Kryeministri Edi Rama në një intervistë për gazetën italiane “La Stampa”, ku ka folur për turizmin, i cili sipas kreut të qeverisë ka tejkaluar pritshmëritë.
“Ne po ecim në gjurmët që ka përshkuar vendi juaj (Italia – ed.). Por kjo verë ka qenë përtej pritshmërive. Kemi pasur një rritje prej 35 për qind të turistëve, shifrat e italianëve janë mbresëlënëse dhe janë afër gjysmë milioni. Në fillim të mandatit tim (2013 – ed.), aeroporti i Tiranës trajtonte maksimumi 350 mijë kalime në vit. Tani mbi 6.5 milionë”, zbuloi kryeqeveritari.
Gjatë intervistës Rama ka theksuar se ka ndryshuar qasja në dallim nga e kaluara që paragjykoheshin emigrantët shqiptarë etiketoheshin si “kriminelë, mafioz, emigrantë të varfër”.
“Duhet të kompensojmë kohën e humbur. Por kujdes: nuk duam të bëjmë gabimet e mëdha të Italisë apo vendeve të tjera, të brigjeve apo të qyteteve të pushtuara. Mbërritjet masive dhe kostot e ulëta (loë cost – ed.) mund të shkatërrojnë të ardhmen dhe të lënë pas eko-përbindësha dhe katastrofa mjedisore”, theksoi kryeministri.
Numri një i Qeverisë vërejti se Shqipëria ka barazuar Greqinë dhe sapo ka kaluar Italinë për numrin e turistëve për frymë.
“E pabesueshme, por ne kemi punuar shumë për të në këto vite të Rilindjes Shqiptare. Duke parë përpara, ne duam turizëm të balancuar dhe gjithnjë e më të nivelit të lartë. Duhen tre apo katër vjet për të qenë gati për të parakaluar me të mëdhenjtë”, tha ai.
Rama kujton se autoritetet shqiptare nuk duan të bien “në grackën e mjaltit”, pasi shifrat e sotshme mund të mashtrojnë brezat e ardhshëm.
“Turizmi masiv nuk është i qëndrueshëm për mjedisin. Duhet ekuilibër për të mbrojtur natyrën. Por kjo është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet. Po vrapojmë kundër erës”, pohoi kryeministri.
Sa i takon lidershipit nga pikëpamja energjetike, kryeqeveritari solli në vëmendje se dy kompani të rëndësishme si “Shell” dhe “Eni” po zhvillojnë operacione të mëdha për gaz dhe naftë në tokën shqiptare të paeksploruar.
Në këtë pikë, ai thumboi gjatë intervistës edhe pozicionin e investimeve italiane në vendin tonë.
“Italia është një aleat shumë i fortë. Nëse do të ishte e zgjuar dhe do të ishte në lartësinë e reputacionit të saj, do të kishte bërë shumë më tepër investime. Mendoj se dinakëria ekonomike e vendit tuaj është më shumë një mit sesa realitet”, tha Rama për La Stampa-n.
Duke iu kthyer situatës në frontin e luftës dhe Ukrainë dhe implikimet e saj në anëtarësimin e Shqipërisë në BE, Rama shpreson se ajo do të përshpejtojë integrimin e plotë të vendeve evropiane në BE.
“Nuk është më vetëm çështje financiare, por mbi të gjitha gjeopolitike. Do të ishte largpamëse që Ballkani Perëndimor të hynte pa u zvarritur, për të mos lënë vrima të zeza dhe hapësirë ??për palët e treta që tashmë kanë krijuar probleme për rajonin”, theksoi ai./S.M