Nga ROLAND QAFOKU
Pensionistët do të tërheqin pensionin me kartë në automatet e bankave duke i thënë lamtumirë zarfit dhe shpërndarësit. Nëpërmjet një ligji të posaçëm, Inteligjenca Artificiale do të kryejë të gjithë procesin e prokurimeve publike dhe të tenderave.
Lufta ndaj evazionit fiskal ndaj bizneseve do të kryhet po nëpërmjet inteligjencës artificiale. Bankat do të detyrohen me ligj të mos taksojnë çdo veprim të klientëve të tyre.
Specialistja më e njohur në botë e Inteligjencës Artificiale, shqiptarja Mira Murati, e kompanisë amerikane “Open Artificial Inteligence”, do të fusë në kuadrin legjislativ shqiptar 4000 akte ligjore. Kjo do të lehtësojë afrimin e Shqipërisë drejt BE-së në aspektin ligjor dhe teknologjik.
Dhe po kjo Inteligjencë Artificiale, në Shqipëri do të përdoret në diagnostifikimet shëndetësore si dhe veçanërisht në Bujqësi duke e pilotuar si fillim në Divjakë. Në një fjalim prej 1 orë 39 minuta e 53 sekonda, kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama na paraqiti në Kongresin e Partisë Socialiste ditën e premte një pothuajse revolucion digital që as vendet e zhvilluara të BE-së nuk e kanë ende.
Me 20.000 deri në 30.000 views live, me 39 mijë views të videos dhe 3800 likes në 24 orë, shefi i qeverisë na çoi në një realitet pothuajse fantastiko-shkencor.
Si ata që e ndoqën në sallë dhe ata që e ndiqnin nga televizori, apo në platformën live stream nëpër faqe të facebook-ut dhe youtube-t duhet të kenë imagjinuar për minuta të tëra këto ndryshime spektakolare teknologjike që po paraqiteshin një e nga një në Pallatin e Kongreseve dhe që priten të ndodhin. Disa, domoes duhet të kenë pickuar veten nëse po thuhej kjo në të vërtetë, apo jo.
Dhe kur Rama ka mbaruar fjalimin, afërmendsh duhet të kenë shtruar edhe pyetjen: vërtetë do të ndodhë kjo një ditë? Po përse Edi Rama e futi Kongresin, partinë që drejton dhe të gjithë ata që e ndoqën në një botë teknologjike, imagjinare dhe futuriste duke zënë pjesën më të madhe të fjalimit në vend që të trajtonte shumë e shumë probleme që ka qeverisja e tij?
Duhet thënë se për hir të vërtetës Rama e ka të gjithë luksin politik për ta bërë këtë revolucion teknologjik deri në fund të mandatit të tretë ashtu si e premtoi në këtë kongres. Edi Ramën kryeministër dhe Partinë Socialiste në qeverisje nuk e shqetëson asgjë. As superpushteti, as pakënaqësia në popull dhe as opozita.
Prandaj, konkluzioni i parë për atë që ndodhi për gjithë ditën e premte më 8 nëntor në Pallatin e Kongreseve mund të themi se ishte Kongresi i vazhdimësisë së sigurisë politike që kjo parti të cilën tashmë e ka të çimentuar teksa përballë saj rri e shpartalluar opozita.
Ky luks politik dhe kjo siguri do të vazhdojë derisa kjo opozitë të jetë në këtë gjendje: Partia Demokratike zyrtare që nga SHBA, nëpërmjet kryetarit të saj të lumtur Lulzim Basha uron shqiptarët për Ditën e Rinisë dhe përmbysjen e regjimit komunist; Partia Demokratike e Rithemelimit që ndez flakadanë dhe përmbys karriget me revolucionin e saj demokratik, por që në fakt nuk po ndez; Grupi i deputetëve të Gazmend Bardhit që bashkëpunojnë me Rithemelimin deri te rruga automobilistike përpara Parlamentit dhe nuk shkojnë as në selinë e PD-së dhe grupi i deputetëve asnjanës nën drejtimin e Jorida Tabakut që funksionojnë mbi palët dhe nuk e “durojnë” dot këtë kacafytje brenda Partisë Demokratike.
NJË OPOZITË JASHTË REALITETIT
Ajo që të vjen në mendje pasi ke dëgjuar fjalimin e përhershëm të gjatë të Edi Ramës është se kur ka përgatitur fjalimin për në kongres duhet të ketë thënë me vete: Përse të mos them se do bëj çfarëdo që unë mund të fantazoj kur vendi nuk ka opozitë? E marr me mend se sa irritim u sjell kjo fjali disa politikanëve në Partinë Demokratike.
E marr me mend se si kërcejnë kur dëgjojnë kur thuhet se Edi Ramës dhe Partisë Socialiste nuk i hyn gjemb në këmbë me këtë opozitë. Janë gati t’i hidhen në grykë çdokujt kur thotë, apo shkruan, se Partia Demokratike është përgjegjëse dhe fajtore përse situatën që ndodhet Shqipëria politike sepse ka humbur misionin saj dhe e ka lënë vendin pa opozitë.
