Kliton Nesturi: Autori shkruan letërsinë e tij, lexuesi e vlerëson

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Poezia është një rrëfim që lind në çast. Proza e ka gurin më të rëndë

 Nga Leonard Veizi

 “I lindur bohem”, nuk është thjesht një titull libri, qëmtuar me kujdes për të sajuar një kopertinë me ngarkesë rrëzëllitëse apo për të gjetur mes gërmash diçka reflektuese që do të çojë të pasionuarit drejt banakut të librarisë. Ajo më së shumti është një ndjesi. Dhe shpesh realiteti letrar është po aq pasqyrë e botës së brendshmë të vetë autorit. Ndonjëherë mundohet të barazohet me të e herën tjetër çuditshëm e tejkalon. Duket se tek Kliton Nesturi këto dy paralele me një zgjatim pakufi, shtrihen gjatësisht në të njëjtin dimension…

…Ai vjen në botën e botimeve shqip, sërish me një titull poetik. Një libëri i ngjashëm, – pra sërish me vargje bohemike, – ishte ai me të cilin njëzetëegjashtë vite më parë, preferoi të hapte udhën e botimeve vetiake.Tanimë, pasi një stazhi të konsiderueshëm proze themeltare, i rikthehet sërish ndjesisë delikate dhe krejt fluide të vargjeve. A është vërtet një bohem i lindur? Duhen lexuar 5 ciklet poetike të vëllimit “I lindur Bohem” që të mund të kuptosh se çfarë ka dashur të thotë autori në rreshta e mes rreshtash.

 I riktheheni botimit të një vëllimi poetik pas më shumë se 20 vitesh. Ju ka munguar poezia, apo ajo ka qenë gjithmonë me ju?

-Në fakt janë më shumë se njëzet vjet. Po të llogarisësh kohën e botimit, prej 1997 e deri më sot i bie njëzetegjashtë vjet, pak më shumë se çerek shekulli. Pavarësisht se në këtë hapësirë kohore nuk kam botuar poezi, kam vazhduar të shkruaj por jo të përmbledhur në një vepër. “I lindur bohem”, përfshin pjesën më të madhe të krijimtarisë time poetike të kësaj periudhe. E them pjesën më të madhe, sepse kur bëhet fjalë për vepër të botuar letrare, me të cilën do të paraqitesh përballë lexuesit, autori duhet të jetë selektuesi dhe kritiku i parë krijimtarisë së tij. Jo çdo gjë që shkruhet, mund të botohet. Për me tepër në mënyrë të menjëherëshme. Kjo dëmton autorin, letërsinë dhe lexuesin: autorin e dëmton sepse ai edhe mund të dështojë kur niveli i veprës së tij nuk është në lartësinë e duhur, letërsinë e dëmton sepse e pasuron me vepra të dobëta ose mediokre, ndërsa lexuesin e dëmton, sepse i prish dhe i largon shijet artistike dhe estetike.

Për këtë arsye çdo autor duhet të jetë i kujdesshëm. Lexuesi mund të të fali një herë të lexojë një vepër të dobët, por herën e dytë, të hedh në koshin e plehrave. Duke e ditur këtë, kam qenë sekeltv dhe kritik ndaj poezive të zgjedhura në këtë libër, ku natyrisht është pjesa më e madhe dhe më e bukur e poezive të mia të shkruara gjatë këtij çerekshekulli të fundit.

Në epokën që po jetojmë, autorët e vërtetë nuk duhet të bien në kurthin e rrjeteve sociale, të cilat po shkatërrojnë shoqërinë, e jo më shijet estetike të lexuesve. Ka shumë autor që dalin nëpër dhe hedhin pa fund krijimtari në rrjetet sociale, por pak mbetet nga kjo lloj letërsie. Mjafton një stuhi diellore dhe gjithçka fshihet sikur të mos ketë ekzistuar kurrë. Gjërat me vlerë ndodhen dhe e kanë vendin nëpër bibloteka, rafte dhe arkiva.

