Rritje alarmante e rasteve të reja me kancer në Evropë/ Cila gjini preket më shumë?

Sipas të dhënave të fundit, ka një rritje alarmante të prevalencës së kancerit në vendet e Bashkimit Evropian.

Vlerësimet e Komisionit Evropian të publikuara në Sistemin Evropian të Informacionit për Kancerin (ECIS), tregojnë se, rastet e reja të kancerit u rritën me 2,3% krahasuar me vitin 2020, për të arritur në 2,74 milionë në 2022. Në mënyrë të ngjashme, vdekjet nga kanceri u rritën me 2,4% krahasuar me 2020.

Më konkretisht, vlerësimet e reja të vitit 2022 për shtetet anëtare të BE-së tregojnë se 31% e meshkujve dhe 25% e femrave pritet të diagnostikohen me kancer para moshës 75 vjeç, ndërsa 14% e meshkujve dhe 9% e femrave vlerësohet të vdesin nga kanceri. para moshës 75 vjeçare.

Burrat konsiderohen më të prekshëm, pasi 53% e rasteve të reja me kancer dhe 55% e vdekjeve nga kanceri kanë të bëjnë me meshkujt.

Cilat janë llojet më të rrezikshme të kancerit?

Kanceri i gjirit është lloji më i shpeshtë i diagnostikuar i kancerit në Bashkimin Evropian, me rreth 380,000 raste (99% e të cilave janë gra), që përbën afërsisht 13.8% të të gjitha diagnozave të kancerit. Ato pasohen nga kanceri i zorrës së trashë (356,000-13% e të gjitha rasteve të reja), kanceri i prostatës (330,000-12,1%) dhe kanceri i mushkërive (319,000-11,6%).

Përsa i përket katër shkaqeve më të shpeshta të vdekjes nga kanceri, konsiderohet se i pari është kanceri i mushkërive (19,5% e të gjitha vdekjeve nga kanceri), i ndjekur nga kanceri i zorrës së trashë (12,3%), kanceri i gjirit (7,5%) dhe pankreasi (7,4%). Megjithëse kanceri i pankreasit ka një incidencë më të ulët në krahasim me shumë lloje të tjera të kancerit, shkalla e ulët e mbijetesës e rendit atë në mesin e katër kancereve më vdekjeprurëse, si tek meshkujt ashtu edhe tek femrat.

Diagnoza dhe trajtimi i vonuar janë dy sfidat kryesore në trajtimin e kancerit të pankreasit. Duke marrë parasysh shkallën e ulët dhe të pandryshuar të mbijetesës dhe tendencën e qëndrueshme ose në rritje të vdekshmërisë, pritet një rritje e numrit të vdekjeve për shkak të plakjes së popullsisë evropiane.

Lexo edhe :  Raporti alarmues në SHBA/ A lidhet paracetamoli gjatë shtatzënisë me rrezikun e autizmit?

Si janë shpërndarë gjeografikisht rastet

Vërehen kontraste midis shfaqjes dhe vdekshmërisë së rasteve. Në veçanti, norma më të larta të incidencës janë regjistruar në vendet perëndimore dhe veriore të BE-së (më shumë se 640 raste të reja për 100,000 njerëz), ndërsa norma më të larta të vdekshmërisë vërehen në vendet lindore të BE-së (më shumë se 300 vdekje për 100,000 njerëz).

Këto dallime gjeografike mund të formësohen nga prevalenca e faktorëve kryesorë të rrezikut për kancere specifike, zbatimi efektiv i planeve kombëtare të kontrollit të kancerit, zbatimi efektiv i programeve të shqyrtimit për kancerin e gjirit, qafës së mitrës dhe zorrës së trashë, si dhe nga variacionet në praktikën diagnostike.

Kohët e fundit, Komisioni Evropian prezantoi një qasje të re për të mbështetur Shtetet Anëtare për të rritur përdorimin e programeve të shqyrtimit.

Qëllimi i tij është të arrijë objektivin e vendosur në planin evropian për të luftuar kancerin, që është të ofrojë teste diagnostikuese për kancerin e gjirit, zorrës së trashë dhe qafës së mitrës për 90% të atyre që plotësojnë kushtet, deri në vitin 2025 .

Gjithashtu duhet t’i kushtohet vëmendje zgjerimit të shqyrtimit për të përfshirë kancerin e prostatës, mushkërive dhe stomakut, bazuar në kërkime të mëtejshme.

Duke qenë se parandalimi i kancerit është një nga katër qëllimet e misionit të BE-së për kancerin, mbështetja e kërkimit dhe inovacionit në teknologji, metodologji dhe programe depistimi më të mira është thelbësore për rritjen e zbulimit të hershëm./   S.M