Nga Nazmi Seitaj
Vasil Premçi është një nga shkrimtarët tanë që shquhet më shumë se cilido për lirizmin e tij në artin e prozës poetike, të kësaj gjinie që është më e vështira në art, duke na treguar se lirizmi është ndjenja më intime e zemrës së njeriut.
Mjafton të lexosh librin e tij “Ah, ky Esenini!” për të kuptuar se lirizmi na bën optimist e na tregon se jeta sado e vështirë të jetë, mbetet e bukur. Duke lexuar këtë libër ne mësojmë se Esenini është poeti i madh i Rusisë që jetoi në epokën e zymtë e të ashtuquajturit Bashkimi Sovjetik.
Epokë që atij poeti i shkurtoi jetën duke e larguar nga kjo botë në lulen e rinisë. Edhe pse jetoi pak dhe në diktate nga ide komuniste, Esenini pati një krijimtari të madhe me poezi lirike të përkryera e të paarrira nga poetë të tjerë.
Vasil Premçi në këtë libër na tregon për Eseninin sesi edhe pse ai shkruante bukur dhe pse ishte liriku dhe bilbili i korijeve të fshatit, shtypi dhe kritika e asaj kohe përmendëte dhe ngrinte lart poetin vulgar Demjan Bjedinin ngaqë ai me poezitë e tij bënte propogandë partiake ashtu siç kanë bërë tek ne shumë poetë duke thurur vargje për Rrënjët e Partisë Komuniste, për Metalurgjinë e Zezë ku prodhohej Çeliku i Partisë, për Urën e lartë të Bushtricës ku kalonte treni.
Ndërsa Eenini, shkruan Vasil Premçi, i ka kënduar natyrës, bukurisë fshatarake, ndjesive të holla, delikate e prekëse të shpirtit të njeriut, sa kur e lexon ndjen ëndje magjepsëse.
Mjafton të lexosh përmbledhjen e tij me tregime lirike “Pena e vjeshtës së artë”, nga autorë shqiptarë për të kuptuar se në çdo dashuri të vërtetë rreh ngaherë zemra e mbushur me lirizëm. Nga kjo përmbledhje kuptojmë se lirizmi përcjell mesazhe të fuqishme duke sfiduar edhe çensurat më diktatoriale dhe më të egra të kohërave.
Mjafton të lexosh librin e tij “Ah, ky Esenini!” për të kuptuar se lirizmi në art i këndon natyrës sepse natyra është ajo që na frymëzon dhe na e mbush shpirtin me magjinë e lirizmit. Nga ky libër i tij kushtuar Sergej Eseninit mësojmë se natyra në vetvete është lirizmi i kësaj bote dhe se natyra në çdo kohë dhe stinë na shfaqet si një poezi madhështore që na e mbush shpirtin me frymëzim.
Gjatë një bisede të lirë me mikun tim Vasil Premçi, duke pirë kafe, ai më ka thënë: “Për të kuptuar sesa i fuqishëm është lirizmi në art do të përmend disa shembuj: Ludvig Van Beet’hoveni sikur të mos kishte kompozuar tjetër, por vetëm “Simfoninë Pastorale”, që i kushtohet natyrës përsëri do të mbetej i pavdekshëm.
Ose Edgar Allan Poe vetëm me poezitë “Korbi” dhe “Anabel Li”do të kujtohej për jetë të jetëve. Ose dhe poeti ynë martir Vilson Blloshmi me poezinë “Saharaja”do të mbetet i paharruar. Duke vazhduar më tej Vasil Premçi më ka thënë se kënga lirike “Liberta” që këndoi këngëtari Italian Albano Karizi në vitin 1989 në stadiumin e Tiranës dhe që ngriti në këmbë tërë dëgjuesit duke duartrokitur e brohoritur me eufori tregon më së miri fuqinë që transmeton mesazhi i lirizmit për lirinë njerëzore.
Ajo këngë me atë vërtetësi artistike dhe bukuri artistike zgjon dhe ngre në këmbë të shtypurit nga tirania për të shembur diktaturën dhe për të arritur te dielli i lirisë. Nuk kanë të mbaruar shembuj të tillë nga vërtetohet se lirizmi në art përcjell mesazhe të fuqishme dhe të ndritura duke sfiduar edhe çensurat më diktatoriale dhe të egra të kohërave.
Përmledhja me tregime të zgjedhura lirike “Pena e vjeshtës së artë” me autorë shqiptarë e realizuar nga shkrimtari ynë i njohur Vasil Premçi është një punë e një arritje e madhe me këmbënguljen e një njeriu të vullnetshëm, që dashuron me shpirt artin në tërësi dhe letërsinë në veçanti.
Ajo që mbetet e admirueshme për këtë përmbledhje me tregime lirike është se gjithçka u bë me mundësitë e tij vetjake nga dashuria që ai ka për lirizmin në artin e të shkruarit. Kjo është dhe rrënja e thellë që ka pema e madhe e artit të tij lirik në të shkruarit e prozës poetike. E si e tillë kjo do të mbetet në kujtesën tonë si një përpjekje e mundimshme e një idealisti të kulluar, duke u shkrirë për ti dhënë lexuesit një mrekulli të lirikës së prozës dalë nga shpirtrat e ndjeshëm të shkrimtarve tanë.
