Ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar qëndresë të fortë të opozitës duke nisur nga e hëna, ku do të ketë seancë Parlamentare. Përshkallëzimi i protestës mund të arrijë deri në grevë urie nga ana e disa deputetëve të PD-së, por gjithçka pritet të qartësohet në ditët në vijim, për të marrë “urdhrin” nga Berisha.
Deri tani aksioni opozitar i Sali Berishës dhe i Gazmend Bardhit ka qenë bllokimi i seancave plenare dhe bllokimi i komisioneve parlamentare duke shkatuar rrëmujë dhe një situatë anormale për zhvillimin e tyre. E përveç kësaj në seancat parlamentare nuk kanë munguar as flakadanët si dhe grushta tek- tuk mes kundërshtarëve. Por Berisha ka njoftuar risi në mënyrën se si do të protestojnë deputetët. Ai e ka lënë suprizë për shqiptarët, por ditën e hënë ka njoftuar një qëndresë pa kthim, në ditën që do të votohet edhe buxheti i shtetit. kur ende nuk është vendosur një ditë për mbajtjen e protestës, Berisha tha se Shqiptarët do të shohin të hënën qëndresën e fuqishme. Në një deklaratë për shtyp pas mbledhjes së grupit, Berisha u shpreh se kjo bëhet si përgjigje ndaj të drejtave të mohuara të opozitës. “Deputetët e PS-së mund ta quajnë të miratuar buxhetin, pa votim fare. Se nuk kanë nevojë për votim ata, janë futur në zoom, klandestinitet. Nuk njohin ata asnjë rregull. E rëndësishme është se shqiptarët do të shohin ditën e hënë qëndresën e fuqishme të përfaqësuesve të opozitës, për të drejtat kushtetuese të popullit opozitar në parlament. Betejë pa kthim. Ju lutem, ndiqni dhe do ti mësoni live të gjitha aspektet e saj”, është shprehur Berisha në një deklaratë shtypi.
Deputetët rebelë
Bujar Leskaj, Lindita Metaliaj, Isuf Çela, Ina Zhupa e të tjerë kanë qenë të pranishëm në komisionet online. Rasti i fundit ishte Edmond Spaho, i cili nuk tha asnjë fjalë, por mori pjesë në votim duke u shprehur kundër projektbuxhetit 2024. I pyetur mbi këta deputetë rebelë, Sali Berisha u përgjigj se ata kanë vepruar në emër të grupit me një qëllim të caktuar, por pa e bërë publik atë. “Ata që kanë marrë pjesë për krijimin e kuorumit nuk kanë asgjë të përbashkët me opozitën. Këta kanë shkuar të programuar, nuk kanë shkuar për kuorumin, kanë shkuar me qëllim tjetër. Se cili ishte qëllimi merr filmimet dhe më thuaj mua. E pra, i kanë detyruar të futen online. Kanë shkuar fizikisht, pala tjetër është futur online. I kanë shtyrë në klandestinitet. Ata kanë shkuar në emër të grupit. Ata që kanë shkuar për të bërë kuorumin janë shtojca, punë e atyre. Nuk bëhemi xhandarë të askujt.”, është shprehur Berisha.
Marrëveshja me Italinë
Ish-kryeministri Sali Berisha, në një konferencë me gazetarët ka deklaruar se nuk mund të protestohet kundër marrëveshjes për refugjatët midis kryeministrit Edi Rama dhe homologes së tij italiane, Georgia Meloni. Berisha u shpreh se nuk mund ta ngrejë vendin në një valë antiemigrant, ksenofobie, ndërsa shtoi më tej se ai është kundër marrëveshjes për shkak se është në kundërshtim me Kushtetutën dhe me Konventën e të drejtave të njeriut. “Në konceptin tim nuk protestohet kundër vendeve të tjera. Një vend që ka përjetuar diktaturë nuk është normale të protestojë për këto. Nuk mund të pranojmë të ngrejë vendin tim në një valë antiemigrant, ksenofobie, në një kohë kur në traditën tonë kemi pasur apo jo kemi qenë mirëpritës. Unë i përkas një force politike të djathtë dhe nuk mund të pranoj të ngrihemi në protesta. Nuk jam dakord, se në mënyrë absolute akti është në kundërshtim me kushtetutën dhe me liritë dhe të drejtat njerëzore. Pas deklaratës sime më ka marrë në telefon zv.kryeministri i Italisë, dhe më thotë Sali e pamë deklaratën dhe ia shpjegova, që jemi kundër për këto arsye. Nuk mund të ketë protesta që të nxisë ksenofobinë. Gjykoj se Italia i ka dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme Shqipërisë. Sot në shkollat italiane mund të ketë mbi 30 mijë shqiptarë. Sot në Itali ka mbi 20 mijë biznesmenë shqiptarë që dhe investojnë në Shqipëri. Në konceptin tim nuk protestohet kundër vendeve të tjera. Një vend që ka përjetuar diktaturë nuk është normale të protestojë për kët.”, tha ndër të tjera Berisha.