Enveri, klienti i “Bela Venecia”, ku mblidhej elita e Tiranës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Ylli Polovina

“ENVER HOXHIZMI”

Një libër i porsa botuar i Ylli Polovinës, 215 faqe. Me një analizë të re të sistemit politik dhe shoqëror që vendosi në Shqipëri çifti Enver-Nexhmije.

Disa nga titujt e kapitujve:

“Feneri ndriçues në botë”, “Berat, 1936” dhe një histori ende e patreguar deri në fund”, “Kafeneja “Bela Venecia”, “Tek Rruga e Dibrës u mblodhën “moskovistët”, “Protokolli i mbledhjes themeluese të PKSH është zhdukur”, “Skandal seksi në Komitetin Qendror të PPSH-së”, “Labinot, të pranishëm një tufë jugosllavësh”, etj.

“Feneri ndriçues në botë”

I gjithë shekulli i shkuar e pleksi historinë e vet me komunizmin. Kjo doktrinë kishte në thelb funksionimin e një shoqërie politikisht jo pluraliste, me vetëm një parti si edhe të organizuar në formën e diktaturës së dy klasave, punëtorisë dhe fshatarësisë, mbi borgjezinë. Komunizmi (apo Socializmi) mori forma mjaft të larmishme prej politikanëve të saj udhëheqës, shumë emra të të cilëve krijuan edhe famë: Lenini, Stalini, Hrushovi, Josip Bros Tito, Mao Ce Duni, Ten Siao Pini, Fidel Kastro, Çe Guevara, Gjergj Dimitrovi… Ky grup me dhjetra e dhjetra persona mes tyre kishte edhe Enver Hoxhën. Ky shkaktoi një çudi të paparë. Doktrina e tij u paraqit si varianti i vërtetë dhe qe kundër gjithë të tjerëve. Komunizmi botëror për Hoxhën nga Shqipëria e vogël 2-3 milionëshe u deklarua i gabuar dhe u emërtua si revizionizëm apo eurokomunizëm. Së bashku me gruan e tij, Nexhmije Xhuglinin, të gjithë këtë doktrinë, të konsideruar “fener ndriçues në botë”, e përpunuan dhe e botuan në dhjetëra e dhjetëra libra teorikë dhe kujtimesh, e përkthyen në shumë gjuhë dhe e shpërndanë gjithandej nëpër glob. Pas vdekjes së tyre dhe rrëzimit të regjimit në fillim të vitit 1991, asnjë gjurmë nga kjo sipërmarrje nuk mbeti nëpër popuj të tjerë, madje as mes shqiptarëve. Këtu i bjenë shkurt, më shumë për qëllime propagandistike, duke e emërtuar komunizëm, por në të vërtetë eksperimenti i Enver-Nexhmije Hoxhës nuk ka asnjë lidhje thelbësore me këtë dokrinë. Por gjithsesi, duke mos qenë aspak komunizëm, një emër e ka. Duhet ta ketë. Ky është edhe qëllimi i këtij libri. Autori i këtyre radhëve një emërtim e ka zgjedhur, jo shumë i sigurt se do të pranohet nga bashkëkombësit e vet dhe do të përdoret. Hoxhë Enverizmi.

Kafeneja “Bela Venecia”

Që të gjithë qenien e tij Enver Hoxha e ka pasur përherë të mobilizuar në startin për revansh protagonizmi politik aspak patjetër komunist, mund ta dëshmojë, tërthorazi, edhe një fragment nga libri i tij “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re”, botuar në 1984. Ndodhet në faqen 61: “Kur isha në Tiranë, para pushtimit të vendit nga Italia fashiste, përveç lidhjeve me intelektualë përparimtarë e demokratë, më ishte dhënë rasti të bija në kontakt edhe me ambientet, mendimet e psikologjinë e asaj pjese të intelektualëve, që regjimi e përkëdhelte. Në “Rrugën mbretërore” ndodhej një kafene e vogël, por që në atë kohë dukej e madhe dhe quhej “Bela Venecia”. Në lokalet e kësaj “Bela Venecia” vinte “elita” e kryeqytetit dhe spiunët e mëdhenj të regjimit që nga Fuat Asllani, ministër i Jashtëm e ministra të tjerë deri te “personalitetet e larta të kulturës”.