Se kjo parti është e shpartalluar, e copëzuar, e ndarë dhe e fragmentarizuar dhe ky është një dëm aq i rëndë sa tashmë kjo është një çështje kombëtare dhe jo vetëm e Partisë Demokratike. Por, kur në PD dëgjojnë këto fjalë nuk i marrin si realitet, por janë gati të të bëjnë palë me Edi Ramën dhe jo palë me të vërtetën që është baza e profesionit të gazetarit.
Por a mund të ndryshojë kjo situatë? Kësaj pyetje mund t’i përgjigjemi po me një pyetje: A mund të zhbëhet një realitet i bërë kaq keq në këtë parti dhe me kaq pasoja negative për politikën? Në situatën që Partia Demokratike zor se mund të ndodhë kjo sepse ka vetëm një arsye: Ndarja në katër copa e kësaj partie.
Rrjedhimisht si mund të ndryshojë situata? PD-ja e Rithemelimit premton protesta në verë dhe ato ende nuk kanë nisur as në dimër. Premton revolucion demokratik, ndërsa Rama e sfidon me revolucion digital të Inteligjencës Artificiale. Premton se do të detyrojë Edi Ramën të largohet nga pushteti dhe në fakt Edi Rama ndjehet më i sigurtë se kurrë.
PËRSE RAMA KA LUKSIN TË FANTAZOJË PËR GJITHÇKA
Prandaj Edi Rama ka luksin të bëjë çfarë të dojë dhe si të dojë. Të flas për centrale bërthamore, për satelitë shqiptarë që lëshohen në hapësirë, për vendin e parë në kontinent për rritjen e pagave dhe mirëqënies.
E ka luksin të flasë për shifra të rritura dyfish të Prodhimit të Brendshëm Bruto nga 12 milionë Euro në 2012 në 24 miliardë Euro në vitin 2024. Ka luksin të flasë se buxheti i vitit 2024 do të jetë 7.3 miliardë Euro, ndërkohë që në vitin 2013 kur erdhi në pushtet ishte 3.5 milionë Euro.
Ka luksin të flasë për 10 milionë turistët që erdhën gjatë vitit 2023 në Shqipëri duke shënuar një rekord që as vetë këtë shifër nuk e besonte se do të arrihej dhe ky është një fakt dhe jo opinion. Ka luksin të flasë për infrastrukturën që me hapjen e tunelit të Llogarasë bregdeti i Jonit pritet ta çojë në 20 milionë numrin e turistëve në vitin 2030.
Por, vetëm kaq ama dhe deri këtu. Sepse mëkatet e qeverisjes janë shumë më të mëdha. Nuk i duhet dhe as ska përse të flasë që në 10 vite janë larguar 1 milionë shqiptarë dhe Shqipëria po i ngjan orës me rërë.
Nuk i duhet dhe as ska përse të flasë se sipas studimit të PISA aftësitë e nxënësve 15-vjeçarë në matematikë, lexim dhe shkencë janë përkeqësuar ekstremisht dhe në rajon lëmë pas vetëm Kosovën. Nuk i duhet dhe as ska pse të flasë për premtimin e vitit 2013 se në Shqipëri nuk do të ketë më analfabetë funksionalë dhe se ata i takonin vetëm qeverisjes së Partisë Demokratike së vitit 2005 deri në 2013, por rezultatet e dala nga studimi i PISA-s janë shumë herë më katastrofike se togëfjalëshi që PS e kishte refrenin kundër qeverisë Berisha kur ishte në opozitë.
Nuk i duhet dhe as ska pse të flasë për një takëm zyrtarësh dhe drejtorësh të pangopur e të zhytur në korrupsion janë pjesa më e urryer e pushtetit edhe nga vetë socialistët, jo më nga populli.
Edhe ato pak fjalë që i artikuloi tangent kundër tyre, disa syresh atje të ulur në karrige portokalli të Pallatit të Kongreseve ose që e ndiqnin nga televiziori, rrinin dhe e vështronin me mendjen e mbledhur se ia kanë gjetur ilaçin shefit të madh derisa ai i ka graduar me poste dhe vijon t’i lërë në detyrë. Ndryshe nuk ka si të jetë që këta dardhangrënës pas kurrizit të Ramës hanë dhe asnjëherë nuk fryhen.
Nuk i duhen fare këto. Sepse nuk vihet në vështirësi në asnjë rrethanë nga kundërshtarët politikë. Nuk i duhen fare këto sepse në çdo moment ka sigurinë që fiton çdo garë elektorale me PD, në çdo kohë, të planifikuara ose jo, kur të dojë dhe si të dojë, si ato të përgjithshme parlamentare dhe ato lokale. Sepse e dinë mirë që me flakadanë, me karrige deputetësh të përmbysura dhe me sherret mes tyre, Partia Demokratike popullin nuk e bën kurrë për vete që të nisë revolucionin.
Prandaj, Kongresi i 8 Dhjetorit ishte një kongres digital më shumë se sa kongres programor. Partia Socialiste e tregoi edhe një herë se ka luksin ta bëjë këtë. Dhe askush nuk e ndaloni