Parlamenti turk shtyn vendimin për anëtarësimin e Suedisë në NATO

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Komiteti i Punëve të Jashtme i Parlamentit turk hapi debatin mbi aplikimin e Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO, por shtyu procedurat për një datë të mëvonshme pa marrë ndonjë vendim./

Nuk dihej menjëherë se kur komisioni do të rifillonte diskutimet mbi protokollin e pranimit të Suedisë apo kur do të arrinte në asamblenë e përgjithshme të Parlamentit për fazën e fundit të procesit legjislativ.

Takimi u ndërpre pasi ligjvënësit nga partia në pushtet e presidentit Recep Tayyip Erdogan paraqitën një mocion për shtyrje me arsyetimin se disa çështje kishin nevojë për sqarime dhe se negociatat me Suedinë nuk ishin “pjekur” sa duhet.

Kryetari i komitetit Fuat Oktay u tha gazetarëve se ambasadori suedez mund të ftohet në seancën e ardhshme për të dhënë informacione të mëtejshme mbi hapat që ka ndërmarrë vendi i tij për të adresuar shqetësimet e sigurisë së Turqisë.

Turqia ka ngecur në ratifikimin e anëtarësimit të Suedisë në NATO, duke e akuzuar atë se është shumë e butë ndaj grupeve që Ankaraja i konsideron si kërcënime për sigurinë e saj, duke përfshirë militantët kurdë dhe anëtarët e një rrjeti që Ankaraja fajëson për një grusht shteti të dështuar në vitin 2016.

Turqia është zemëruar gjithashtu nga një seri demonstratash nga mbështetësit e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit [PKK], në Suedi, si dhe nga protestat e djegies së Kuranit që tronditën vendet myslimane.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan hoqi kundërshtimin e tij ndaj aplikimit të Suedisë gjatë një samiti të NATO-s në korrik dhe dërgoi protokollin e pranimit në Parlament për ratifikim muajin e kaluar.

Ndryshimi i qëndrimit të Turqisë erdhi pasi Stokholmi premtoi bashkëpunim më të thellë me Turqinë në luftën kundër terrorizmit dhe për të mbështetur ambicien e Turqisë për të ringjallur kërkesën e saj për anëtarësim në Bashkim Evropian.

Lexo edhe :  Paralajmërimi i Trump për Rusinë, rriten çmimet e naftës në tregjet evropiane

Suedia dhe Finlanda braktisën pozicionet e tyre tradicionale të mosangazhimit ushtarak për të kërkuar mbrojtje nën ombrellën e sigurisë së NATO-s, pas pushtimit rus të Ukrainës vitin e kaluar.

Finlanda iu bashkua aleancës në prill, duke u bërë anëtari i 31-të i NATO-s, pasi Parlamenti i Turqisë ratifikoi aplikimin e vendit nordik.

Marrëveshja e Turqisë për anëtarësimin e Suedisë ka qenë gjithashtu e lidhur me përpjekjet e Ankarasë për të blerë avionë të rinj luftarakë F-16 nga Shtetet e Bashkuara dhe për të përmirësuar flotën e saj ekzistuese luftarake.

Megjithatë, si zyrtarët amerikanë ashtu edhe ata turq kanë këmbëngulur se çdo marrëveshje e tillë nuk do të lidhet me anëtarësimin e Suedisë në NATO. REL/kb

Të fundit

Trump shkarkon komisionaren e Zyrës së Statistikave të Punës

Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka urdhëruar ekipin e tij që të shkarkojë menjëherë komisionaren e punës Erika McEntarfer. Urdhri...

Shpërthen vullkani në Indonezi, reja e hirit mbi 10 km e lartë

Në malin Levotobi Laki-Laki në provincën Nusa Tenggara Lindore në Indonezi, një vullkan shpërtheu sot, duke hedhur një re hiri mbi 10 kilometra të...

Berisha rri, Dumani ik!

NAMIR LAPARDHAJA - Ky është refreni i përditshëm i drejtuesve të PD-së, duke filluar nga Sekretari i Përgjithshëm, nënkryetarët e partisë, anëtarët e kryesisë...

Fshati Gjerbës pa ujë, 120 familje mbushin në çezmën e fshatit

Në zemër të Mallakastrës, mes kodrave me burime te shumta natyrore, 120 familje vuajnë për pikën e ujit. Një çezmë e vetme gjendet 2...

“Për sa kohë marr frymë, s’e tradhtoj Dodik”

“Kemi kaluar kriza të shumta; përmbytje, emigrantë, koroanvirus, konfliktin në Ukrainë, sulmin për Srebrenicën dhe provokimet nga Kosova, por Serbia nuk ka qënë kurrë...

Lajme të tjera

Web TV