më shumë efekte negative, ndërsa ato pozitive i konsideron të papërfillshme.
Ku gjen përdorim në mjekësi kanabisi?
Alert Drishti, mjek toksikolog klinik në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” Tiranë, thotë se përdorimi mjekësor i kanabisit është i njohur që në lashtësi.
Sot, ai thotë se kanabisi mjekësor vjen në formë pilule, lëngu, pluhuri apo gjethe e tharë dhe ka gjetur përdorim gjatë trajtimit të sëmundjeve si alzhaimeri, skleroza, të sëmurët me anoreksi, me HIV /AIDS e me epilepsi.
Po ashtu, përdorim ka gjetur edhe te rastet me sklerozë të shumëfishtë, te dhimbjet e forta kronike që vijnë nga kanceri, migrenë, në ndalimin apo reduktimin e të vjellave te pacientët që trajtohen me kimioterapi.
“Këto medikamente lehtësojnë gravitetin te shenjat e simptomave, por nuk janë medikamente që bëjnë shërimin e patologjisë për të cilën përdoren”, sqaron Drishti.
Ai thekson se përdorimi i këtyre medikamenteve është ende i ndaluar në Shqipëri.
“Projektligji që po diskutohet kohët e fundit, për prodhimin e kanabisit mjekësor, jo për dhënien e medikamenteve me përmbajtje kabainoide. Edhe në vendet ku përdoren këto medikamente, është e rregulluar me ligj, pasi këto trajtime përdoren vetëm për pacientë që kualifikohen për këto barna vetëm nga mjekë specialistë. Efektet anësore që mund të shkaktojnë këto medikamente, mund të kalojnë dhënien e efekteve të dëshiruara”, thotë Drishti.
Sipas tij, efektet anësore më të shpeshta, janë takikardia, marramendja, ataku kardiak, dëmtime të kujtesës, shpërqendrimi, ngadalësimi i reflekseve, ndërveprimi me medikamente të tjera që mund të krijojë edhe varësi./REL/