Nga Frrok Çupi
Ngjarja që lidhet me idenë e këtyre, ka ndodhur pikërisht në arenën nga ku këta presin ‘të reja’ tani. Një burrë i rraskapitur nga jeta, kishte disa ditë e net i ulur në një sofa në mes të të ftohtit. Nuk bënte asgjë, veçse thërriste dhe kërkonte ‘çfarë po priste’. Këta nuk janë të ulur në sofa, nuk janë as pa strehë…, përkundrazi, janë më të pasuruarit e vendit duke mos punuar e duke ndenjur ulur në sofatë e politikës dhe të korrupsionit. Dje dhe pardje u ngritën nga sofaja direkt në dritaret e selisë së Kuvendit, godinë që ka qenë Komiteti Qendror i ‘partisë mëmë’. Ia bënë fora, herë si kunadhe e herë si strucë dhe u ngjitën në dritaret e katit të dytë për të bërë kërkesën e fundit.
Këta po presin në të gjitha drejtimet, jo vetëm nga Tehrani ku ishte ulur djaloshi që në vitin 1979 e mori gjithë media e botës. Ai ishte dimër i egër për Iranin, 1979, kur po instalohej Republika Islamike e Khomeinit.
Iraniani i ulur në sofa, natë e ditë priste diçka, por nuk fliste.
Këta këtu e dinë shumë qartë çfarë presin. Presin atë që këtu në vend nuk e mbërrijnë dot. Kanë kohë që kanë humbur pushtetin dhe njëkohësisht besimin qytetar. Lideri i tyre është shpallur ‘i korruptuar familjarisht’ nga Shtetet e Bashkuara. Këta që i shkojnë pas, herë ngjiten në dritare, herë i bëhen mburojë mishtore për të mos u paraqitur para Drejtësisë; këta janë të zhytur në korrupsion ‘familjar qeveritar’ dhe në krimin e vrasjeve. Kurrë nuk i kanë kërkuar ndjesë kombit për qindra plagë të rënda që i kanë shkaktuar. Hetimi dhe gjykimi i familjes së korruptuar ka nisur nga periferia, që nga dhëndëri që ndodhet në burg; të tjerët vijnë pas. Berisha vetë kërkohet para Prokurorit, por këta e mbulojnë me trupa… Pamja e mbulimit të Berishës me trupat deputetë që u dalin format e kolme tek kacavirren në katin e dytë të selisë shtetërore, të kujton motamo pamjet e përleshjeve Islamike në Gaza. Në Gaza tani po bëhet luftë.
Meqë është fjala për ‘Gaza’, këta andej presin të vijë ajo që presin. Trazirat në Lindjen e Mesme dhe në Kosovë kanë qenë gjithnjë koincidenca dhe shpresë për lëvizjet e Berishës. Kësaj here pret lajme si nga Gaza edhe përtej, në botën Islamike, ku është investuar që në kohën kur luante si President. Ditën kur Berisha la pushtetin në vitin 1997, në vendin tonë ndodheshin mbi 90 celula terroriste Islamike të Al Qaedas, etj.
Tani, nga lufta në Gaza këta presin dobësimin e Perëndimit. Dobësimi i Amerikës u sjell ‘lajme të mira’ për të shpëtuar Berishën. Këta presin. Më parë kanë pritur gjatë për ‘lajme të mira’ nga fronti Ruso- Ukrainas. Çdo luftë rrethe rrotull, këta mendojnë se vë në gjunjë Amerikën dhe Europën. Gjunjëzimi i armiqve, këtyre u sjell shpresë. Nga Kosova presin që perëndimorët të mos ia dalin për Marrëveshjen me Serbinë. Lajmet ‘nën gju’ nga qeveria e Prishtinës sjellin për ta motivin se në një kaos mes Prishtinës e Beogradit, do të përfitojnë vetë. Mjaft që Europa dhe Amerika të dalin të humbura nga tryeza ballkanike, ose përballë Moskës.
… Këta kanë disa dritare ku i mbajnë sytë për ‘lajme të mira’. Ndryshe nuk kanë si shpëtojnë nga veprat e tyre të liga. Asnjëherë nuk duket se pyesin veten: ‘A do të ndodhin këto, apo jo?’. Edhe burri i sfilitur nën një pallat në Teheran, tek priste, nisi të thërrasë: ‘Çfarë prisja e çfarë më ndodhi… Çfarë prisja e çfarë…?.
Një mëngjes, gazetarët perëndimorë që ia prisnin përgjigjen si ujin e paktë, iu drejtuan: ‘Po thuaje, dreqi e mori… çfarë prisje? Çfarë të solli?’.
Burri vuri duart në grushte për ndonjë kacidhe dhe foli:
-Prisja të më vdiste ime më e babai të martohej…. Por më vdiq babai…
Ndodhi një herë e nuk është harruar.
