Dosja e Sigurimit të Shtetit/ Ekzekutimi i të akuzuarve për komplotin e Teme Sejkos

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Dosja e pushkatimit të tre vllenjëve në gusht të vitit 1962 nga gjyqi i Armiqve të Popullit, dhe misteri se të dënuarit me vdekje Jorgji Cukalin, Nikolla Goçin dhe Nikolla Bashon Sigurimi i Shtetit i nisi me detyra jashtë atdheut.

Nga Sefer PASHA

Ka kohë që studjoj dosjen e marë nga Autoriteti për Informimin mbi dokumentat e Sigurimit të Shtetit. Është një dosje prej mijëra faqesh. Nis ta shfeltosh e zhgënjehesh. Kur mendon se e përfundove rrudh ballin. Gjendesh sërish në një pyll të zi ku të merren mend. Si studjues më interesonte tragjedia e tre vllenjëve të gjykuar dhe pushkatuar në korrik të vitit 1962. Bëhet fjalë për Drejtorin e Fermës blektorale të Vithkuqit Jorgji Cukalin, Nikolla Goçin gjithashtu Drejtor në Fermën e Vrinës në Sarandë si dhe për blektorin Nikolla Basho. Për këta të tre u bë gjyqi dhe u dënuan me vdekje. Por sipas dosjes janë hetuar, ndjekur e dënuar dhe 12 vllenj të tjerë që fati i shpëtoi nga pushkatimi. Në dosje thelbi i aktakuzës është: – “Organizim i kryengritjes së armatosur për rrëzimin e pushtetit popullor”

Jemi në vitin 1962 dhe për shkak të mungesës së kulturës të punonjësve të gjykatave dhe administratës së kohës dosja sa një mal vende – vende është një mish – mash. Me djalin e Jorgji Cukallit, Niko Cukalin e vështrojmë dojen e trupëzuar të atit të tij të pushkatuar. Pasaktësira, pseudonime, informacione, dëshmi, akuza të rëndomta, shpifje, kundërshtime, materiale të mbledhura kuturu, dëshmitar me nga dy pseudonime, emra të rremë, raporte operative vulgare, radigrame të mjegullta, materiale të ardhura nga Asfalia, telefonata të dyshimta, ndërlidhës që i shërbenin Sigurimit të Shtetit dhe Asfalisë, tekste të pakuptimta, gërmëzime kuturu pa fill lidhës, fjalë të mbetura në grykë të vllahut që merrej në pyetje, gër –  mere gërxhosh të mbledhura nëpër kasolle, si dhe bashkësi legjendash me gjyqtar analfabet. Gjyqi i bujshëm nuk kishte avokat. Arrestimet kanë filluar në Vithkuq të Korçës e kanë vazhduar stan më stan deri në Vrinë të Sarandës. Personazhet e dosjes së bujëshme të mahnisin. Ngjarjet janë dramatike e të paimagjinueshme. Një det informacioni i mbledhur maleve e kasolleve të çmend

Oficeri i Sigurimit të Shtetit Nuri Backa që kishte në përpunim vllenjtë vrau veten.

