Temperaturat në Kosovë pritet të tejkalojnë rekordin gati 36-vjeçar

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Një raport i publikuar sot nga ekspertët në Mbretërinë e Bashkuar dhe Holandë thotë se nxehtësia ekstreme në zona të mëdha të Amerikës së Veriut, Evropës dhe Kinës, gjatë muajit korrik të këtij viti, ka shumë mundësi të jetë shkaktuar nga ndryshimet klimatike.

Në Kosovë meteorologët thonë se temperaturat përvëluese të verës mund të thyejnë rekordin prej 40.8 gradë Celsius të shënuar pothuajse 36 vjet më parë. Vala një javore e të nxehtit me temperatura mbi 35 gradë Celsius ka përfshirë mbarë Kosovën, duke zbrazur rrugët dhe lokalet.

Kosova mund të shënojë temperaturat më të larta gjatë kësaj vale të të nxehtit, ndoshta duke thyer rekordin e regjistruar në Prishtinë në vitin 2007, apo edhe rekordin kombëtar të shënuar në Prizren në vitin 1987.

Kryeqyteti i Kosovës, në vitin 2007 kishte shënuar temperaturën rekord prej 40.6 gradë Celsius.

Rekordi kombëtar në Kosovë, i shënuar para pothuajse 36 vjetësh në qytetin jugor të Prizrenit, ishte 40.8 gradë Celsius.

“Kulmi i kësaj vale do të jetë ditën e martë kur temperaturat do të rriten rreth 40 gradë, që do të sjellë ndoshta rekorde të reja në disa pjesë të vendit”, thotë meteorologu Mendim Rugova.

Zoti Rugova thotë se do të ketë gjithashtu një rrezik të shtuar të zjarreve.

Ajri i ngrohtë nga Afrika arriti në Ballkan disa ditë më parë, duke sjellë nxehtësi dhe lagështi ekstreme në të gjithë Serbinë, Kosovën, Shqipërinë, Bosnje Hercegovinën dhe Malin e Zi.

Ndryshe nga vendet fqinje në veri, Kosova nuk është goditur nga moti me stuhi dhe reshje të dendura shiu në ditët e fundit.

Mjekët në Kosovë po u bëjnë thirrje veçanërisht të moshuarve që të qëndrojnë brenda në orët e pikut të diellit.

“Temperatura e lartë dhe lagështia janë dy faktorë që mund të ndikojnë shumë në trup, veçanërisht te ata persona me probleme në zemër. Temperaturat e larta veçanërisht ndikojnë tek personat me probleme kardiake”, thotë kardiologu Artan Ahmeti.

Me rekordet e të nxehtit që po thyhen në të gjithë botën, shkencëtarët thonë se ka mundësi që viti 2023 të jetë viti më i nxehtë, që nga mesi i shekullit të 19-të.

Lexo edhe :  Trump kërkon largimin e UMNIK nga Kosova

Në të njëjtën kohë, shumë pjesë të globit po përjetojnë reshje të dendura dhe po përballen me përmbytje.

Temperaturat e larta po nxiten nga një kombinim i ndryshimeve klimatike afatgjata, të shkaktuara nga njeriu përmes djegies së qymyrit, naftës dhe gazit dhe një model moti që ndodh natyrshëm i njohur si ‘El Nino’.

‘El Nino’ është një ngrohje e përkohshme dhe e rastësishme e një pjese të Oqeanit Paqësor, që ndikon tek moti në të gjithë globin, shpesh duke lëvizur rrymat ajrore, që shkaktojnë stuhi. Ky fenomen atmosferik ndikon në ritjen e mëtejshme të temperaturave, që tanimë janë në rritje.

“Bota po bëhet më e nxehtë duke pasur valë më të gjata dhe më të shpeshta të të nxehtit se le të themi 10 apo 20 vjet më parë. Kjo është saktësisht siç parashikohet nga shkencëtarët që merren me klimën”, thotë Colleen Reid, profesore e gjeografisë në Universitetin e Kolorados, në qytetin Boulder.

Shkencëtarët thonë se shumica e rekordeve të ngrohjes që po përjeton Toka tani është pasojë e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu, pasi ‘El Nino’ filloi pak muaj më parë dhe është ende i dobët.

‘El Nino’ nuk pritet të arrijë kulmin deri në muajt e dimrit, duke shtuar shqetësimin se viti i ardhshëm do të jetë edhe më i nxehtë se viti 2023.

“Parashikimet janë, për fat të keq, që gjërat do të përkeqësohen. Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të ndaluar përdorimin e lëndëve djegëse fosile dhe të njejtën kohë të ndihmojmë njerëzit me probleme shëndetësore para se gjërat të përkeqësohen edhe më shumë”, thotë profesorja Reid.

“Temperaturat kanë pasur pasoja të rënda për shëndetin, edhe për ata nuk janë ekspozuar në diell. Shumë janë detyruar të shkojnë të marrin kujdes mjekësor dhe këtu bëhet fjalë për persona të moshave të ndryshme, duke filluar nga fëmijët e vegjël e deri tek më të mëdhenjtë”, thotë Hysen Cervadiku, banor i Prishtinës.

Ai shton se temperaturat e larta kanë pasur ndikim të madh edhe tek rritja e çmimeve të prodhimeve bujqësore si frutat dhe perimet pasi kjo ka zvogëluar prodhimin./ VOA

Të fundit

Idrizi reagon për shuplakën që iu dha Gjestit në “Big Brother VIP Albania”

Pas përplasjes fizike në “Big Brother VIP Albania”, ku Jozi goditi me shuplakë Gjestin – një situatë që u...

E Diela e Larit, historia dhe traditat e një kremteje

Në kalendarin liturgjik të Kishës katolike e Diela e Larit festohet një të diel para kremtimit të Pashkëve të Jezu Krishtit. Me të nis...

Spanjë/ Shirat e rrëmbyer shkaktojnë përmbytje në Lanzarote

Qindra shtëpi dhe rrugë në Lanzarote janë përmbytur, pas reshjeve të rrëmbyeshme që përfshiu ishullin Kanarie të shtunën. Qeveria e Lanzarote shpalli gjendjen e...

Jetëgjatësia varet nga mendimet tuaja, ja ç’thotë studimi

Hulumtimet e fundit kanë treguar se mentaliteti ynë dhe kujtimet pozitive nga fëmijëria mund të luajnë një rol të rëndësishëm në jetëgjatësisë dhe shëndetin...

Tri gabimet e Anjshtanjit që sollën përparimin e shkencës

Albert Ajnshtajni është i njohur në mbarë botën si një nga shkencëtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Ai është babai i teorisë...

Lajme të tjera

Web TV