Rama qetëson socialistët: S’ka zgjedhje të parakohshme

Në mbledhjen dyditore që po mbahet në Lezhë, kryeministri Edi Rama thirri ministrat, drejtuesit e PS-së dhe disa drejtorë për të diskutuar për projektet qeveritare dhe parlamentare për vitin 2024. Në analizë do jetë çdo ministri dhe nuk përjashtohem mundësia e ndonjë shkarkimi. Rama ka kërkuar angazhim më të madh të deputetëve në diskutimet parlamentare dhe në takim me elektoratin, ndërsa i ka siguruar se nuk do ketë zgjedhje të parakohshme.

Kryeministri Edi Rama e ka bërë gati rutinë që çdo fillim viti të mbledhë ministrat duke analizuar punën e qeverisë dhe këtë herë në një “mbledhje pune” të gjatë 2 ditore ka zgjedhur Lezhën për ta zhvilluar. Kësaj here nuk kanë qenë vetëm ministrat në takimin e madh të organizuar në Shëngjin të Lezhës por edhe drejtorët e drejtorive dhe strukturat drejtuese të PS-së.

Takimi

Ministrat, drejtuesit politikë socialistë, kryetarja e Kuvendit, krerët e komisioneve parlamentare dhe drejtorët e drejtorive më të mëdha në vend, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama zhvilluan një mbledhje në Shëngjin, e cila do të vazhdojë edhe ditën e sotme ku do të përcaktohen edhe prioritetet e punës për vitin 2024. Takimi duket se qëllimisht është zgjedhur të mbahet në Lezhë, aty ku porti i Shëngjinit dhe Gjadri janë përzgjedhur si dy pikat ku do të ngrihen qendrat pritëse për 36 mijë emigrantë, sipas marrëveshjes së nënshkruar midis qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, nëse Gjykata Kushtetuese do të japë “OK”. Rama është munduar të qetësojë socialistët duke ju thënë që nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, vetëm një muaj pasi i “kërcënoi” me këtë tezë. Kujtojmë se më 11 dhjetor, Rama u bëri një “dush” të ftohtë të vetëve, teksa në mbledhjen e grupit parlamentar shfaqi pakënaqësi ndaj angazhimit të dobët të deputetëve të majtë në komisione dhe seanca plenare dhe u kërkoi të reflektojnë në qasjen e tyre ndaj Parlamentit dhe vendimeve politike të PS. Mbi prezencën e deputetëve në seanca plenare, mbledhje grupi e komisione por edhe takimet e ministrave me deputetët, ka pasur edhe në mbledhjen e djeshme një diskutim të thelluar. Burimet kanë zbuluar edhe fokusin e diskutimeve, të përqendruar në një larmishmëri temash, e ndalur në veçanti te mënyra si do të vijojë jeta parlamentare pas incidenteve dhe aksionit bllokues të opozitës. Mënyra si do të zhvillohen seancat plenare tanimë që kreu i Rithemelimit Sali Berisha ndodhet në arrest shtëpie, interpelancat dhe mocionet me debat kanë marrë po ashtu vëmendje në tryezën e diskutimeve. Një listë e projektligjeve që janë depozituar në Kuvend dhe bilanci se sa janë hartuar prej qeverisë e sa prej deputetëve është hedhur po ashtu në tryezë, ndërsa ka pasur diskutime për performancën e deputetëve në debate publike, diskutime në komisione dhe prezenca në zonat elektorale. Edhe buxheti e paketa fiskale e vitit 2024 ka marrë kohën e saj në diskutime, ndërsa është kërkuar angazhim për ligjet që dërgohen në Kuvend, të cilat duan shumicë të cilësuar, siç është amnistia për të burgosurit. Në takimin dyditor informal të qeverisë, ku marrin pjesë rreth 70 funksionarë, surprizë ishte edhe pjesëmarrja e ministrit të ri, ndonëse ende i pa-dekretuar, ai i Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, që do të drejtojë dikasterin e rëndësishëm të sapo formuar, që erdhi pas shkrirjes së Ministrisë së Kulturës, e rrjedhimisht largimit të Elva Margaritit. Edhe kjo e fundit është e pranishme në takim. Në takim janë edhe krerët e komisioneve parlamentare, zv.ministrat, drejtuesit politikë të qarqeve dhe kryeparlamentarja Lindita Nikolla. Po ashtu e pranishme është edhe drejtoresha e AKSHIT, Mirlinda Karçanaj, drejtoresha e Kadastrës Dallëndyshe Bici, si edhe drejtoresha e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, Eridana Cano.