Franca do të miratojë ligj të ri imigrimi
Me një ligj të ri të imigrimit, Franca do të ashpërsojë trajtimin e azilkërkuesve. Në të njëjtën kohë, projektligji parashikon që punëtorët e paligjshëm në profesionet deficitare të kenë mundësinë e qëndrimit. Ministri i Brendshëm francez Gérald Darmanin e paraqiti projektligjin në Senat në Paris. Senati i së djathtës konservatore, dhoma e dytë e Parlamentit, filloi menjëherë debatin mbi projektin. Qeveria e kishte paraqitur projektligjin në shkurt dhe më pas e kishte ngrirë sërish, sepse reforma e pensioneve dominoi debatin dhe gjithsesi nuk dukej shumicë mbështetëse në horizont. “Ka të bëjë me dhënien e një statusi ligjor njerëzve që kanë jetuar dhe punuar këtu prej vitesh (…)”, tha kryeministrja Elisabeth Borne për France Inter. Kjo është një “masë e arsyeshme”, shtoi ajo. Projektligji premton të jetë një provë cfilitëse, pasi kampi politik i Presidentit Emmanuel Macron nuk ka më një shumicë absolute në Parlament për të miratuar projektin shumë të diskutueshëm pa mbështetjen e forcave të tjera politike. “Do të kërkojmë shumica”, theksoi Borne, e cila kritikohet kritikuar për kthimin në përdorimin e nenit 49.3 të Kushtetutës. Ky nen lejon që një ligj të miratohet pa votim përfundimtar nga Parlamenti francez. Projektligji i imigracionit është projekti i dytë i madh reformuesi mandatit të fundit të presidentit Emmanuel Macron, pas reformës së pensioneve, e cila u realizua mes protestave të forta.
Çfarë bëjnë republikanët?
Mbështetja e pritur e konservatorëve Républicains për nismën legjislative është ende e paqartë. Marrja e një qëndrimi të qartë ndaj emigrantëve është vërtet në përputhje me linjën e republikanëve, të cilët e kanë prej kohësh këtë çështje ndër prioritetet e tyre. Megjithatë, halë në sy për ta është është garantimi i dokumenteve të qëndrimit për emigrantët e paligjshëm që punojnë në profesione në të cilat kërkohen punonjës. Ata besojnë se kjo hap një derë tjetër për emigracionin e paligjshëm. Megjithatë, gjatë prezantimit të projektligjit, ministri argumentoi se emigrantët tashmë në vend duhet të kenë kushte të sigurta dhe të mira pune. Firmat që bëjnë biznes në kurriz të emigrantëve të paligjshëm duhet të ndalohen. Ekonomia që po rimëkëmbet dhe rënia e papunësisë do të thotë se shumë sektorë në Francë po kërkojnë me këmbëngulje punonjës. Emigracioni shihet si një zgjidhje, por industria dhe qeveria nuk i kanë përcaktuar përmasat e tij.
Kritika e organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut
Organizatat e të drejtave të njeriut paralajmërojnë se ligji i planifikuar mund të kufizojë të drejtat e emigrantëve. Në të ardhmen, mund të deportohen edhe persona që kur kanë mbërritur në Francë kanë qenë të mitur nën 13 vjeç ose edhe prindërit e huaj, fëmijët e të cilëve kanë shtetësi franceze. Sipas organizatës së ndihmës për fëmijë UNICEF, ky rregull mund të bierë ndesh me Konventën e OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve. Reduktimi i planifikuar i kujdesit mjekësor është kritikuar gjithashtu. Në të ardhmen, emigrantëve do t’u garantohet vetëm ndihma mjekësore emergjente, theksoi ministri i Brendshëm Darmanin. Disa organizata kanë kritikuar gjithashtu faktin që fëmijët e lindur në Francë nuk marrin më automatikisht shtetësinë franceze në moshën 18-vjeçare. Për më tepër, të rinjve të lindur në Francë, të cilët janë dënuar me një minimum prej gjashtë muajsh burg, nuk do t’u jepet shtetësia franceze. Nënshkruesit e një apeli drejtuar qeverisë theksojnë se këto masa e vështirësojnë integrimin dhe u bëjnë jehonë kërkesave të ekstremit të djathtë. Vitin e kaluar, në Francë aplikuan për azil rreth 137.000 vetë, afërsisht i njëjti numër si para pandemisë së koronavirusit. Shumica erdhi nga Afganistani, e ndjekur nga Bangladeshi, Turqia dhe Gjeorgjia. Rreth 11.400 persona u dëbuan, duke përfshirë rreth 3.600 të huaj që kishin kryer vepra penale. Gati 4000 vetë u larguan nga vendi vullnetarisht ose si pjesë e një programi të subvencionuar të kthimit.