Perla e Mesdheut/BIRN: Sa kushtoi fushata mediatike për promovimin turistik të Shqipërisë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ndonëse u deklarua se nuk ishte shpenzuar ‘asnjë cent’ për promovimin mediatik të Shqipërisë si destinacion turistik këtë vit, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se Ministria e Turizmit dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit paguan për dokumentarë si dhe akomodimin dhe ushqimin e gazetarëve dhe blogerëve të huaj.

TIRANË- Në fillim të shtatorit, anëtarë të kabinetit qeveritar u mblodhën në kinema “Millennium” për premierën e dokumentarit “Thesaret e Adriatikut- Shqipëri” të historianes dhe autores së njohur britanike, Bettany Hughes.

Në ceremoninë që i parapriu shfaqjes, ministrja e Kulturës, Elva Margariti e konsideroi atë “një promovim tjetër i Shqipërisë”, ndërsa ministrja e turizmit, Mirela Kumbaro theksoi që dokumentari ishte shfaqur në BBC dhe priste që të arrinte edhe ‘miliona e miliona shikues’.

Ajo që nuk u tha për publikun ishte fakti që dokumentari “Thesaret e Adriatikut” ishte pjesë e një fushate të Ministrisë së Kulturës për promovimin mediatik të turizmit këtë sezon veror dhe u mbështet me një fond prej 28.7 milionë lekësh.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit i thanë BIRN në përgjigje të kërkesave për të drejtë informimi se kishin shpenzuar rreth 61 milionë lekë së bashku për promocionin mediatik të turizmit brenda dhe jashtë vendit gjatë periudhës 2022-2023.

Përveç dokumentarit të shfaqur në BBC, Ministria e Turizmit tha se kishte mbështetur me 8 milionë lekë Fondacionin “Dritan Hoxha” për realizimin e emisionit “Pushime on Top 2023” dhe me 4 milionë lekë qendrën “Dritare” të gazetares Rudina Xhunga për realizimin e një cikli promovues me titullin “Shqipëri, ku tjetër!”.

Ndërsa Agjencia Kombëtare e Turizmit i tha BIRN se si institucion përgjegjës për promovimin e Shqipërisë, kishte mbuluar shpenzimet për akomodim dhe ushqim të blogerëve, gazetarëve dhe stafeve të produksionit që kanë promovuar Shqipërinë në vende të ndryshme si Francë, Gjermani, Serbi me një vlerë prej rreth 2.3 milionë lekësh në total.

Gjithashtu, Agjencia tha se kishte shpenzuar 7.7 milionë lekë për promovimin e aplikacionit “TEA- Tourism of Events Albania” si dhe 10.2 milionë lekë për pjesmarrjen në ITB Berlin – një ndër panairet më të mëdha të turizmit në botë.

Sipas Agjencisë, zbatimi i politikave të marketingut në fushën e turizmit kishin si qëllim “krijimin e imazhit të Shqipërisë si destinacion turistik në tregun ndërkombëtar”.

Dikur vendi më i izoluar i Europës, Shqipëria u kthye në një destinacion popullor turistik këtë verë, ndërsa dhjetra artikuj për “perlën e panjohur të Mesdheut” qarkulluan në mediat ndërkombëtare. Artikujt u shpërndanë më pas në faqet në Facebook të kryeministrit Edi Rama, ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë.

Sipas Ministrisë së Turizmit, 8.3 milionë vizitorë të huaj e frekuentuan Shqipërinë gjatë 9 muajve të parë të vitit – një sukses që sipas një interviste të ministres Kumbaro për gazetën italiane “La Repubblica”, nuk ishte shpenzuar ‘asnjë cent’ për promovim mediatik.

Promovimi përmes emisioneve televizive, platformave sociale apo fushatave të marketingut janë një praktikë e zakonshme e promovimit turistik të një vendi dhe sipas ekspertëve të turizmit, edhe një nga faktorët e suksesit turistik të këtij viti. Faktorë të tjerë konsiderohen bukuritë natyrore ose kostoja ende e ulët. Megjithatë, nevojitet një analizë e hollësishme për të kuptuar ndikimin e strategjisë së ndjekur me promovimin.

Lexo edhe :  Miratohet vendimi, ALBTrace Co merr kontrollin e gjurmimit të kanabisit

“Ministria duhet të monitorojë vazhdimisht performancën e fushatave dhe të përshtasë strategjinë në bazë të rezultateve për të arritur sukses në promovimin e turizmit në Shqipëri,” tha Albana Çule, eksperte në fushën e turizmit dhe zhvillimit ekonomik dhe rural.

E njëjta gjë vlen sipas saj dhe për aplikacionet apo panairet.

“Efikasiteti i panaireve varet nga se si është prezantuar Shqipëria, se si janë siguruar kontaktet dhe marrëveshjet, dhe se sa janë të bindur operatorët për të ofruar paketa turistike në Shqipëri,” përfundoi Çule.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit

Dokumentari “Thesaret e Adriatikut, Shqipëri”    28.705.002 lekë.
Projekti i Fondacionit “Dritan Hoxha” në vlerën 8.000.000 lekë.
Projekti i Qendrës “Dritare” në vlerën                 4.000.000 lekë.

Agjencia Kombëtare e Turizmit

Realizimi i emisionit për Shqipërinë me fokus turizmin                                         114,330 lekë
Udhëtim gazetarësh, publicist, fotografë.. mbi promovimin në tregun gjerman  464,647 lekë
Kompania D18 Francë, dokumentar “Shqipëria, perla e Mesdheut”                       403,725 lekë
Gazetarë me qëllim promovimin në tregun gjerman në “Radio GONG”                 288,651 lekë
Blogerë serbë për promovimin e Shqipërisë                                                            185,120 lekë
Grup gazetarësh, ekspertësh gjermanë “Promovimi i Shqipërisë Post-Covid-19”    40,000 lekë
Gazetarët e huaj pjesmarrës në panairin “ITE Days”                                                457, 000 lekë
Tur operatorët gjermanë nga DRV                                                                          364,000 lekë
Promovimi i aplikacionit TEA – Tourism of Events Albania                                       7,740,000 lekë
Pjesmarrja në panairin ITB Berlin                                                                            10, 278, 546 lekë/.I.S

Të fundit

Rusia nuk trembet, Lavrov: Të shohim se ç’dëshiron në të vërtet SHBA-ja

Ministri i Jashtëm rus thotë se nuk ka dyshim se Moska do të jetë në gjendje të përballojë çdo...

Policia e Vlorës aksione blic: gjoba të majme dhe konfiskim makinash

Drejtoria e policisë së Vlorës ka vijuar kontrollet në të gjitha rrugët e qytetit bregdetar për evidentimin dhe ndëshkimin e parkimeve të parregullta që...

Sulmet izraelite vrasin 12 persona në Luginën Bekaa të Libanit

Të paktën 12 persona janë vrarë në sulmet ajrore izraelite në Luginën Bekaa lindore të Libanit. Shtatë sirianë, përfshirë një familje me pesë anëtarë, dhe...

Kanadezët zbulojnë Shqipërinë: Një perlë ballkanike!

Vendi ynë vijon të rrëmbejë vëmendjen e agjencive më të mëdha turistike botërore, që sugjerojnë njëkohësisht se mbetet një nga destinacionet e kësaj vere. Një...

Serbët i pengon flamuri shqiptar, dështon takimi në Preshevë

Një takim në mes kryetarit të Trupit Koordinues, Aleksandar Martinoviq e ushtruesin e detyrës së drejtorit të shërbimit të TK në Bujanoc, Nenad Mitroviq...

Lajme të tjera

Web TV