Në dosjen e kopsitur me gjëmba sa mali i Gramozit përmendet dhe emri i oficerit të Sigurimit të Shtetit Nuri Backa. Në rrethana misterioze kur përndiqeshin vllenjtë ai vrau veten. Pse? Dosja voluminoze nuk jep përgjigje. Nuri Backa si Punëtor Operativ “shtegëtonte” bashkë me karvanet e vëllenjëve sipas stinës që nga Vithkuqi, mali i Lenies, Gramozi,Tri Urat, Buretua e deri në fushat e Vrinës në Sarandë. Ai gjurmonte veprimtarinë e vllenjëve. Kjo ishte detyra e tij. Por paralelisht me Nuri Backën në krahun tjetër të kufirit “shtegëtonin” dhe oficerët e Asfalisë Greke. Pas çlirimit të vendit një pjesë e vëllenjëve mbetën në viset veriore të Greqisë. Ishin nip e dajo, por i kishte ndarë mbyllja e kufirit. Në vitin1962 shteti i Enver Hoxhës ishte ende i dobët. Vllenjtë që kishin mbetur matanë kufirit vinin në “qytezat” e vëllezërve të tyre. Por bashkë me ta vinin si “barinj” dhe oficerët e Asfalisë greke. Në stanet e malit të Gramozit shtroheshin dreka me mish në hell për “mysafirët” nga Greqia. Në këto ahengje merrte pjesë dhe Nuri Backa. Ishte koha kur ndiqeshin vllenjtë si grup, të cilët kërkonin të rrëzonin pushtetin popullor me anën e kryengritjes së armatosur. Pasardhësit e tre vllenjëve të pushkatuar kanë treguar se në stanet e Kozelit kishte ardhur dhe Kadri Hazbiu me kuadro të lart të Sigurimit të Shtetit. Në këtë “tavë” padyshim ishte dhe i “zoti” i vendit Nuri Backa. Hollësira nuk dihen. Deri ku shkoi çapi i  punëtorit operativ Nuri Backa? Çfarë bisedoi në këto “dreka” në Gramoz ku mernin pjesë dhe ustallarët e Asfalisë greke? Në dosje asgjë nuk shkruhet. Pyetja shtrohet: -Ku shkeli në dërrasë të kalbur Nuri Backa? Kazani zjente. “Gazi” i Ministrisë së Brendshme vente e vinte nga Tirana në Vithkuq, ku kishte një zyrë oficeri i Sigurmit të Shtetit. Siç u dukën bathët Nuri Backës i doli situata nga kontrolli. Eprorët në Drejtorinë e Parë të Sigurimit të Shtetit duhet t’ja kenë futur”koqet në bigë”. Në “drekat” afër vijës së kufirit esnafët e asfalisë rregjistronin këngët e vllenjëve nga Shqipëria. Por në “shiltetë” e staneve qe ulur dhe Nuri Backa. Kushedi se çka llapur? Në këtë kaos ngjrjesh Nuri Backa si oficer i Sigurimit të Shteit nuk e hoqi vallen deri në fund. Dhe e vrau veten në majën e malit të Gramozit në Çukapeçit në lartësinë 2523 metra.  I gjithë grupi i vëllenjëve prej 15 vetësh që u arrestuan janë pyetur dhe për Nuri Backën.

Amaneti i Nikolla Goçit për dhembët e florinjtë që ja shkulën me dhunë në qeli dhe intrigat rreth komplotit me Teme Sejkon.

Pas komunikimit nga Gjykata e Armiqëve të Popullit, ku u dha vendimi i formës së prerë për të pushkatuar Jorgji Cukalin, Nikolla Goçin dhe Nikolla Bashon në një moment në burg Nikolla Goçi qe përballë me të vëllanë Pilo Goçin, i cili gjithashtu u dënua me 25 vjet burgim. Kot shpëtoi nga pushkatimi. Duk qenë se në këmbë ishte dhe polici i burgut Nikolla Goçi hapte dhe mbyllte gojën. Pilua u çudit. Nikolla që ishte dënuar me pushkatim e provokon të vëllanë që t’i shikonte gojën ku i mungonin të gjithë dhëmbët e florinjtë. Nikolla Goçi ishte i pasur dhe dhembët e florinjtë i kishte vendosur në një klinikë me emër në Athinë. Përballja e dy vëllëzërve kishte përfunduar me heshtje. Pilua ishte habitur që të vëllait ja kishin shkulur të gjithë dhembët e floririt. Në një fraksion të minutës kur e kërkuan policin e burgut Nikolla Goçi i thotë këto fjalë të vëllait Pilos, që kishte shpëtuar nga pushkatimi. Nikolla i thotë Pilos: – Dhembët e floririt m’i shkulën me darë në qeli. I mori prokurori. Ti Pilo do të rrosh. Do vijë një ditë dhe do t’i kërkoni eshtrat e mia. Mos ma kontrolloni gojën për të parë dhembët e florinjtë. Nuk do t’i gjeni. Kam qenë i bukur. Femrat e Athinës linin kokën për mua. Shiko o Pilo vëllai se si jam shëmtuar. Dhe Pilos i kishte rënë të fikët. Pas kaq vitesh i biri i Nikolla Goçit, Vangjeli kërkon në Dajt eshtrat e të atit. E ka parsysh atë që ka thënë Nikolla. Nuk i ka dhembët e floririt në gojë. Ja hoqën në burg pa narkozë e pa dentist. Pilua që doli nga burgu dhe e zuri era e demokracisë ka thënë midis të tjerave se grupi i vëllnjëve që u burgosën dhe u pushkatuan nuk kishin asnjë lidhje me akuzën se ishin pjesë e komplotit të Teme Sejkos. Nuk u kishte shkuar kurrë në mend për organizimin e ndonjë kryengritje të armatosur për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës.

