Ish-sekretari i Përgjithshëm i PD-së zyrtare, Gazmend Bardhi dhe 18 deputetë që dikur përkrahnin Bashën, u bashkuan me “Grupimin Berisha”. Cila pritet të jetë lëvizja e Bardhit me të tijët dhe synimet që kanë mes dilemës për të njohur Berishën kryetar, edhe pse ai është i shpallur “non grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe.
Në betejën e numrave në Parlament brenda kampit opozitar, i fituar duket se doli Sali Berisha, teksa qëndroi në pritje dhe “dezertorët” e palës tjetër i akomodoi mirë, por ndoshta me një haraç që mund të mësohet shpejt në të ardhmen. Grupimi i Sali Berishs tashmë numëron 44 deputetë të bashkuar, numri ishte më i vogël, rreth 21 deputetë ishin të qëndrueshëm pranë Berishës dhe pjesa tjetër qëndronte me grupimin Basha. Kjo situatë deri në në korrik të këtij viti kur Lulzim Basha bëri zgjedhje në PD-në zyrtare dhe sikurse pritej e fitoi pa asnjë mund kryetarllëkun. Pikërisht ky veprim i Bashës solli reagimin e ashpër të Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së Gazmend Bardhi i cili bashkë me 19 deputetë i trokiti në derë Sali Berishës, I cili jo vetëm e “hapi” por i priti mjaft mirë. Basha në Parlament ka mbetur me vetëm 11 deputetë besnikë, çka e bën edhe më të vështirë beretjën e tij parlamentare, por edhe aq qetë Sali Berisha nuk mund të qëndrojë…
Me moral, apo shitje numrash?
Edhe pse në dukje një absurditet, tashmë brenda PD-së mund të shihen tre e më shumë rryma. Ata që përkrahin Berishën, të tjerë që përkrahin Bashën dhe ata që mbështesin Bardhin, pa harruar edhe një numër të madh që në këtë situatë kacafytjesh nuk janë me asnjërin, ndonëse mbesin elektorat i djathtë. Gazmend Bardhi dhe Sali Berisha deri para gjashtë muajsh ishin në një përplasje të fortë, duke e akuzuar edhe njëri tjetërin deri për “nxitës vrasjesh”; “Babi Zenit”, apo edhe “ai i shoqatës”… Të gjitha janë sheshuar kur Bardhi shkoi me një “pajë” jo të vogël, ku e ndiqnin 18 deputetë. Publikisht si nga Berisha ashtu edhe nga Bardhi u tha se kjo nismë është për forcuar opozitën dhe për të mbajtur një qëndrim të unifikuar në Parlament. Bardhi me deputetët “qejfbetës ndaj Bashës”, tashmë janë nën oazin e Berishës, por ende nuk janë shprehur nëse e duan Berishën kryetar sidomos për faktin se është I shpallur “non grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe. I pyetur për pozicionimin e tij krah Sali Berishës, i shpallur tanimë ‘Non Grata’ nga SHBA dhe Britania e Madhe, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, theksoi se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga qëndrimet dhe parimet e tij. “Unë nuk kam hequr dorë nga parimet e mia, sikundër dhe Berisha nuk ka hequr dorë nga qëndrimet e tij. Mes SHBA-ve, Britanisë së Madhe apo BE, apo cilido emri të përveçëm unë do qëndroj krah tyre. Mes Sali Berishës dhe Edi Ramës, unë zgjedh Sali Berishën. Mes Sali Berishës dhe një lidershipi të ri të Partisë Demokratike, unë zgjedh një lidership të ri të Partisë Demokratike, por zgjedhja ime nuk mund t’i diktohet dikujt tjetër. Ky është mendimi im, qëndrimi im”-tha dje Bardhi në news 24. Sa i përket deklaratës së djeshme të Lulzim Bashës, i cili gjatë mbledhjes së Kolegjit të Kryetarëve iu drejtua duke i thënë ‘Udha e mbarë në bunkerin anti-amerikan’, Bardhi u shpreh se Basha nuk duhet të flasë si zëdhënës i ndërkombëtarëve, pasi kështu po i shërben një teze të rrezikshme, sipas tij. “Unë kam mendimin që z.Basha bën shumë gabim që flet si zëdhënës i partnerëve ndërkombëtarë në Tiranë, sepse në fakt është duke i shërbyer një teze të rrezikshme, sikur vendimmarrjen e partnerëve tanë strategjikë kanë qenë një ndërhyrje e Edi Ramës për të shkatërruar opozitën, një tezë që nuk përputhet fare me realitetin. Mbajtja ndezur e realitetit, sigurisht që po e dëmton opozitën dhe realisht po e çon drejt shuarjes.”- theksoi ai. Një tjetër lëvizje mund të jetë që Bardhi dhe “grupi i tij” të synojnë që të marrin “kalanë” e Berishës nga brenda, por nuk do të jetë aspak e lehtë. Disa zëra që mbështesin pa kushte Berishën janë shprehur se Bardhi dhe të tjerët janë të mirëseardhur në “Grupin e Rithemelimit”, por “duhet të njohin Berishën si kryetar i padiskutueshëm. Një tjetër lëvizje mund të jetë që Bardhi dhe të tijët që mori pas të synojnë vijimin politik dhe sidomos të jenë në listën e deputetëve në zgjedhjet e vitit 2025, duke bërë llogaritë se më shumë mundësi kanë pranë Berishës sesa pranë Bashës.