Në tregimin e tij te kjo përmbledhje: “Ku je tani Magdalena?” Vasil Premçi me prarimin e artë të fjalës poetike na ndez zemrat tona, na deh në shpirt e na sjell kënaqësinë e një lumturie të vërtetë.
Për të gjithë këta autorë që arrijnë në harkun kohor të njëqind vjeçari, shkrimtarit Vasil Premçi i është dashur të shfletojë, të lexojë e të zgjedhë një e nga një ato tregime që do t’i vinin së miri shtratit lirik të përmbledhjes “Pena e vjeshtës së artë”, për t’i dhënë lexuesit ato emocione e ndjesi të holla, të bukura e magjike që ata kanë dashur të shprehin me penën e tyre të artë, dhe këtë nuk mund ta bënte tjetër vetëm se një shkrimtar me shpirt të madh lirik siç është shkrimtari ynë Vasil Premçi, ky autor i kësaj letërsie të lirë me frymëmarje demokratike.
Për të përgatitur këtë vëllim prej më shumë se gjashtëqind faqesh, shkrimtarit Vasil Premçi i është dashur të komunikojë herë pas here me shumë autorë për t’i zgjedhur tregimet, por edhe për të debatuar, sepse ndonjëherë atij nuk i përmbusheshin ashtu si duhej ato kërkesa që do t’i vinin së mbari asaj vjeshte të artë që ai mundohej të na mrekullonte duke na i sjellë e na futur brenda asaj natyre me atë ajër të ndritur e të tejdukshëm që ka ajo stinë në vetvete…
Ka qenë vërtet një mal me punë për këtë idealist të palodhur e të përkushtuar në atë që prej vitesh kishte ëndërruar ta bënte. Atij i janë dashur ditë të tëra e muaj të tërë për të kërkuar, gjetur, zgjedhur e hedhur në kompjuter tregime nga shkrimtarë që nuk jetojnë e që mandej t’i bashkojë ato e t’i renditë në përmbledhjen lirike për ti botuar.
Në atë kohë të mallkuar të monizmit që zgjati për gati gjysmë shekulli, lirizmi në letërsi ishte i ndaluar ashtu si vet liria e njeriut dhe kjo e dëmtoi shumë letërsinë tonë. Ky lirizëm e frikësonte diktaturën, ngaqë i shtinte asaj frikën e kapitullimit. Pra, të duash lirizmin e të shkruash një letërsi lirike, do të thotë të duash sa më shumë jetën dhe lirinë duke zmbrapsur e mposhtur çdo errësirë që mundohet të na ngushtojë hapësirën e dritës.
E për këtë luftë të dritës kundër errësirës shkrimtari ynë Vasil Premçi shkruan në parathënien e këtij libri se:“Refuzimi i lirikës ndoshta është ceni më i madh i një kohe, epoke, vendi, kulture e populli e kështu me radhë, i barabartë me atë që populli e quan thjesht: mallkim.”
Lirizmi është vetë natyra me gjallesat dhe gjithë fenomenenet e saj. E të cënosh sado pak këtë lirizëm të natyrës, do të thotë të vrasësh shpirtin tënd e këtë e vuajnë më shumë ata që janë të ndjeshëm e lirikë.”
Një nga majëlartat e penës lirike që Vasil Premçi arrin të botojë është vëllimi i tij aq sa i bujshëm po aq dhe unikal: “AH, KY ESENINI!” kushtuar poetit të madh lirik rus Sergej Eseninit. Ky vëllim prej 200 faqesh krejt emocional, tërheqës e poetik na bën të ndjehemi krenar e na shtie në mendime sesi “Poeti rebel rus i hap zemrën një shqiptari” e një shkrimtari siç është poeti ynë i penës së artë Vasil Premçi. Mendoj se nuk është aq e nevojshme të bësh komente për këtë libër se ajo që është më e mira për tu bërë është që ky libër poetik të lexohet e vetëm të lexohet.
Lirizmin poetik të këtij prozatori flladitës me aromën e luleve pranverore e gjen në tërë ato libra që ai ka botuar. Lirizmin e ndjesive të holla e delikate të tij si në ato nokturne muzikore të bukura pianistike, të ëndëshme, prekëse e tronditëse do ti gjeni ngado sikur të mundeni e ti lexoni krijimet e tij si “Lamtumirë, babuin!”, “Flladi i Berjozave”, “Me vrullin e erës”, “Shiu që lag të gjallë e të vdekur”, e të tjera.
Duke e mbyllur falenderoj nga zemra mikun tim të dashur Vasil Premçi për këtë takim miqësor shkimtarësh duke i uruar jetë të gjatë e të shëndetëshme e me krijimtari të mëtejshme.