Shkeli ligjin për mbrojtjen e të dhënave të fëmijëve, TikTok gjobitet me 345 milionë euro

Child lying in hammock with Tik Tok app on smartphone screen. Lake in the background. Rio de Janeiro, RJ, Brazil. May 2022.

TikTok është gjobitur me 345 milionë euro për shkeljen e ligjeve të BE-së për të dhënat gjatë menaxhimit të llogarive të fëmijëve.

Mbikëqyrësi i të dhënave i Irlandës, i cili rregullon TikTok në të gjithë BE-në, tha se kompania kineze kishte kryer shkelje të shumta të rregullave të mbrojtjes së të dhënave, raporton Guardian.

U zbulua se TikTok kishte shkelur rregullat e mbrojtjes së të dhënave duke vendosur cilësimet e parazgjedhura të llogarisë së përdoruesve të fëmijëve në “publik”, d.m.th duke aktivizuar opsionet e komenteve publike, duke mos kontrolluar nëse llogaritë e fëmijëve janë të lidhura me llogaritë e prindërve të tyre dhe duke mos marrë parasysh rreziqet për përdoruesit nën 13 vjeç.

Komisioni i Irlandës për Mbrojtjen e të Dhënave (DPC) tha se përdoruesit e moshës 13 deri në 17 vjeç u drejtuan përmes një procesi regjistrimi në TikTok që çoi në publikimin e llogarive të tyre, që do të thotë se çdokush mund t’i shikojë dhe komentojë mbi to. Gjithashtu, opsioni i “lidhjes së familjes”, i cili i jep një të rrituri kontroll mbi cilësimet e llogarisë së fëmijës, nuk kontrollonte nëse ai i rritur ishte prind apo kujdestar.

DPC vendosi që TikTok, i cili caktoi moshën minimale të përdoruesit në 13, nuk mori parasysh rrezikun për përdoruesit e mitur që bëhen pjesë të platformës./E.Ç