Brenga e Dhimitër Bashos për zhdukjen e një libri të trashëguar nga Biblioteka e Voskopojës.

Djali i Nikolla Bashos, Dhimitri, i cili drejton emisionin në gjuhën vllahe në Televizionin e Gjirokastrës ka shumë mote që me kazma e lopata kërkon eshtrat e të atit në varrezat e humbura të malit të Dajtit. Dhimitër Basho ka shume meraqe për fatin tregjik të tre vëllenjëve që u pushkatuan. Natyrisht edhe për varrin e atit të tij Nikolla Basho. Dhimitri shkruan libra e këngë vllahisht. Ai ka shkruar dhe një libër voluminoz për fatin e 15 vllenjëve që u arrestuan në vitin 1962. Disa e dënuan me burgime të gjata kurse Jorgj Cukali, Nikolla Basho dhe Nikolla Goçi u pushkatuan. Pasi Nikolla Bashon e dënoi me pushkatim Gjyqi i Armiqëve të Popullit Sigurimi i Shtetit i skuestroi në shtëpi një fond me vepra arti. Këto vepra Nikolla Basho i mbante me vete kudo që shtegëtonte me tufat e bagëtive të fermës shtetërore. Sigurimi mori të gjitha fletoret me shënime, fotografitë, piktura të vllenjëve në shekuj, qëndisma, disqe me këngë, enë të gdhendura në dru, gur të rrallë mali, zile dhe këmborë qindra vjeçare si dhe llogaritë bankare (Kishte shitur 1000 dele), të cilat i kishte pasur pronë të tia. Të gjitha këtë pasuri e kërkon Dhimitër Basho. Por askush nuk i jep përgjigje. Meraku më i madh i publicistit vllah është për  një libër në gjuhën arumune, të cilën ai e ruante si kujtimin më të çmuar të lënë nga ati i pushkatuar. Ky libër me kapak të trashë i mbështjell me lëkurë demi të argasur qe trashëguar nga Biblioteka e Voskopojës prej nga ishin si fis. Biblioteka e Voskoapjës kishte një pasuri me 20 000 vëllime. U dogj në vitin 1870. Dhimtër Basho nuk e shpejgon dot sesi ky libër i ra në dorë Nikolla Bashos. Siç duket u trashëgua dorë më dorë, stan më stan, e brez pas brezi. Më në fund ra në duart e Sigurimit të Shtetit. Asgjë nuk dua që t’më kthejnë thotë Dhimtër Bsho. Libri I Voskopjës mbetet pika ime e dobët. Sa të jem gjallë do ta kërkoj. Në faqen e parë të librit ka pasur dhe një mbishkrim që dikur nuk i kushtuam rëndësi. Nuk e dimë se çfarë thoshte. Shpresoj që ta gjej.

Të pandehurit Jorgji Cukali, Nikolla Basho dhe Nikolla Goçi mbrohen në gjyq me pritjen që i kanë bërë në stanet në Gramoz në vitin 1949 poetit francez Pol Elyar.

Të tre vllenjtë e akuzuar për “organizimin e kryengritjes së armatosur” e hodhën poshtë me indinjatë akt – akuzën, që në fakt këmbëngulnin ata, ajo u duhej bërë ujqërve të Qafës së Kazanit. Që të tre vllenjtë, por dhe të tjerët kishin mbaruar studimet në Greqi. Ata qëndronin shumë më lart se gjyqtarët që po i masakronin më intrigat absurde. Përveç të tjerave vllenjtë thanë në bankën e të akuzuarëve në Gjykatën e Armiqëve të Popullit se në vitin 1949 kishin pritur në stanet e tyre në malin e Gramozit poetin francez Pol Elyar. Poetit francez i therën disa mishra në hell. I kishin thënë poetit francez se kishin nëpër sanet e malit mbi 40 000 dhen. Pol Elyarin e nxorën në majën e malit të Gramozit në Çukapeç në lartësinë 2523 metra. Me poetin frncez kishin folur vetëm për lirinë e Greqisë dhe të Shqipërisë. Kurrë arumunët nuk janë marë me kryengritje të aramtosura e broçkulla të tjera. Nikolla Basho i kishte thënë trupit gjykues se poeti francez Pol Elyar u kishte lënë dhe një bllok, ku ai kishte shkruar ca rreshta frëngjisht. Blloku ndodhet në stanet në Mursi të Sarandës. Më i shkolluari Jorgji Cukali kishte guxuar dhe kishte recituar poezinë e Pol Elyarit “Mali Gramoz”.