Mblidheshin atje, sipas zakonit anglez, në five o’clock. Nja dy herë më mori me vete një shok dhe shkova edhe unë në atë klub të “elitës” intelektuale. Dhe ç’pashë atje? Një rreth kozmopolitësh, arrogantësh e mendjemëdhenjsh. Ishte diçka e neveritshme t’i shihje kur hanin kek e pinin çaj me mënyra “aristokratike” e me naze si damat në sallone. Atje dëgjoje të fliteshin lloj-lloj gjuhësh, sipas klaneve dhe shqipja flitej përzier me fraza të tëra në gjuhë të huaja, ashtu siç kemi lexuar tek Tolstoi për aristokracinë ruse, e cila përziente rusishten me frëngjishten. Në këto rrethe flitej për “politikë të madhe” e bisedohej për artin. Aty dëgjoje gjykime të dhëna me një “kompetencë absolute” për Çambërlenin, për Tituleskun, për Hitlerin, për “Zarathustrën” e Niçes, për “Faustin” e Gëtes, për Nibelungët, por asnjë fjalë nuk flitej për mjerimin e fshatarit të Myzeqesë, që e rripnin Zogu, Vrionët e Vërlacët dhe e vdiste malarja”. Në pyetje nuk mund ta lësh pa e bërë: Çfarë kërkon Enver Hoxha në këto mjedise të mbushura me ministra dhe figura të tjera të larta të jetës publike? Mbetet i pabesueshëm se ka shkuar atje thjesht për kërshëri, sepse as edhe vetë nuk e pohon këtë motiv. Ka shkuar për t’i sfiduar politikisht, ngarë me ta ndonjë debat? As këtë nuk e deklaron. Enver Hoxha i para pushtimit fashist ka hyrë e ka dalë në atë mjedis, ku pa asnjë arsye nuk mund të depërtosh dot, siç thotë ai, “nja dy herë” (çfarë është një shprehje dredharake për të nënkuptuar edhe tri apo edhe më shumë raste), sepse është përpjekur të gjejë lidhje për t’u kapur në karrierë. Nuk i ka ecur. Nuk ja kanë varur. Mbase nuk qe çasti i tij.  Siç kemi thënë më sipër kushtet për realizimin e kësaj ambicieje Hoxhës iu krijuan pas 7 prillit 1939.

Burgosja dhe internimi i njëmijë patriotëve shqiptarë

Kjo ndodhi pas 7 prillit 1939. Për të kuptuar më mirë sa e vyer është kjo e dhënë do t’i drejtohemi një relacioni të shefit të Shtabit Madhor të Ushtrisë Italiane, Mareshallit Badolio.

Është përpiluar në 29 qershor 1939, pas një inspektimi të kryer gjatë një jave në Shqipëri (ditët 19-26 të këtij muaji). Në kapitullin përmbyllës, “Konkluzione”, shefi i Shtatmadhorisë së Ushtrisë Italiane mes të tjerash shkruan se “Shumica e popullit shqiptar është me ne, edhe pse në të vërtetë ndodhet në gjendje pritjeje, shumë a pak mosbesues, duke hamendësuar përfitimet që mund të nxjerrë nga regjimi i ri: por nuk mungojnë rrymat kundër nesh, veçanërisht mes intelektualëve, e nxitur dhe e ushqyer nga propaganda, gjë që e kemi parashikuar, e shteteve armiq, të cilët shfrytëzojnë me shkathtësi fanatizmin fetar, nostalgjinë për regjimin e shkuar etj”.

Badolio konfirmonte atë që Konti Çiano pati gërvishtur në ditarin e tij pesë ditë pas pushtimit, pra dy muaj e gjysmë më herët nga relacioni. Ministri i Jashtëm italian vinte në dukje se disa shqiptarë, veçanërisht nxënës të shkollave të mesme, kur duhej të bënin përshëndetjen romane, e çonin krahun lart me përdhunë. Të tjerë, shënonte ai, nuk pranonin ta ngrinin fare. Një muaj më vonë, në fund të majit, Çiano pranon se “ekziston një trazim i madh në sferat intelektuale të Shqipërisë“.

Mungon gjithandej emri i Enver Hoxhës

Kjo frymë e lartë mospajtimi me gjendjen e re, e cila ishte pamje e qartë e pakënaqësisë së përgjithshme dhe aspak e vetëm disa intelektualëve dhe të rinjve, siç dëshmohet nga vetë të pësuarit, italianët, vepronte në mënyrë të vazhdueshme në muajt prill, maj dhe qershor 1939.

