Gjatë muajit shtator Shqipërinë e vizituan 1.1 milionë vizitorë të huaj, ndërkohë edhe pse jemi në mes tetori vijon turizmi i kroçerave.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Porti i Durrësit ku 4 anije janë ndalur gjatë ditëve të fundit.
Ndërkohë, kryeministri tha se edhe 4 të tjera janë planifikuar të vijnë deri në fund të tetorit me rreth 2.600 turistë të huaj, duke shënuar kështu një ndër muajt me volumet më të larta të turizmit përmes kroçerave dhe jahteve.
“Megjithëse jemi në mes të tetorit, ankorimi i anijeve, jahteve dhe kroçerave turistike që vizitojnë Shqipërinë edhe nëpërmjet portit të Durrësit, po vazhdon”, u shpreh Rama.
Deri në fund të muajit shtator vendin e vizituan mbi 8.1 milionë turistë, ndërkohë që projeksionet janë që të arrihet shifra e 10 milionë turistëve deri në fund të vitit./ S.M