Zilet dhe këmborët e Jorgji Cukalit janë të depozituara në një bankë të Janinës. Pengu i Niko Cukalit që nuk u takua me Mihallaq Ziçishtin.

Niko  Cukali është i bri i Jorgji Cukalit. Në Korçë ka emër dhe njihet si një biznesmen i suksesshëm. Në zyrën e tij në periferi të Korcës shikojmë së bashku dosjen voluminoze të atit të tij Jorgji Cukalit të mpleksur dhe me emrat e 13 vllenjëve të tjerë të arrestuar me akt –  akuza të ndryshme. Në një moment Niko Cukali me fletë për zilet dhe këmborët me përqindje të lart floriri, të cilat Jorgji Cukali sikur ta dinte fundin e tij tragjik i kishte depozituar në një bankë me emër të Janinës. Unë përpara kompjuterit te Niko Cukalit mësoi për herë të parë se në një bankë të nivelit të pare, ku depozitohen të gjitha monedhat e kësaj bote, mundet të depozitosh si pronë dhe arkat me zile dhe këmborë. Diskutojmë gjatë me Nikon Cukalin. I ka mbetur merak që nuk e takoi sa qe gjallë Mihallaq Ziçishtin, i cili vinte në Korçë. Ai duhet ta dinte se ku janë varrosur tre vllenjtë e dënuar me pushkatim në vitin 1962. Nikua është fryrë e dridhet nga ato që ka dëgjur për fatin e atit të tij të Nikolla Bashos, dhe të Nikolla Goçit. Ai më tregon se të tre vllenjtë e dënuar me pushkatim janë varrosur në malin e Lenies. Gjithshtu thuhet se Jorgji Cukali është parë në klinikën e doktor Polenës disa vite më vonë pasi ishte dhënë dënimi i pushkatimit. Hamendjet nuk kanë të sosur. Të tre vllenjtë nuk janë pushkatuar. Sigurimi Shtetit i nisi me detyra jashtë shtetit. Ndonjëri mundet të jetë gjallë dhe të ketë krijuar familje. E dëgjoj me respekt Niko Cukalin. Ai di shumë gjëra. Ka njohje më shumë se unë me partitë politike dhe Parlamentin. Por një gjë e ka të turbullt. Në Arkiv janë dhe dosjet e Drejtorisë së Zbulimit të Jashtëm. Ato tani për tani nuk do të hapen. Në faqet e tyre është e vërteta e fatit të Jorgji Cukalit, të Niklla Bashos dhe Nikolla Goçit. Aty është e shkruar nëse janë ekzekutuar apo Sigurimi Shtetit i nisi me mision jashtë Shqipërisë?

Teatri dhe pabesia e Kadri Hazbiut me vllenjtë e dënuar  dhe kënga labe kushtuar vllakës së bukur.