Kjo qe edhe periudha e kur Mëkëmbësi Françesko Jakomoni (2 qershor) nxori dekretin e çarmatosjes dhe dha vetëm 30 ditë afat. Në 3 qershor Jakomoni shpalli edhe një dekret tjetër të posaçëm. Ai i detyronte të gjithë nëpunësit të betoheshin për besnikëri ndaj monarkut Viktor Emanuele III dhe trashëgimtarëve të tij mbretërorë. Po të mos e zbatonin do të pushoheshin nga puna. Me sa duket inspektimi i ekipit të mareshallit Badolio pati vërejtur një teprim të masave shtrënguese përderisa në relacionin e tij tërhiqte vëmendjen me fjalët “Problem, i cili duhet zgjidhur me mjaft kujdes është ai i pastrimit të kuadrove. Eliminimi i tyre që duket se arriti masën e 50 përqindëshit, na duket i tepruar dhe shkakton pashmangshëm rritjen e radhëve të të pakënaqurve dhe të kundërshtarëve të regjimit, do të shtojë njerëzit dhe grumbullimet e atyre të cilët, të fshehur nëpër male, do të përdorin armët”.Ushtaraku i vjetër, gjithsesi me bindje fashiste, nuk gabonte, por në Tiranë nuk ndaleshin. Në 13 korrik, nën drejtimin e një gjenerali italian, u formua komisioni “Për gjurmimin e personave të dyshimtë për regjimin”. Mes shumë emrave që në verë dhe vjeshtë 1939 do të goditen prej aparatit represiv fashist, një pjesë po i paraqitim më poshtë. Gjithsecili lexues mund ta pikasë vetë se si komunistët nuk përbëjnë forcën kryesore organizative të rezistencës ende pa armë, por gjithsesi me forma të shumta aktive. Lista e studentëve shqiptarë në Itali të ndëshkuar nga Komisioni Qendror i Internimeve ka edhe Abdyl Këllezin apo Skënder Cacin, të lidhur me ideologjinë e ekstremit të majtë, por përmban edhe Ahmet Jegenin, i cili përfaqëson një mendësi politike të anasjellë. Ndërkaq në Tiranë dosjet e policisë janë të mbushura me materiale akuzuese për persona të paangazhuar dukshëm ideologjikisht, si Ramiz Ibra, Ali F. Kosturi, prof. Mehmet Vokshi, Jonuz Blakçori, Ismail Petrela, mësuesit Ramazan Jarani dhe Musa Krajni. Me motivacionin “Për arsye politike si kundërshtarë të regjimit në fuqi” janë pushuar nga puna dhe internuar po ashtu profesorët Vasil Germenji, Selman Riza, Qani Panariti, Ismail Dërhemi, Virgjinia Merdani, Rakip Bekteshi.

Në Shkodër: Safet Butka, Tefik Gjyli, Ibrahim Dizdari, Angjelin Leka, Refik Shpuza, Ethem Osmani, Mehmet Gjyli, Shefqet Kraja, Lazër Sekaj dhe Mrika Xhoxha. U arrestuan po ashtu Minella Karajani, Hasan Tabaku, Nexhat Peshkëpia, Faslli Frashëri, Llazar Fundo, Aleks Buda, …

Mund të rreshtosh edhe me dhjetëra të tjerë të shpallur të rrezikshëm për regjimin, por emrin e Enver Hoxhës nuk e gjen gjëkundi. Mungon gjithandej.

Për të themeluar Partinë Komuniste pse shqiptarët nuk u lidhën me italianët dhe grekët

Njeriu që kemi zgjedhur për t’i parë ngjarjet e kohës prej një këndi të veçantë, Panajot Plaku, është një komunist i hershëm shqiptar, i mobilizuar që në vitin 1936, kur hyri në Grupin e Korçës. Ky dëshmitar “ekstra” i shumë ngjarjeve që zënë fill këtë çast, tek “Dhuna ndaj revolucionit në Shqipëri” paraqet mendimin se “Në fillim të vitit 1937, kur ende nuk ishte konsoliduar plotësisht Grupi i Shkodrës, prej Kominternës (Kongresit VII të Internacionales së Tretë) arriti direktiva që të shpërndahen të gjitha grupet, e vetëm pas një pune shumëvjeçare të formohet partia (në atë kohë u shpërndanë PK e Polonisë dhe disa parti të tjera). Natyrisht, një direktivë e këtillë jo vetëm që nuk i ndihmoi konsolidimit të lëvizjes komuniste në Shqipëri, por ishte pengesë për zhvillimin e saj të mëtejshëm. Kërkesën e Kominternës nuk e pranoi asnjë grup komunist, me përjashtim të atij të Korçës. Kështu, ky grup më i mirë komunist i Shqipërisë-për shkak të një direktive të gabueshme të Kominternës-u pasivizua dhe u shpërnda.

Me qenë se mbetën pa rezultat të gjitha përpjekjet e komunistëve të Shqipërisë për ta formuar PKSh-në, në fillim të vitit 1939 Kominterna mori qëndrim që ta ndihmojnë formimin e saj komunistët italianë. Mirëpo, me qenë se Italia ishte okupatore e Shqipërisë dhe për shkak se ishin heterogjene kushtet e veprimit të komunistëve në Shqipëri dhe në Itali, u vendos që PK e Jugosllavisë ta ndihmojë procesin e formimit të PK të Shqipërisë. Kah gjysma e vitit 1939, Komiteti Qendror i PK të Jugosllavisë mori vendim për t’u ndihmuar komunistëve të Shqipërisë.

