Reshje të dendura bore dhe ngricat ekstreme kanë përfshirë disa rajone të Gjermanisë. Më të prekura janë zonat në Gjermaninë qendrore dhe jugore. Në aeroportin e Frankfurtit janë anuluar fluturimet.
Rrugë e shtigje të mbuluara me shtresë akulli në jugperëndim të Gjermanisë nga shiu i ngrirë dhe reshjet e borës janë kthyer në pista të rrezikshme rëshqitjeje për kalimtarët dhe automjetet. Shërbimi sinoptik i Gjermanisë ka njoftuar qysh të martën (16.01.2024) pasdite për rrezikun e motit ekstrem kryesisht në landet qendrore dhe jugperndimore Renani-Palatinate, Hesen, Landi Zarës, Saksoni, Tyringji si dhe në Baden-Vyrtenberg dhe Bavari e pjesërisht edhe në Renaninë Veriore-Vestfali. Sipas meteorologëve gjatë gjithë ditës së mërkurë (17.01.2024) deri të enjten paradite duhen shmangur daljet e panevojshme në rrugë, për të evituar rreziqet.
Në të gjithë Bavarinë është dhënë sinjali i kuq meteorologjik. Në disa qarqe situata është kritike. Ka segmente të përfshira nga stuhi me reshje ekstreme të borës. Për shkak të motit ekstrem në shumë rajone nëpër shkolla u anulua mësimi në prezencë.
Policia në Baden-Vyrtenberg dhe në Landin e Zarës njofton për aksidente në rrugë, por që kryesisht kanë pasur pasojë dëme materiale. Vetëm në Landin e Zarës janë regjistruar mbi 80 aksidente.
Këmbësorët ecin me kujdes nëpër rrugët me akull
Edhe rajoni jugor i landit të Renanisë Veriore-Vestfalisë është përfshirë nga moti ekstrem. Shkollat në rajoninet e Ahenit, Këlnit, Olpes dhe Vinterbergut qendruan të mbyllura. Në landin e Hesenit po ashtu në shumë shkolla nuk ka pasur mësim në prezencë./O.S