Pas vendimit për pushkatimin e Jorgji Cukalit, të Nikolla Bashos dhe Nikolla Goçit në Burgun e Armiqve të Popullit vllenjtë nëpër qelira flisnin hapur. “Më qafë na pastë Kadri Hazbiu!”. Kadriu kishte shkuar me dhjetra herë në “qytezat” e vllenjëve, që nga Vithkuqi e deri në Qafën e Botës në Sarandë. Pilua, vëllai i Nikolla Goçit, që i shpëtoi plumbit ka treguar se ka qenë dëshmitar në një festë në Kozel, ku mori pjesë dhe Kadri Hazbiu, i cili erdhi nga malet e Greqisë. Në një përrua të egër, i cili vjen nga Greqia, u vu në mes të vllenjëve dhe një bast. Kush do ta kalonte “Përroin e Ujkut” i hipur në kal nga njëri breg në tjetrin. Gjersia ishte rreth pesë metra. Gjyqtar ishte Kadri Hazbiu. Aventurën e mori përsipër Nikolla Basho. Kadri Hazbiu i dha porosi doktorit që e kishte me vete. Ai ta bënte gati çantën e ndihmës së shpejtë. Për të kaluar nga njëri breg në tjetrin nuk ishte e lehtë. Përroi ishte me hon të thellë. Nikolla Basho i hipi kalit dhe mori fuqi që nga cepi i livadhit. Dhe kali me kalorsin Nikolla Bashon fluturoi nga njëri breg në tjetrin. Por kali theu këmbën dhe në Livadhet e Kozelit hingëllinte i çal. E shqyen tufat me ujqër. Niklla Basho priti pas gjyqit që në burg të vinte Kadri Hazbiu dhe t’i kujtonte një sekret. Vëllai i Nikolla Bashos, Andrea, i kishte çuar Kadri Hazbiut një vllakë të bukur. E kishte marë në Mexhide. Thuhet se Kadri Hazbiu e mbante vllakën e bukur si dashnore në Klubin e Gjuetarvë në Lezhë. Vet Kadri Hzbiu këndonte labçe këngën për vllakën e bukur: /Vllakë e bukur vllakë/ / Ti u bëfsh thëngjill e flakë/ /Ç’faj moj të kanë gratë/ /Që ua le jorganët thatë/.

Lexo edhe :  Kurban Bajrami në Mekë: Një pelegrinazh mes sakrificës dhe mrekullisë

Gruaja e Nikolla Bashos, Sotirës, i bie të fikët në malin e Gramozit kur pas pushkatimit të burrit e shikon atë afër vijës së kufirit me Greqinë.

Tragjedia e tre vllenjëve të pushkatuar, paçka se nuk thuhet gjë në dosje, ajo ka shumë kulme. Ishte marë vendimi i gjyqit  për pushkatimin e tre vllenjëve Jorgji Cukali, Nikolla Basho dhe Nikolla Goëi. 12 vllenjtë e tjerë u dënuan me nga 25 vjet. Për ta takuar për herë të fundit i ati i Nikolla Bashos, Naqja, ngarkohet me ushqime në stan në Gramoz dhe niset për tek i biri në burgun e Tiranës. Naqja u nis, por askush nuk di se çfarë ndodhi në burgun e Tiranës. Familja i kishte dhënë porosi Naqes që ai të mos vonohej se të gjithë ishin në hall të madh. Ata kishin merak nëse do ta takonte të birin Nikolla Bashon. Shpresonin që ai të mos ishte pushkatuar. I ati Naqja ta gjente të gjallë. E shoqja e Naqes, Parashqevia, i thotë burrit se ajo po e priste në majë të shkëmbit të Bletës. Nëse Naqja vonohej shumë ajo do të hidhej nga shkëmbi. Por për habi Naqja nuk u kthye në stan në Gramoz as të nesërmen dhe as pas 25 vjetësh. Fillun hamendjet në stan në Gramoz dhe në Mursi të Sarandës. Shumë vllenj e kishin parë Naqen së bashku me të birin në pazarin e gjësë së gjallë në Janinë. Pas këtij lajmi jeta në familjen e Nikolla Bashos bëhet edhe më e çuditëshme. Shteti i Enver Hoxhës nuk e internoi familjen e tij. Të tjerët përfunduan në Thumanë e në Grabian të Lushnjes. Sigurimi i Shtetit sillej mirë me njerëzit e famijles. E shoqja e Nikolla Bashos, Sotira, tregon dhe një ngjarje që ta bën mishin kokrra. Sotira ishte në kullot me bagëtitë në cep të Gramozit. Pak më tutje ishte një stan i barinjëve vllenj që ndarja e kufirit i kishte lënë në anën e grekut. Stani i grekut ishte mbi një shkëmb në formën e një sofre të madhe. Një nga vllenjtë me gunë në kokë, që nuk donte të shfaqej merte një formë djathi dhe e rrokulliste në greminë. Forma e djathit nuk shkërmoqej. Vllahu e përsëriti disa herë këtë skenë. Rrrota e djathit nuk coptohej. O zot thotë Sotira vllahisht. Ç’po më shohin sytë? Provat me rrotën e djathit i bënte burri i saj Nikolla Basho në malin e Lenies. Nikolla e zinte aq mirë farën e djathit sa kur ai e rrokulliste në honin e Lenies rrota e dajthit si të qe top futbolli hidhej shkëmb mbi shkëmb dhe nuk ndahej as në dysh. Sotira që po shikonte shfaqjen e vllaut me gunë në kokë i thotë vetes se ky është buri im Nikolla Basho. Ai më njeh dhe po më cingëris mendjen e kokës. Sotira nuk dinte se ç’të bënte. Donte t’i fliste. Por erdhi njësiti i kufirit nga Shqipëria. Dhe vllahu jo shumë larg vazhdonte të lozte me rrotën e djathit. Qënkat të vërteta ato që thuhen thotë Sotira se i shoqi Nikolla Basho është gjallë. Sigurimi e ka nisur me detyra. Dhe Sotira pati shpresë që një ditë ajo ta takonte të shoqin Nikolla Bashon. Por ajo ditë nuk erdhi.