Sekretari i Komitetit Krahinor të PKJ për Kosovë e Metohi, Milladin Popoviçi, mori prej shokut Tito direktivë që të analizohet çka mund të ndërmerret për t’u ndihmuar komunistëve të Shqipërisë. Milladin Popoviçi i mori këto direktiva në Zagreb, ku gjendej në atë kohë Josip Broz Tito. Atij i shkoi për dore të vërë lidhje me Grupin e Shkodrës, kështu që përfaqësuesit e tij Fadil Hoxha dhe Emin Duraku erdhën në vitin 1939 në Komitetin Krahinor të PKJ për Kosovë e Metohi, prej të cilit morën një sasi të caktuar materiali. Me qenë se pas një kohe të shkurtër nazistët e sulmuan Jugosllavinë. Milladin Popoviçi u internua në Shqipëri. Pastaj, në bazë të direktivës së mëparshme të shokut Tito, Komiteti Krahinor i PKJ për Kosovë e Metohi vendosi që ta dërgojë në Shqipëri-për të ndihmuar në formimin e partisë komuniste-anëtarin e vet Dushan Mugosha. Shoku Mugosha kaloi ilegalisht në Shqipëri, në Tiranë. Në Shqipëri qëndroi gjatë shtatorit 1941 dhe arriti të vërë kontakt me përfaqësuesit e Grupit të të Rinjve. Ndërmjet përfaqësuesve të këtyre grupeve komuniste (Koço Tashko e të tjerë) dhe përfaqësuesve të PK të Jugosllavisë u mbajtën disa takime fill pas okupimit të Jugollavisë. Dushan Mugosha dhe përfaqësuesit e grupeve komuniste  të Shqipërisë organizuan lirimin e shokut Milladin Popoviç nga kampi fashist i përqendrimit në Peqin, afër Elbasanit. Në takimin e përfaqësuesve të grupeve komuniste të Shqipërisë dhe të përfaqësuesve të PKJ u vendos që të mbahet në nëntor 1941 konferenca e përfaqësuesve të të gjitha grupeve komuniste për ta formuar Partinë Komuniste të Shqipërisë. Në shënimet e veta për ato ditë shoku Mugosha shkroi: “Bisedat me këto grupe zgjatën dhjetë deri njëzetë ditë. Shkonim prej një mbledhjeje ilegale në tjetrën”.

Vera dhe vjeshta e vitit 1941, pra periudha e menjëhershme pas sulmit hitlerian kundër Bashkimit Sovjetik, 22 qershorit, duke qenë vendimtarja për hedhjen e themeleve të PKSh-së së ardhme, do të përmbante edhe një rrethanë kyçe: cilët do t’i ndihmonin komunistët shqiptarë ta ngrinin në këmbë strukturën e tyre bashkuese, italianët apo ata jugosllavë?

E informojmë lexuesin se për ndonjë rol kontribues të Partisë Komuniste Greke prej historianëve nuk është folur. Me sa duket kjo parti e krijuar në 1918, me jetë të përhershme në kushtet e ilegalitetit, në vitin 1936, me fillimin e diktaturës fashiste të gjeneralit Metaksa, u godit rëndë nga një fushatë e pandërprerë arrestimesh, burgimesh, internimesh dhe dëbimesh nga vendi.

Në pranverë 1941 Greqia u pushtua nga gjermanët dhe PKG kaloi në luftën e maleve.

Ndërkohë ka shumë të ngjarë që komunistët shqiptarë nuk lëvizën në këtë krah, sepse nuk qenë të prirë, për arsye ndjenjash kombëtare, t’i krijonin këto lidhje.  Grupi i tyre i Korçës, i cili qe gjeografikisht fare afër këtij fqinji jugor, asnjëherë nuk u përpoq për të kryer një veprim të tillë. Sidoqoftë është Enver Hoxha që mendon se këtë kohë ka vepruar një lob komunist (“trockist” i thotë ai) filogrek. Bëhet fjalë për grupin “Zjarri”. Sipas tij dhe historiografisë zyrtare të kohës, shefi i këtij lëmshi të vogël qe Andrez Zisi. Ky deklaronte se drejtonte jo një grup, por vetë Partinë Komuniste Shqiptare, e cila njihej nga Kominterni. Sipas Zisit. ajo qe themeluar në Athinë në vitin 1936. Sidoqoftë kjo alternativë greke e ndihmës nuk ka konkurruar realisht, madje edhe nuk duket se ka ekzistuar. Për sa del nga leximi i dokumenteve të kohës, ajo italiane duhet të ketë qenë prirje e parë e komunistëve shqiptarë. Kahja jugosllave, për të njëjtën arsye të sensibilitetit nacional, rezulton si mundësia e dytë. Ose e vetmja e mbetur. E keqja më e vogël. Vëmë në dukje se bolshevikët e viseve tona këto kontakte, italianët apo jugosllavët, i kërkonin jo për ta nisur e mbyllur aty lidhjen. Ata synonin që nëpërmjet tyre t’i aviteshin Moskës, pikave takuese me Kominternin.

