Autori i armatosur ende i lirë/ Si është gjendja e efektivit të “Shqiponjave”

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme, kur inspektori Edlir Alleshi, pjesë e patrullës së forcave”Shqiponja” u plagos me armë zjarri nga Klerent Bozhanaj.

Mësohet se efketivi e ka kaluar rrezikun për jetën, teksa gjatë mbrëmjes iu nënshtrua një ndërhyrje mjekësore pasi plumbi në zonë e barkut i kishte prekur disa organe.

Sot ai ndodhet në pavion të spitalit të traumës, ku është vizituar nga kolegë dhe të afërm që kanë thënë se gjendja e tij është stabilizuar.

Ngjarja është regjistruar dje në zonën e Oxhakut në kryeqytet, ku dy patrulla kanë konstatuar një person të dyshimtë dhe kanë kërkuar të ndalojë për kontroll fizik pasi kishin marrë raportime se ishte i rrezikshëm.

Kur i ka kërkuar të ndalojë, Klerent Bozhanaj  nuk është bindur dhe është larguar me vrap duke detyruar policinë të vihet në ndjekje të tij.

Për të humbur gjurmët, ai është përgjigjur me armë dhe  kjo bëri që operacioni të ndërpritej.

Familjarët e tij ndërkohë janë shoqëruar në polici me qëllim që të dorëzohej apo të jepnin informacione të vlefshme. Ata kanë treguar se kohët e fundit ai ka paraqitur shenja depresioni, por nuk ka marrë ndihmë mjekësore për problemet që ka shfaqur.

Me anë të një njoftimi policia ka vënë dje në dispozicion 20 mijë euro që kushdo që e sheh të njoftoj policinë në numrin 112 për çdo informacion të vlefshëm dhe të mos marrë asnjë veprim ndaj tij./   S.M