Dhimitër Basho në kërkim të magnetofonit ku janë të regjistuar zërat e Jorgji Cukalit, Nikolla Basho dhe Nikolla Goçit.

Dhimtër Basho ka vite që endet me kazma e lopata nëpër varret e fshehta të diktaturës në pyllin e Dajtit, ku gjenden kufomat e të pushkatuarëve. Më shpesh Dhimiti gjendet tek Drejtoria e Radio Tiranës. Ai ka informacion se gjyqi i grupit të vllenjëve është i incizuar. Ka qenë urdhër i Mehmet Shehut. Që gjyqi është incizuar kjo as që vihet në dyshim. Pjesë nga gjyqi i incizuar i ka transmentuar ato ditë dhe Radio Tirana. Dhe Dhimitër Basho pyet se ku mund të jetë shiriti me zërat e të akuzuarve. Ka kaluar një jetë. Dhimtër Basho është futur dhe në Arkivin e Ministrisë së Brendshme. Mirë që nuk gjenden eshtrat e të pushkatuarëve Jorgj Cukali, Nikolla Basho dhe Niklolla Goçi, por së paku të gjendet shiriti me zërat e tyre. Do të ishte një ngushëllim i madh. Në festat familjare do të dëgjohet dhe zëri i Nikolla Bashos. Pilua, i vëllai i Nikolla Goçit, i cili nuk u pushkatua ka thënë se ai e ka parë me sytë e tij magnetofonin sa një dash stani. Ishte magnetofon i prodhimit rus. Po ku mund të jëtë ky magnetofon? Dhe Dhimitër Bashos nëpër arkiva i japin shpresë. Ai do ta dëgjoj një ditë zërin e atit të tij Nikolla Bashos. Pilo Goçi ka thnë së të 15 vllenjtë janë mbrojtur si shqipe mali. As që u kishte shkuar ndër mend që të organizonin ndonjë kryengritje të armatosur. E gjitha ishte një iskenim dhe intrigë.

Presion në hetuesi dhe në gjyq me figurën e vllahut Ndina Janos, i cili për martesën e Mbretit Zog shpuri si dhuratë 40 desh dhe 40 dema.

Në komunitetin arumun në Shqipëri ka lënë emër të madh vllahu Ndina Jano, që në ato mote mbante gradën e “çelnikut”. Ai kishte si pronë 20 000 dhen dhe mijëra hektar kullotash në male të pambarimta. Me ardhjen e komunistëve në pushtet Ndina Janos ju mor e gjithë pasuria. Atij nuk ju bë asnjë lloj gjyqi dhe zhdukën pa lënë gjurmë, Thonë se pasi e vranë dhe ja dogjën trupin hirin ja hodhën në Ujin e Ftohtë në det në Vlorë. Vllau Ndina Jano mbahet mend për bëmat e tij si bamirës. E foi mbreti Zog në dasëm dhe ai i çoi tek obori mbretëror 40 desh e dyzet dema. Për të stolisur deshët dhe demat që do t’i shikonte mbreti punuan mbi njëqind  gra vllahe. Ato punuan gjashtë muaj dhe i stolisën deshët dhe demat sa mbetën pa mend dasmorët e mbretit Zog. Mbretëresha Gerlantinë bëri shumë fotografi në mes të deshëve të stolisur për dasmën e madhe. Mbreti Zog kur e shikonte në mes të deshëve e ngacmonte mbretëreshën.