Protesta në mes të kryeqytetit atë 28 tetor 1941 Qe më shumë se simbolike. Ishte përvjetori i nëntëmbëdhjetë i “Marshimit mbi Romë”, kur mbi dhjetë mijë fashistë, me në krye Benito Musolinin, shkuan drejt kryeqytetit italian dhe i kërkuan mbretit Vittorio Emmanuele III t’u jepte pushtetin, ndryshe do ta merrnin me dhunë. Monarku u tremb dhe u dha të drejtën të krijonin qeveri. Nxitës të demonstratave në atë 28 tetor qenë komunistët e grupeve kryesore, sipas një vendimi të tyre të marrë bashkë me Miladin Popoviçin për të organizuar protesta në përgatitje të atmosferës bashkuese dhe luftarake në prag të themelimit të partisë së tyre.  Njëzetë e tetë tetori qe edhe përvjetori i parë i pushtimit të Greqisë nga gjermanët. Kështu ajo ditë kundërshtimi ishte zgjedhur në mënyrë shumë të qëlluar, e përshtatshme të shkarkonte të gjithë urrejtjen ndaj pushtuesit. Enver Hoxha zgjedh këto fjalë për ta shpjeguar: “Vendosëm të bëhej demonstrata dhe të fillonte nga kinemaja «Rex», ku fashistët do të mbanin fjalimin e rastit. Kinemanë do ta mbushnim plot me njerëzit tanë, të cilët, me t’u hapur mbledhja, do të fillonin të hidhnin parullat: «Poshtë fashizmi!» etj., do të thyenin fronat dhe do të dilnin nëpër rrugë, duke bërtitur me parulla antifashiste e duke kënduar këngë patriotike. Jashtë do të prisnin shokë të tjerë dhe patriotë. U vendos që secili grup të bënte punën e vet për të shkuar në demonstratë si një trup i vetëm, dhe u ndamë”. Paragrafë më poshtë thotë: “Demonstrata u bë e madhe, e fuqishme, e furishme, ashtu siç e kishim parashikuar. U përleshëm e u gjakosëm me karabinierinë dhe me milicinë fashiste”. Vijon pak më vonë: “Që të nesërmen u detyrova të hidhesha në ilegalitet. Ka edhe kjo historinë e vet”. Dhe shton: “Në mëngjesin e 29 tetorit në «Flora» ia behën karabinierët. Dy prej tyre, krekosur me rripa meshini kryq e tërthor kraharorit e me këllëfët e revolverëve të hapur, hynë brenda, të tjerët qëndruan jashtë. Vetëm ato çaste e ndiem se ç’gabim të madh kishim bërë. Kishim menduar se në rrëmujën e madhe të përleshjes së djeshme, në mes atyre qindra e mijëra demonstruesve që tundën Tiranën, fashistët nuk na kishin identifikuar. E ja ku tani, thuajse të gjithë ne «punëtorët» e «Florës» ndodheshim përpara çarkut të tmerrshëm.

Lexo edhe :  USS George Washington, nëndetësja që ndryshoi ekuilibrin bërthamor

– Enver Hoxha! – thirri njëri nga karabinierët. – Dove é Enver Hoxha?!

Pilos e Ilo Dardhës, që ndodheshin në banak, u ngrinë pecetat në duar. Pasoi një çast heshtjeje, por unë ndërkaq e mblodha veten dhe, që nga arka e «pronarit ortak», zgjata kokën e gjithë “xhentilecë” provova të vetmen mundësi që mund të provohej: – Ja, këtu brenda është, prisni, ju lutem, ta lajmëroj, – u thashë me zë të qetë e me gjeste të një «gatishmërie» kaq shembullore, sikur mezi prisja rastin t’u bëja pepinove një shërbim të çmuar! Kisha goditur në shenjë. Më besuan. Hyra në pjesën e brendshme të dyqanit, duke thirrur me zë të lartë, «Enver, të kërkojnë», hapa me shpejtësi deriçkën e pasme, të çelur apostafat për raste të tilla, u lëshova në një rrugicë të ngushtë, kapërceva në oborrin e një plake të vetmuar dhe prej andej, duke i rënë mes për mes «lagjes së çobanëve», përshkova «i qetë», por me sytë katër bulevardin e madh. Pas disa çastesh kur hyra në lagjen popullore, matanë bulevardit, u binda se fashistëve vetëm emri u kishte mbetur në duar. I dhashë lamtumirën “Florës” së shtrenjtë, dyqankës sonë modeste, ku për afro dy vjet me radhë legalisht shitnim cigare e sallame, kurse ilegalisht përgatiteshim për revolucionin”.

Burri trupmadh në mes të demonstratës

Urdhri për arrestimin e Enver Hoxhës i është dhënë me shkrim policisë dhe karabinierisë në 15 nëntor, pra më shumë se dy javë më pas nga episodi i rrëfyer si i ndodhur në “Flora”.

Po ashtu dallohet se si është fshehur tërësia e shkresës dhe i të gjithë emrave të tjerë, çfarë është një dhunim i rëndë i vërtetësisë së dokumentit. Njëkohësisht tre rreshtat e shkruar për Hoxhën janë montuar duke mbajtur të padukshëm numrin rendor. Megjithatë kuptohet se nuk është i pari në listën e prangimeve. Atë që ka kryer realisht Hoxha në demonstratën e 28 tetorit dhe të cilën nuk e thotë, pra nuk e përcakton, do ta shohim nëpërmjet dy dëshmive të rëndësishme: të bashkëshortes, Nexhmijes, dhe të pasardhësit të tij politik, pas vdekjes në 1985, Ramiz Alisë.