A ndiheni më shumë melankonik përmes vargjeve tuaja?

-Një autor shkruan krijimtarinë e tij, lexuesi është ai që e vlerëson. Unë nuk jam natyre optimiste. Gjithmonë i shoh gjërat thellë dhe përpiqem të shkruaj ashtu siç unë i shoh, i ndiej dhe i njoh. Në letërsi ka një parim: një autor duhet të shkruaj për gjërat që di dhe që njeh.

 Ndërkohë ju keni nëntë (gjashtë) botime të tjera në prozë. Cili është raporti mes prozës dhe poezisë?

-Prozën e ndiej shumë, e dua shumë. Është deti ku më pëlqen të kridhem dhe të zbuloj gjithçka që dua, është qielli ku hapësira është e pafundme. Proza më jep mundësi të rrëfej në dimensionin më të madh, ashtu siç dëshiroj. E rëndësishme për një autor është që ai të ndihet sa më i plotë dhe komod, dhe proza ta krijon këtë mundësi.

 Çfarë ju mungon në prozë që kërkoni ta thoni me vargje dhe e kundërta?

Lexo edhe :  QKLL dhe Instituti Italian i Kulturës me projekte të përbashkëta për 2025-ën

Midis prozës dhe poezisë është shpejtësia e përjetimit të rrëfimit. Një poezi është një rrëfim që lind në çast, ndërsa në prozë idenë mund ta përpunosh brenda vetes edhe për vite të tëra, apo të punosh pak nga pak për shumë kohë, deri sa të shkosh në përfundimin e draftit të parë. Mua, kjo më ka ndodhur më shumë se një herë. Proza në veçanti e ka gurin më të rëndë.

Drama është një tjetër zhanër që ju lëvroni. Çfarë do të kemi pas “Trangelang”-ut?

Dashuria ime e parë ka qenë teatri. Dëshira ime e parë ka qenë që të bëhem aktor, e më regjisor teatri. Por në çastin e zgjedhjes hyra të studioja në letërsi dhe nuk jam penduar. Duke qenë dashuri e parë, kjo më ka shtyrë të ndjek shfaqjet e teatrit dhe ta përjetoj nga afër magjinë e tij.Jam me fat që kam parë në skenë mjaft nga aktorët dhe aktoret shqiptarë, që tashmë janë pjesë e yllësisë së përjetëshme, e njëkohësisht jam mahnitur me interpretimet e tyre brilante.

Kjo dashuri për teatrin më shyu të shkruaj edhe “Trangelang”-un. Kam shkruar edhe pjesë të tjera, por i kam lënë në sirtar. Kriza e teatrit shqiptar, që eshtë e panishme prej tre dekadash, është edhe kriza e dramaturgjisë shqiptare. Kjo më ka bërë të frenohem. NJë dramaturg duhet të jetojë gjithmonë pranë teatrit dhe të gjejë pikat e takimit së pari me teatrin, regjisorin dhe pastaj trupën. Ka munguar dhe mungon në masë kjo gjë tek ne. Duke e njohur thellësisht këtë krizë, disa subjekte dramash i kam shndërruar në tregime, të cilat janë botuar tashmë.

Sa i përket “Trangelang”-ut, ajo është botuar pas sugjerimeve të Ndriçim Xhepës dhe Milto Kutalit, të cilët e lexuan këtë vepër. Për këtë, më duhet që t’i falenderoj përzemërsisht, sepse më shtynë ti jap jetë një vepre që e dua shumë.

Në fund të fundit, drama është tekst letrar dhe duhet botuar. Ngjitja e një drame në skenë është edhe çështje kohe.

Po në publicistikë… Meqenëse ju jeni përfaqësuar me esenë monografike “Gjergj Bubani i harruari i përkohshëm”?

