Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, ka deklaruar se në Ministerialin e 10-të të Korridorit Jugor të Gazit dhe Ministerialit të 2-të për energjinë e gjelbërt, janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh me palën azerbajxhanase përsa i përket zhvillimeve ekonomike dhe një marrëveshje që ka të bëjë me heqjen e vizave midis dy vendeve.
Sakaq, ajo ka zbuluar se është diskutuar gjithashtu për sa i përket të gjithë prioriteteve që kanë të bëjnë me gazifikimin e disa prej vendeve kryesore apo edhe me linjat e transmetimit të gazit të cilat tashmë janë konkrete dhe operojnë në të gjithë Europën.
Fjala e plotë e ministres Balluku:
Në Baku është zhvilluar Ministeriali i 10-të i Korridorit Jugor të Gazit, ndërkohë që njëkohësisht është zhvilluar dhe Ministeriali i dytë për energjinë e gjelbër me prezencën e Komisioneres, Katherine Simpson të Bashkimit Europian, por sigurisht me prezencën e të gjithë ministrave që janë pjesë e këtyre dy tryezave të rëndësishme dhe sigurisht ka pasur edhe një të ftuar nderi kësaj radhe i Presidentit Alijev, që ka qenë Kryeministri Edi Rama.
Është diskutuar gjatë dhe gjerë përsa i përket të gjithë prioriteteve që kanë të bëjnë me gazifikimin e disa prej vendeve kryesore apo edhe me linjat e transmetimit të gazit të cilat tashmë janë konkrete dhe operojnë në të gjithë Europën. Por pas agresionit rus në Ukrainë, sigurisht gazi ka qenë një nga çështjet më të rëndësishme të diskutuara përsa i përket furnizimit për të gjithë Europën, por sigurisht dhe krijimit të depozitave të sigurisë, pasi sot flitet gjerësisht për një axhendë të gjelbër që Shqipëria sigurisht kryeson ashtu si dhe vendet skandinave duke qenë se prodhimi jonë është i bazuar 100% mbi burimet e rinovueshme. Por nga ana tjetër krijimi i infrastrukturës së gazit dhe krijimi i një mundësie për të pasur burime alternative sigurisht do ti jepte Shqipërisë, por edhe rajonit një siguri më të lartë energjetike.
Sot ka qenë një ditë e veçantë gjithashtu pasi janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh me palën azerbajxhanase përsa i përket marrëveshje ekonomike dhe zhvillimeve ekonomike që do të ketë midis dy vendeve në të ardhmen, sigurisht dhe një marrëveshje që ka të bëjë me heqjen e vizave midis dy vendeve. Ne do të vazhdojmë me takime të rëndësishme gjatë ditës së sotme për të arritur dhe në konkluzione të tjera të zhvillimit ekonomik dhe të një përafrimi tjetër të marrëdhënieve që dy vendet tona kanë prej shumë kohësh në një mënyrë bilaterale të shkëlqyeshme./kb