Nexhmija do të takohej për herë të parë me Enverin vetëm në 23 nëntor 1941, dy javë pas krijimit të PKSH-së, ndërsa do të qenë të dy në mbledhjen themeluese të Rinisë Komuniste.

Në ditën e protestës së fundtetorit, doemos, ajo nuk e njeh, madje as e ka parë ndonjëherë.

As dëgjuar. Ishte totalisht një i panjohur.  “Aty pashë, – ka shkruar Nexmije Hoxha, – një burrë trupmadh, që dallonte një kokë mbi të rinjtë që e rrethonin, të shkëpuste me forcë një të ri nga duart e një milici. Cili qe vallë?  Pranë meje u ndodh Meli Dishnica, e motra e Esat Dishnicës, e cila nuk linte demonstratë pa marrë pjesë. E pyeta: “Kush është ai?”  Më tha se ishte një profesor nga Korça, që e kanë pushuar nga puna dhe tani ka ardhur në Tiranë, shet cigare në një lokal këtu afër. “Si e quajnë?” e pyeta. “E quajnë Enver Hoxha”, më tha”.

Ky rrëfim i Nexhmijes nuk të lë përshtypjen se ka ndonjë element falsifikimi. Veprimi që E.H. ka kryer ishte se, kur një milic pati kapur një të ri, ai kishte ndërhyrë dhe shkëputur nga duart.

Qe pikërisht ky veprim spektakolar, i cili ia rriste pikët Hoxhës jo vetëm para nxënësve të shkollave, por mbi të gjitha para komunistëve të tre grupeve që e patën organizuar posaçërisht atë manifestim. Por ndërsa Nexhmija veprimin e Enverit nuk e çon më tej se shkëputja me forcë krahësh të një të riu, rënë në duar milici, i cili sigurisht do ta dërgonte në kuesturë, Ramiz Alia bën një përshkrim tjetër.  Është edhe më i hollësishëm. Ai ka qenë pjesëmarrës në demonstratë. Tek libri “Jeta ime” shkruan: “28 tetori ishte përvjetori i festës kryesore fashiste, ai i Marshimit mbi Romë të Musolinit. Hierarkët fashistë të Tiranës, kishin menduar që në Kinema “Nacional” (pas çlirimit u quajt kinema “17 Nëndori”) të organizonin një veprimtari festive.  Për këtë qëllim, na çuan atje të gjithë neve, nxënësit e gjimnazit, por festa fashiste dështoi plotësisht. Kur në tribunë dolën zyrtarët fashistë për të filluar ceremoninë e tyre, nxënësit e gjimnazit filluan të këndonin këngë patriotike dhe të hidhnin parulla kundër fashizmit. Policët, që erdhën me shpejtësi, u përpoqën të vënë rregull duke larguar nga salla disa nxënës. Por nuk ia arritën qëllimit. Nxënësit, pasi u përleshën me policinë, dolën nga salla duke lënë të vetëm në tribunë hierarkët fashistë dhe, të bashkuar, u drejtuan nga rruga e Barrikadave. Kështu filloi demonstrata e parë e madhe. Gjatë rrugës së Barrikadave, me ne, nxënësit e gjimnazit, u bashkuan edhe vajzat e Institutit “Nëna Mbretëreshë. Të gjithë së bashku, nëpërmjet rrugës “28 Nëntori” (rruga e Sahatit) dolëm në sheshin “Skënderbej”.  Gjithë rrugës, demonstruesit këndonin këngë patriotike dhe lëshonin parulla kundër pushtuesve fashistë. Kënga e njohur “Eja, mblidhuni këtu, këtu” ishte thirrje që nxiti shumë qytetarë, punëtorë, zanatçinj dhe tregtarë të mbyllnin dyqanet dhe të bashkoheshin me demonstratën. Kështu, demonstrata që filloi me disa qindra djem e vajza shkollarë, u shndërrua në një grumbullim të madh, prej disa mijëra pjesëmarrësish. Natyrisht, në këtë fluks të madh njerëzish, ndikoi edhe fakti se autoritetet fashiste dhe policia e tyre u kapën në befasi, prandaj fillimisht nuk ndërmorën asnjë veprim për ta ndalur protestën. Organizatorët e demonstratës e kishin menduar mirë zhvillimin e saj. Për të prekur edhe më tej ndjenjat patriotike të pjesëmarrësve, vargu i madh i njerëzve, pasi kaloi nga sheshi “Skënderbej” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, u drejtua në rrugën e Kavajës, atje ku kishte zyrat Drejtoria e Shtypit e qeverisë fashiste. Ato ditë, kjo Drejtori kishte nxjerrë në qarkullim një kartolinë të një fashisti italian me emrin Kordiliano, e cila ishte shumë fyese për popullin shqiptar. Me përmbajtjen e kësaj kartoline ishin njohur shumica e demonstruesve, prandaj vajtja para zyrave të këtij institucioni fashist, i ndezi edhe më shumë gjakrat. Ndërkohë, policia dhe karabinieria fashiste, kishin bërë përgatitjet për t’i dhënë fund demonstratës. Sapo grumbulli i njerëzve, që kthehej nga rruga e Kavajës, u përpoq të futej në sheshin “Skënderbej”, përpara tyre dolën karabinierët e policët, të cilët kërkuan që demonstrata të shpërndahej. Por tashmë gjakrat ishin ndezur. Aty filloi përleshja. Neve, të rinjve, menjëherë na ra në sy një burrë i gjatë, i cili i pari iu drejtua komandantit të grupit të karabinierëve dhe me një grusht të fortë, e rrëzoi atë përdhe. Ishte Enver Hoxha, të cilin shumë nga nxënësit e klasave të larta të gjimnazit e njihnin, sepse e kishin pasur profesor të gjuhës frënge. Ky veprim i dha kurajë demonstruesve, të cilët u futën në përleshje me fashistët italianë”. Në dëshminë e Ramiz Alisë do të ndalemi këtu, edhe pse për një paragraf të tërë më pas ai përshkruan hollësi të tjera të protestës së 28 tetorit, madje rrëfen edhe gjendjen e një ashpërsimi më të madh mes të dy palëve.