Publicistika është një tjetër sfidë e madhe. Për esenë monografike që ju përmendët, kam punuar gati pesë vjet deri sa është botuar. E kemi shoshitur gjithçka fort bashkë të paharruarin mikun tonë Loredan Bubani dhe botuesin Luan Pengili, i cili është edhe botuesi i veprës së Gjergj Bubanit. Ka qenë një punë vërtet e madhe.

Herë pas here mendoj të botoj sërish një vepër në pubicistikë. Deri atëherë të shoh. Kam projekte, por matem mirë përpara se të nis një punë.

Vëllimi pasardhës do të jetë në…?

Besoj se do të jetë në prozë. Është herët të them se çfarë konkretisht. Këtë do ta vendos së shpejti. Por besoj se diçka do të botoj vitin tjetër.

BOHEM I VJETËR

Jam bohem i vjetër, njeri që ecën rrugëve i qetë,

rrethuar prej botës time i pa vënë re prej askujt.

Bluxhins më pëlqen të vesh e muzikë rok dëgjoj, atë të vjetrën, të thellë, atë që epokat tejkalon,duke u ndierë një rebel njëzetepesë vjeçar,

sfidant i viteve nën lëkurë dhe kohës që shkon.

Heshturazi dëshiroj arratinë skajeve të atdheut tim,

në paqe me veten,

atje ku sundon bluja e thellë e detit,

apo maleve dhe pllajave pafund

aty ku gjelbërimi i pranverës

harliset krenar pas shkrirjes së dëborës

që dimrat lënë pas.

Bindshëm

Zotin nuk e besoj, sepse i vetmi i tillë në jetë

është Njeriu.

Për këtë e adhuroj jetën dhe e çmoj kohën,

fjalën e thënë.

Të varfërve që takoj përpiqem t’u jap dashuri,

ndërsa të uriturëve

shpirtin ua mbush fillimisht me shpresë,

monedhën e vetme që me vete mbaj përherë.

Shqetësimet i kaloj në heshtje,

edhe vdekjet brenda meje,

gëzimet po ashtu.

I lindur bohem jam.

Miqtë i dua edhe në dhimbje,

edhe kur në xhepa nuk iu ndodhet asnjë kacidhe.

Me ta ndaj gjithmonë fatin tim, kohën që jetoj,

larg meskinëve dhe të pafytyrëve të shumtë,

të cilët i neveris me përbuzje.

Dashurinë, oh(!), dashurinë e dua si etja,

ndërsa urrejtjes i qëndroj larg plot urrejtje.

Jam i lindur bohem dhe e adhuroj lirinë time,

pa litar rreth qafës dhe rob i askujt.

Në jetë dhe në vdekje dua të jem përherë Unë.

Të fundit

Barcelona shkatërron Valencian me goleadë, katalanasit tregohen të pamëshirshëm

Barcelona rikthehet te fitorja në La Liga. Katalanasit triumfuan me rezultat të çmendur 7-1 ndaj Valencias, në një ndeshje...

Giorgia Meloni në Arabinë Saudite, marrëveshje bashkëpunimi 10 miliardë dollarë

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka zhvilluar sot një takim dypalësh me Princin dhe Kryeministrin e Arabisë Saudite, Mohammed Bin Salman. Takimi u zhvillua në një...

Përgatitjet e socialistëve për zgjedhjet e 11 majit, Koçi: Në terren 140 kandidatë

Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, i ftuar në një intervistë televizive, foli për përgatitjet që PS po bën për zgjedhjet që pritet të...

SHBA nis aksionin për ‘goditjen’ e emigrantëve pa dokumente, qindra dëbime dhe arrestime

Autoritetet amerikane po arrestojnë tashmë qindra emigrantë pa dokumente në ditë dhe po i dërgojnë ata në vendet e tyre të origjinës, duke përmbushur...

Manchester United rikthehet tek fitorja, Djajtë triumfojnë në transfertën e Fulham

Manchester United ka siguruar një fitore minimale në transfertë ndaj Fulham, duke marrë pikë të rëndësishme për klasifikimin dhe moralin. Skuadra e Amorim, përsëri nuk...

Lajme të tjera

Web TV