Dy orë dëshmi/ Ilir Kulla del nga SPAK: Nuk mund të bëj publike asgjë

Analisti dhe ish-këshilltari i Presidentit Ilir Meta, Ilir Kulla ka përfunduar dëshminë e tij në SPAK. Në një komunikim të shkurtër me gazetarët, ai tha se ka dhënë disa dëshmi për disa rrethana, po pa cillësuar saktësisht se për çfarë bëhej fjalë.

 “Dhashë dëshmi për disa rrethana. Nuk mund të bëj publike asgjë për shkak të sekretit hetimor”, ka thënë ai.

Kulla u paraqit mesditën e kësaj të marte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Megjithatë, nuk ka informacione se për çfarë ai mund të jetë thirrur nga prokurorët, nëse është në cilësinë e personit që ka dijeni për ndonjë rast nën hetim, apo nëse ndaj tij ka nisur hetim nga SPAK.

Kujtojmë se, vite më parë Ilir Kulla ka dalë në raportet e mediave dhe autoriteteve italiane si i përfshirë në një fushatë kundër qeverisë shqiptare dhe Edi Ramës, për gjasme groposjen e 1,300 kontejnerëve me mbetje nga Italia.

Sipas Prokurorisë italiane, Sergio De Gregorio, pronari i portalit italian “pianetaitalianeës.it” që shkroi për groposjen e mbetjeve në Shqipëri ka deklaruar se është paguar që të organizonte një fushatë sulmuese kundër qeverisë shqiptare.

Ai ka nxjerrë emrin e këshilltarit të Presidentit, Ilir Kulla, si njeriun që e pagoi për të krijuar një “fake news” që do të lëkundte pozitat e qeverisë shqiptare.

De Gregorio nuk është një emër i panjohur për Drejtësinë italiane, pasi edhe në vitin 2008 kishte dhënë kontributin e tij për të rrëzuar qeverinë Prodi, falë lëvizjes së tij “Forza Italia”, ndërsa është akuzuar edhe për zhvatje, mashtrim dhe pastrim parash.

Në përgjimet e Prokurorisë ka dalë se vetë Ilir Kulla ka mbërritur në Itali në 26 shkurt 2017 në mënyrë që të ndiqte më nga afër ngjarjen. Prokuroria italiane ka çuar përpara drejtësisë 8 persona, pasi zbuloi se pas kësaj tentative për të rrëzuar qeverinë qëndron këshilltari i Ilir Metës./   S.M