“Komunisti i rrezikshëm”

Po e shohim këtë ngjarje edhe nëpërmjet dy këndeve të tjera, në thelb të njëjtë, por të realizuar në periudha të ndryshme.  Tek vëllimi i dytë i “Historia e Shqipërisë”, 1965, thuhet se udhëheqës i asaj demonstrate ishte Enver Hoxha. Në frazën pasardhëse shkruhet se pas saj “organizatori kryesor i kësaj demonstrate, Enver Hoxha, i ndjekur nga fashistët, u detyrua të hidhej në ilegalitet dhe të vazhdojë veprimtarinë e tij. Autoritetet fashiste e dënuan me vdekje në mungesë”.Sigurisht asgjë e tillë nuk është e vërtetë. Ndoshta ky teprim e ka vënë në vështirësi Hoxhën dhe që ta mbante të përhapur këtë legjendë e njëkohësisht të mos komprometohej, në 1981, kur i takonte që tek “Kur lindi Partia” ta rrëfente si qe e vërteta, vuri në mes fjalinë e përgjithshme dhe dredhrake “U përleshëm e u gjakosëm me karabinierinë dhe me milicinë fashiste” Enver Hoxha qe ende gjallë, 1984, kur kanë dalë njëri pas tjetrit katër vëllimet e fryra me 3108 faqe të “Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar”.

Ishte përgatitur nga Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH-së, me drejtoreshë bashkëshorten e tij.  Për demonstratën e 28 tetorit në faqen 221 të vëllimit të parë ka kapitull të veçantë. Teksti përfshin edhe këtë interpretim, ku kemi bërë disa shkurtime të parëndësishme: “Aksioni i parë me forca të bashkuara i organizuar me propozimin e shokut Enver Hoxha, udhëheqës i degës së Grupit të Korçës në Tiranë, ishte demonstrata e madhe….

Drejtimin e demonstratës e mori shoku Enver Hoxha. Demonstrata zuri fill në kinemanë “Rex”…

