Frrok Çupi
SPAK ka kërkuar arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj për çështjen e inceneratorëve të akuzuar për tre vepra penale. Si e konsideroni këtë “mësymje të drejtësisë” kur është person i nivelit më të lartë politik i vënë para përgjegjësisë penale?
Nuk them se është një ‘fitore’, siç dëgjoj disa komentatorë. As ‘fatkeqësi’ nuk është. Ben Ahmetaj u vu nën hetim nga posti i zëvendës kryeministrit. Kjo është hera e parë që ndodh në shtetin shqiptar, që nga viti 1912. Po të kishte ndodhur aty nga vitet 1920 e ca ose edhe 1915, që shteti të ishte i zoti të vinte në pranga Haxhi Qamilin ose sat Toptanin, ose të tjerë…, atëhë sot do të kishim edhe ne një shtet si Zvicra, për shembull. Aq më tepër po të ndodhte kjo gjë në vitet e demokraturës së shirur nga PD e Berishës. Po të ishte hetuar Berisha që atëherë, sot do të kishim një shtet të shëndetshëm. Po të ishte vënë në pranga Ilir Meta që në vitin 2011 kur u kap duke vjedhur para kamerave dhe fonive, atëherë nuk do ta kishim president të korruptuarin e kontinentit. Por nuk ndodhi e nuk do të ndodhte sikur në vendin tonë maxhoranca aktuale të mos kthehej në traktor për të hapur rrugën e Drejtësisë së re bashkë me Amerikën dhe BE. Ja, kjo do të thotë hetimi dhe prangat për Ahmetaj a për Ahmet tjetër. Siç kuptohet, Drejtësia po nis të funksionojë si shumëkëmbësh, kthehet sa prapa sa para për të korrur të korruptuarit. Tani radhën e kanë dy kryeministra: Berisha dhe Meta me familjet e tyre.
Mazhoranca vendosi të votojë pro kërkesës së Spak për arrestimin e tij. Është ky një standard i Ramës që nuk do bëhet mburojë e askujt të dyshuar nga radhët e tij, apo Ahmetaj ishte i “destinuar” të “shitej ” tek Spak siç akuzon një pjesë e opozitës?
Po gabojmë me fjalën ‘shitje’ të SPAK ose te Drejtësia. Jo vetëm nuk ka prova për ‘shitje’, por me këtë akuzë pa provë bëhen dy dëme shuma të mëdha. E para që godet për vdekje Drejtësinë, sepse nëse dikush shet dikë te Drejtësia, kjo do të thotë se Drejtësia është ‘ blerëse’. Kjo e rrëzon besimin te Drejtësia, që do të thotë se rrezon Drejtësinë. O sa qejf do ta kishin këtë gjë të gjithë kriminelët dhe të korruptuarit e mëdhenj. Dëmi i dytë është se goditet maxhoranca e votuar nga populli. Nëse maxhoranca shet njerëz dhe krime, atëherë pse qenka shteti? Këta që i hapin këto thashetheme alias Naziste, këta nuk e duan shtetin si ombrellë të qytetarëve. Këta e duan individin cullak, pa asnjë të drejtë dhe pa asnjë mbrojtje.
Çështja e inceneratorëve deri më tani ka marrë një ish-zëvendëskryeministër, ish-ministër dhe deputet. A mendoni se të tjerë emra të rëndësishëm rrezikojnë prangat për këtë aferë të pretenduar nga prokuroria speciale?
Për mendimin tim, çështja e inceneratorëve dëshmon raportin e hajdutëve me shtetin. Inceneratori, natyrisht, është një vepër, një investim, një nevojë për shtetin dhe individin. Natyrisht që është gjë e re për vendin tonë. Po pikërisht këtu qëndron dobësia. Teksa shteti nis një investim, ‘fajkonjtë’ e vjedhjes bëhen gati të vjedhin. Këta janë specie e tmerrshme. Shteti ka dobësinë se nuk i ka ‘ kopsitur’ fort ligjet dhe rregullat e inceneratorit me qëllim që aty të mos hyjnë as hajdutët më të rafinuar. Madje shteti bëri një gabim të madh: Zyrtarëve të njohur botërisht si ‘ hajdutë’ u vari në qafë paratë e mëdha të inceneratorëve. Të njohur botërisht si hajdutë… A nuk e dinin të gjithë çfarë përfaqësonte Koka? Po çfarë përfaqësonte Ahmetaj? Po çfarë ishte Bllako?… Të gjithë ishin ndërruar partitë e marifetet se si të vidhnin më shuma.
Edhe pse çdo qeveri do tronditej nga kjo ngjarje nga protesta masive, përse nuk po ndodh në rastin konkret? Kujtojmë që opozita nuk ka planifikuar asnjë protestë, a tregon kjo edhe dobësimin e rëndë dhe pabesueshmërinë e thellë ndaj opozitës?
Kjo ndodh jo pse qytetarët shqiptarë nuk dinë të protestojnë, siç akuzojnë të korruptuarit e mëdhenj që presin t’i bashkohen Ahmetajt. Nëse qytetarët shqiptarë do të dilnin në protesta masive- siç po thoni- kundër zyrtarëve që kanë vjedhur, atëherë kjo do të ishte protestë e populli përkrah Qeverisë. Sepse vetë Qeveria ndodhet në pararojë të luftës kundër korrupsionit edhe brenda administratës së vet. Sigurisht që ka edhe një ndjeshmëri tjetër: Populli nuk mund të protestojë kundër një qeverie që e shikon se punon dhe i jep rezultatet më të mira të kohëve. Aq më tepër kur populli e di se te dera presin hajdutë të mëdhenj, PD, PL, Berishë, Metë…
Skandalet dhe aferat ndodhin. Ish ministra, kryebashkiakë, zyrtarë të nivelit të lartë janë nën akuzë ose të dënuar për korrupsion e shpërdorim detyre dhe s’ka reagim qytetar në protesta. Përse kjo apati? A jemi para situatës që çfarëdo të ndodhë në skandale të shumta qeverisja s’do cënohet për shkak të opozitës së dobët?
Po, kjo situatë është gati të vijë në çdo moment. Në asnjë moment populli nuk ta fal. Por kjo situatë që thoni ju, që ‘qeveria ka guxim sepse çdo gjë që bën nuk e cenon’, do të vijë në momentin kur zëvendës- kryeministri do të marrë në dorë 700 mijë euro nga ministri i tij si vjedhje, por pas kësaj çfarë?… Pas kësaj ministri do ta regjistrojë dhe videon do ta paraqesë para popullit. Pas kësaj hapet gjyqi për vjedhjen e zëvendës- kryeministrit. Dhe para gjyqit çfarë do të ndodhë?… Natën para gjyqit vetë kryeministri, despot, shkon në shtëpinë e zëvendës kryeministrit hajdut dhe deklaron se ‘ ky është i pafajshëm…, kemi pirë verë të mirë për darkë’. Atëherë mblidhet populli në protestë para kryeministrisë dhe qeveria vret 4 protestues… Atëherë mund të thuhet se ‘ qeverisë nuk ia ndjen për asgjë’, dhe populli e rrëzon. Ne e kemi provuar këtë.