Në hetuesi dhe në gjyq të akuzuarit Jorgji Cukali, Niklla Basho dhe Nikolla Goçi u bënin presion me figurën e Ndina Janos. Flisni për “kryengritjen e armatosur” ose do t’ju zhdukim njëlloj si Ndina Janon. Dhe hetuesit e mbjtën fjalën. Të tre vllenjtë me emër u zhdukën pa nam e pa nishan. Po bëhen 60 vjet dhe të afërmit i kërkojnë dhe nuk i gjejnë dot. Së paku një shenjë.

Në Xarrë të Sarandës luhet një shfaqje hamletiane

Më dtën 20 gusht të vitit 1962 në fushën e Xarrës në Sarandë, rreth njëqind metra larg nga vahu i Butrintit, Sigurmi i Shtetit mblodhi të gjithë vllenjtë e jugut. I gjetën dhe i morën me makina, me mushka, me kuaj, në këmbë, pleq të sëmurë e vllaka shtatëzëna. Qindra vllenj. Të gjithë ngrinin supet. Ishin grumbulluar përfaqësues të familjeve të vllenjëve që nga Vithkuqi, Gramozi, Gërmenji, Leskoviku, Durrësi, Vlora e Gjiroksatra. Vllenjtë i flisnin njëri – tjetrit vllahisht e vështronin të çorjentuar. Fusha e Xarrës ishte zbukuruar me flamuj e banderola. Në qendër të fushës së qëndisur ishin vendosur disa qendra zëri në madhësinë e deshëve të rracës. Altoporalntët qenë lidhur në të katër anët e Fushës së Xarrës të gjerë sa një aeroport. Në orën dhjetë tek mikrofoni në qendër të vllenjëve të ulur këmbëkryq e mori fjalën Mihallaq Ziçishti. Ai i vuri në djeni të gjithë vllenjtë se Radio Tirana do të transmetonte direkt që nga salla e gjyqit procesin ndaj armiqëve të popullit Jorgji Cukali, Nikolla Basho dhe Nikolla Goçi. nuk vonoi dhe u hapën altoporlantët. Spikeri i Radio Tiranës tha me zë të tingëllueshëm se po transmetojmë nga salla e gjyqit ato që do të thonë për popullin shqiptar armiqtë Jorgji Cukali, Nikolla Basho dhe Nikolla Goçi. Gjëmuan altoporlantët. Kryetari i trupit gjykues tha: – I pandehuri Nikolla Goçi! Tregoi popullit se sa herë je takuar në malin e Gramozit dhe në Qafën e Botës me Drejtorin e Asfalisë greke të Athinës? Nuk jam takuar asnjëherë tha me zë të lart Nikolla Goçi. Në rradhën e parë rrinte gruaja e Nikolla Goçit, Theodhora. Ajo sa dëgjoi zërin në Radio Tirana të burrit të saj, Nikollës, i shpërtheu gjaku nga hundët. Dhe i ra të fikët. E ngriti në krah Sigurimi i Shtetit. Zbulimi i Jashtëm i Shqipërisë e dinte se në ndonjë cep mes qindra vllenjëve do të ishte dhe Asfalia Greke, që filmonte për llogari të saj. Asfalia e dinte se akuza që u bëhej vllenjëve për “kryengritje të armatosur” ishte një flluckë sapuni. Grekërit e dinin se Sigurimi i Shqipërisë synonte të shtinte në duar lidhjet e Asfalisë me vllenjtë e Shqipërisë,  që banonin afër vijës së kufirit me Greqinë.

 Jorgji Cukali, Nikolla Basho dhe Nikolla Goçi e thanë troç në gjyq se ishin tolstoian. Vllenjtë nuk e kundërshtojnë të keqen me dhunë. Gjermanët i pritëm me tufa me lule dhe ata na vranë.