Organizatorët e demonstratës kishin udhëzuar nxënësit që të merrnin pjesë në këtë mbledhje dhe të bënin çmos që ta sabotonin… Në orën 9 të mëngjesit, kur filloi mbledhja, kumbuan parullat antifashiste dhe këngët patriotike. Autoritetet qeveritare urdhëruan nxënësit të dilnin jashtë, por morëm si përgjigje parulla të tjera si “Poshtë fashizmi!”, “Poshtë tradhtarët!”, “Rroftë Shqipëria!”, “Ja vdekje, ja liri!” Kënga e fuqishme e maleve dhe e trimave shqiptarë: “O djem rrëmbeni pushkët, ja vdekje, ja liri”, që buçiti nga të katër anët e sallës, e mbyti plotësisht zërin e gjeneralit fashist, që kërcënohej nga tribuna. Ndërkohë, në sallë vërshuan forca të shumta të karabinierisë, të cilat qëndronin në gatishmëri e prisnin vetëm urdhrin për të ndërhyrë. Në sallën e kinemasë filloi në përleshje e vërtetë. Pasi dolën nga kinemaja, nxënësit dhe një mori e madhe njerëzish, që prisnin jashtë dyerve me flamurin kombëtar në krye, u derdhën nëpër rrugët e  kryeqytetit… Demonstruesit kaluan nëpër rrugën që sot quhet rruga e Barrikadave dhe në rrugën “8 Nëntori”, pastaj dolën në sheshin “Skënderbej”. Para Drejtorisë së Përgjithshme të Shtypit, Propagandës dhe Turizmit demonstruesit protestuan… Kur turma ndodhej prapë në sheshin “Skënderbej”, filloi përleshja me forcat e karabinierisë dhe të policisë. Thirrjes së fashistëve për t’u shpërndarë, demonstruesit iu përgjigjen me ….gurë, me copëra dërrasash dhe me çmundën të gjenin aty për aty u sulën kundër karabinierëve e policëve. Në qendër të kësaj përleshjeje ndodhej vetë organizatori dhe udhëheqësi i demonstratës Enver Hoxha. Ai nuk jepte vetëm udhëzime dhe këshilla, por merrte pjesë drejtpërsëdrejti në përleshje. Në një çast, kur një nënkolonel italian iu vërsul një demonstruesi, duart e fuqishme të Enver Hoxhës e mbërthyen oficerin fashist dhe e shtrinë përtokë. U turrën për të shpëtuar nënkolonelin dhe për ta arrestuar njeriun që e vuri poshtë, grupe ushtarakësh armiq. Por ata u ndeshën përpara një barrikade të vërtetë trupash të rinjsh, nxënës e punëtorë. U plagosën shumë vetë nga të dy palët. Forcat e shumta të karabinierisë dhe të policisë ia arritën të veçojnë dhe të arrestojnë 4 pjesëtarë të demonstratës, por demonstratën nuk e shpërndanë dot, as shokun Enver Hoxha s’mundën ta kapnin”. Rrëfimi i ngjarjes vijon edhe më tej, por dëshirojmë të tërheqim vëmendjen e lexuesit me faktin se edhe këtu, midis fjalëve të fryra dhe plot ton propagande, është vendosur varianti i Nexhmijes, i cili nuk e ka goditjen me grusht. Thjesht gjesti i Hoxhës është zmadhuar nga shkëputje e të riut prej duarve të oficerit italian deri në shtrirjen e këtij të fundit përtokë. Por ky zgjatim patetik bie ndesh me dëshminë e Ramiz Alisë. Në të vërtetë në dokumentet e lëna prej italianëve nuk ka asnjë rresht për çfarë ka kryer Enver Hoxha në atë manifestim të 28 tetorit. Veprimet e përleshjes mes dy palëve kanë qenë të shumta, sigurisht edhe më trimërore nga ajo e atij që e kishte të llogaritur për karrierë politike. Ka një shkresë të firmosur prej prefektit të Tiranës, datuar 5 nëntor 1941, në të cilën thuhet: “Në hyrjen e kryeministrisë turma u ndal. Aty u foli butë nënsekretari i Partisë Kombëtare Fashiste Z. Kolë Biba dhe vetë kryetari u Këshillit të Ministrave, por studentët vazhduan qëndrimin e tyre duke thirrur “Policë e karabinierë! Hidhni armët”, “Rroftë Shqipëria e lirë!”, “Duam flamurin e vjetër!”, duke e cilësuar nënsekretarin dhe kryeministrin “Largohu feudal!” Kur kryeministri dhe nënsekretari u kthyen në zyrat e kryesisë, studentët tentuan të hynin në pallat, por në këtë rast ndërhyri forca e karabinierisë dhe e agjentëve dhe i shpërndau demonstruesit”. Tek “Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar”, 1984, i përgatitur nga Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, theksohet: “Fashistët e shpërndanë me egërsi demonstratën dhe filluan arrestimet në masë. Ata u përpoqën të arrestonin në radhë të parë Enver  Hoxhën, organizatorin kryesor të demonstratës, por atë s’e kapën dot. Që nga ajo ditë ai kaloi në ilegalitet. Pushtuesit i vazhduan përpjekjet për ta shtënë në dorë “komunistin e rrezikshëm”. E dënuan me vdekje në mungesë. Shpërndanë fotografinë e tij në çdo zyrë të ushtrisë, karabinierisë, të policisë, të milicisë fashiste dhe të prefekturave, me urdhër që të kapej me çdo kusht. Por shokun Enver Hoxha, si të gjithë ilegalët e tjerë komunistë, i mbronte populli”.

 

Të fundit

Italia i jep “lamtumirën” Spallettit, Azzurrit marrin pikët e para në kualifikueset

Këtë të hënë u zhvilluan disa nga ndeshjet kualifikuese të Botërorit. Italia mori 3 pikët e para në grup,...

METODA: Si autoritetet italiane mund të zbardhin vrasjen mafioze të 45 viteve më parë

Hetuesit e Prokurorisë së Palermos, në Itali, kanë zgjedhur teknologjitë e reja për të nxjerrë ADN-në nga një gjurmë e gjetur 45 vjet më...

Barcelona godet në merkato, Lewandowski i dytë kushton… zero euro!

Edhe pse Robert Lewandowski mbetet ende një "makineri" golash pavarësisht moshës së tij, te Barcelona po punojnë në fshehtësi dhe me zgjuarsi për të...

2 km nga kufiri me Serbinë, Kurti inaguron stacionin e ri policor në Zveçan

Vetëm dy kilometra larg kufirit me Serbinë, sot është përuruar objekti i ri i Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit në Izvor të Zveçanit. Në...

Kujt i leverdis rinumërimi në Tiranë dhe Fier? Edhe Ramës, edhe Berishës

Pas zgjedhjeve të 11 majit, Shqipëria po hyn sërish në një fazë tensioni elektoral, këtë herë jo përmes kutive të votimit, por përmes rinumërimit...

Lajme të tjera

Web TV