Festat/ Konsumi bie nga emigracioni i popullatës, çmimi i bakllavasë mbetet i lartë

Rënie të konsumit këtë prag festash ka për produktet e bulmetit, brumërave dhe ëmbëlsirave me përjashtim të bakllavasë. Për përfaqësuesit e kompanive prodhuese të produkteve të bulmetit, të brumërave dhe ëmbëlsirave arsyeja kryesore e rënies së konsumit mbetet largimi i popullsisë në emigracion.

Ndërsa linjat e trageteve pohojnë se tashmë prej 8 vitesh nuk ka më fluks të ardhjes së emigrantëve në Shqipëri për festat e fundvitit.

Në këtë vigjilje festash rënia e fuqisë blerëse po ndihet më së shumti te fabrikat e përpunimit të qumështit. Taulant Pupa administrator i fabrikës përpunuese “Vita 2001” pohoi për Monitor se ende nuk fluks kërkesë për produktet e bulmetit, siç ndodh në muaj festash.

“Tashmë kërkesa për produkte bulmeti është jashtë parashikimeve tona. Aktualisht kërkesa në trendin e saj normal, ashtu siç ishte në muajin tetor apo nëntor. Rënia e kërkesës është si nga konsumatori dhe nga strukturat e hotelerisë. Nuk e prisnim këtë situatë. Mendoj se arsyeja kryesore mbetet largimi i popullatës në emigracion”. Pupa veçoi se gjatë sezonit turistik shtimi i fluksit të turistëve të huaj rriti shitjet 30% krahasuar me sezonin e 2022-it.

Rënie e konsumit ka edhe për produktet e brumërave dhe ëmbëlsirave.

Edhe Ali Devolli administratori i rrjetit “Alna” të prodhimit të produkteve të brumit dhe ëmbëlsirave tha se konsumi është me rënie për shkak të emigracionit dhe rritjes së çmimeve për produktet e tjera të shportës ushqimore.

“Pakësimi konsumit për produktet e brumit, duke përfshirë edhe të bukës dhe ëmbëlsirave nisi pas përfundimit të sezonit turistik. Tkurrja më e lartë e konsumit është te ëmbëlsirat. Arsyeja kryesorë që konsumi është me rënie mbetet emigracioni i popullatës. Faktor tjetër janë edhe çmimet e larta të produkteve të shportës ushqimore. Për pjesën dërrmuese të popullatës për shkak të të ardhurave të ulëta mbeten të papërballueshme. Kjo ka ndikuar te rënia e fuqisë blerëse”, pohon ai.

Lexo edhe :  Dy shqiptarë kapen në Itali me 15 kg kokainë

Sakaq rënie vijon të ketë edhe në fluksin e ardhjes së emigrantëve për festat e fundvitit.

Bernard Restos përfaqësuesit të kompanisë “Adria Ferris” në Durrës pohon se tashmë u bën 8 vit që fluksi i pasagjerëve në festat e fundvitit nuk është i lartë, pasi emigrantët e brezit të viteve ’90 nuk kanë më familjarë për të vizituar në Shqipëri.

Ndonëse çmimi i bakllavasë vijon të jetë i kriposur, kërkesa është me rritje

Ëmbëlsira e bakllavasë vijon të mbetet një nga produktet kryesore që familjet shqiptare konsumojnë për festat e fundvitit, ndonëse çmimet e shitjes së saj mbeten “ të kripura”.

Për këtë vit prodhuesit e ëmbëlsirës tradicionale pohojnë se nuk ,kanë ndryshuar çmimin e shitjes. Sipas tyre kërkesa krahasuar me vit mbetet më e lartë.

Konkretisht çmimi i bakllavasë tradicionale me arra kushton 1,000 lekë kg. Në periudhën e pandemisë, viti 2020 çmimi i bakllavasë me arra ishte 800 lekë për kg. Ndërsa çmimi i bakllavasë me pistaje varion nga 1,800 lekë në zonën e ish Bllokut, 2,000 lekë në zonat e Freskut dhe Kinostudios deri 2,500 lekë për kg në rrugën e Kavajës.

Shitësit e dyqanit “Istanbul Baklava” në rrugën e Kavajës pohon për Monitor se kërkesa për ëmbëlsirën e bakllavasë është me rritje krahasuar me vjet. Ata shtuan se çmimet kanë mbetur të pandryshuar prej 3 vitesh.

Edhe nga shitësit e dyqanit “Baklava in the Bllok” u pohua se çmimi nuk ka ndryshuar krahasuar me vjet.

Vitin e ardhshëm pritet rritje e çmimit të ëmbëlsirës së bakllavasë sipas prodhuesve. Monitor