Në sallën e gjyqit Jorgji Cukali, Nikolla Basho dhe Nikolla Goçi deklaruan se prindërit e tyre në kohën e luftës forcave gjermane u therën dhe u poqën mishra në hell. Për vllenjtë gjermanët ishin një karvan udhëtarësh. E megjithatë gjermanët u treguan të pabesë. I qëlluan dhe i vranë prindërit tanë thanë të akuzuarit. Jorgji Cukali i vë në tavolinë trupit gjykues një kasetë me këngë në gjuhën vllahe. Është një këngë e kënduar me klarinetë. Teksti bën fjalë për një ngjarje në Qafën e Botës në Sarandë. Trupat gjermane erdhën nga Greqia. Vllenjtë u dolën përpara me tufa me lule dhe me këngë. Bën dhe kurban. Por komandanti gjerman hapi zjarr. Refreni i këngës thotë në Vllahisht. Ne ju pritëm me lule e me mish të pjekur dhe ju na vratë. Përse? Ky gjykim i ka habitur gjyqtarët. Të akuzuarit thanë se në stanet e Kozelit ka ardhur Kadri Hazbiu dhe oficer grek. Ne s’kishim punë me njeri. Ruanim bagëtitë dhe pronat tona. Me oficerët grek takohej dhe Kadri Hazbiu. Ç’kryengritje përgatitëm ne në Kozel? Si mund të na vrsni kot së koti. Kallashnikovi ynë është kërraba.

Mehmet Shehu në qelinë e burgut të Teme Sejkos

Gjykata e Armiqëve të Popullit e kishte marë vendimin për pushkatimin e Jorgji Cukalit, të Nikolla Bashos dhe të Nikolla Goçit. 13 vëllenjtë e tjerë ishin dënuar me nga 25 vjet. Pati dhe dënime më të lehta. Disa nga vllenjtë që ishin fqinj me qelinë e Temes Sejkos e pikasën Mehmet Shehun,  që u fut dhe qëndroi katër orë ne qelinë e Teme Sejkos. Vëllai i Nikolla Goçit, Pali, ka treguar se Mehmet Shehu i bërtiste Teme Sejkos. Nuk dihet se përse? Gjatë orarit të ajrimit Pilo Goçi i tregon të vëllait Nikollës të gjitha skenat që kishte parë midis Mehmet Sheut dhe Teme Sejkos. Nikolla Goçi kishte vënë duart në kokë. Si në hetuesi dhe në gjyq çfarë nuk u kishte thënë Sigurimi i Shtetit për takimet e fshehta që kishin bërë me Teme Sejkon. Takimet i paskeshin bërë në tokën e Shqipërisë në Konispol dhe në Filat të Çamërisë. Të gjithë të akuzarëve u kërkohej të tregonin se çfarë u kishte thënë Teme Sejkua për “organizimin e kryengritjes së armatosur”. Tmerr i kishte thënë të vëllait, Pilos, Nikolla Goçi që kishte qenë drejtor i Fermës së Vrinës. As ai, as Jorgji Cukali dhe as Nikolla Basho nuk ishin takuar ndonjëherë në jetë me Temes Sejkon. As që e dinin që ai ishte admiral i Flotës Detare. Vllenjtë që mbetën gjallë mësuan nëpër burgje se Teme Sejkon e kishin torturuar në qeli në Durrës dhe pasi e kishin mbytur e kishin varrosur në kodrat e Sukthit. Trupi i tij nuk gjet kurrë.

Të fundit

Arlind Qori: Kush ka devijuar votën, të vihet para përgjegjësisë penale

Komisionerët dhe numëruesit që kanë vjedhur apo transferuar votat e kandidatëve brenda partive të tyre, por edhe mes subjekteve...

Megi Fino zgjidhet kryetare e Këshillit Bashkiak, përjashtohet Endri Shabani

Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës është zhvilluar me debate ditën e sotme. Nënkryetari i Këshillit Bashkiak Julian Hodaj përjashtoi Endri Shabanin nga mbledhja,...

Kurti goditet me vezë, pezullohen 3 efektivë policie sepse nuk reaguan

Tre efektivë të Policisë së Kosovës janë pezulluar për 72 orë për shkak të mungesës së reagimit pasi eskorta e kryeministrit në detyrë Albin...

Italia në kërkim të një trajneri, ja 3 kandidatët kryesorë

Italia është në kërkim të një trajneri, pas largimit të Lucciano Spalletit. Emrat që përfliten janë të shumtë, ndërsa 3 prej tyre janë më...

Ambasada e SHBA në Tiranë publikon mesazhin: Siç ka thënë Sekretari Rubio…

Ambasada Amerikane në Tiranë ka shpërndarë në rrjete sociale mesazhin e sekretarit të shtetit, Marco Rubio, i cili dhe njëherë tjetër shpreh angazhimin e...

Lajme të tjera

Web TV