Amnistia Penale/ Falja e të korruptuarve mban ende peng draftin

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja shprehu gatishmëri për tu tërhequr nga amnistimi e të dënuarve nga Gjykata e Posaçme, ndërsa tha se drafti duhet të marrë të gjitha votat në Kuvend. Në një prononcim për mediat, pas vizitës së të dënuarave në Burgun e Grave në Ali Dem, Manja u ka bërë thirrje kolegëve ta votojnë.

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja është shprehur se janë të gatshëm të tërhiqen nga amnistimi i të dënuarve nga Gjykata e Posaçme, ndërsa tha se drafti duhet të marrë të gjitha  votat në Kuvend. Në një prononcim për mediat, pas vizitës së të dënuarave në Burgun e Grave në Ali Dem, Manja tha se nëse ky amendament është problemi, do të tërhiqen. “U bëj thirrje të gjithë kolegëve të mi në Kuvendin e Shqipërisë, pa përjashtim… dhe një nga arsyet se unë pres ditën kur ta fusim në rendin e ditës, ka të bëjë me votën që duhet të marrë, jo thjesht 84 vota. Unë kam thënë se ky ligj amnistia, që ka 4 vjet që nuk është bërë të marrë votën e të gjithë deputetëve.

E kam thënë që ditën e parë, nëse problemi është ai amendament, ne kemi deklaruar, jemi të gatshëm të tërhiqemi, sepse nuk ka qenë në versionin fillestar të amnistisë. Por nëse do të pyesni një zonjë brenda burgut, i cila është dënuar nga GJKKO dhe kur i thashë që ka një qëndrim për këtë, mendojeni dhe pozitën e asaj që priste të përfitonte 1 vit e gjysmë viti ulje dënimi, por fatkeqësisht dakordësia dhe kompromisi për ta kaluar atë ligj, është heqja dorë nga ai amendament. Ne jemi të gatshëm të tërhiqemi nga amendamenti”, tha Manja.

“Përplasja” për amnistinë penale

Një amendament i socialistëve bëri që kryedemokrati Lulzim Basha të akuzojë PS-në se po tenton të shpëtojë zyrtarët e korruptuar. Por, PS thotë se bëhet fjalë vetëm për ulje të dënimit me 1 vit për burrat dhe 1 vit e gjysmë për gratë e të miturit edhe për ata që janë dënuar nga GJKKO,e jo ata që po hetohen apo gjykohen aktualisht nga SPAK e GJKKO. Kështu në pamundësi për pasjen e 84 votave, PS u tërhoq nga votimi javën e kaluar. Kryetari i PD-se Lulzim Basha tha se nuk do të votonte pasi PS synon të falë të korruptuarit ndërsa kushtëzoi votën me faljen e protestuesve, amendament që PS e ka pranuar, por pa falur protestuesit e dhunshëm.

Rithemelimi ka të njëjtat pretendime, por votën pro nuk e premton pasi ndodhet në aksion. Dy grupet e PD u mbështeten edhe nga PL e aleatët në bllokimin e votimit për amnistinë penale. Kujtojmë se për kalimin e Amnistisë Penale në Kuvend, duhen 84 vota, të cilat mazhoranca nuk i ka.

Drafti

Nga nisma ligjore e qeverisë do të përfitojnë mbi 700 të dënuar, duke u bazuar në parimin e humanizmit, riintegrimit, por edhe duke i dhënë zgjidhje problemit të mbipopullimit në institucionet e vuajtjes së dënimeve penale. Ndryshimet ligjore, sipas edhe dakordësimit në komisionet parlamentare, do të kenë fuqi për të dënuarit dhe personat nën hetim për të cilët kanë një vendim të tillë deri më datën 31 janar 2024 dhe jo në 21 nëntor 2023, siç ishte parashikuar nga Ministria e Drejtësisë.

Sipas ndryshimeve ligjore parashikohet që përjashtohen nga vuajtja e dënimit: Personat meshkuj, të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 4 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 31.01.2024, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi. Po ashtu përfitojnë personat femra, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 5 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 31.01.2024, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.

Lexo edhe :  Erion Veliajt i komunikohen akuzat në paraburgimin e Durrësit

Përfitojnë edhe personat meshkuj, dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 4 vjet; Personat femra, dënuar me burgim, të cilave, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 5 vjet; Personat e dënuar meshkuj, të cilët në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji janë baras ose mbi moshën 60 vjeç; Personat e dënuar femra, të cilat, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç; Personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç. Nuk përjashtohen nga vuajtja e dënimit personat, të cilët i janë shmangur drejtësisë. Në projektligj sqarohet se edhe nëse një person i dënuar përfiton nga kriteret e përmendura më lart, nuk përfiton nga amnistia, nëse veprat penale që ka kryer janë parashikuar si kritere ndaluese në këtë projektligj.

Kësisoj, nuk përfitojnë nga amnistia persona që kanë kryer vepra penale të tilla si: Krimet kundër njerëzimit; krimet e rënda kundër jetës; veprat penale të kryera me dashje kundër shëndetit; krimet seksuale; veprat penale kundër lirisë së personit; veprat penale kundër moralit dhe dinjitetit; veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes; vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike; vepra penale kundër falsifikimit të dokumenteve; veprat penale që cenojnë regjimin juridik të tokës dhe të ndërtimeve; vepra penale kundër mjedisit; krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues; krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera; vepra me qëllime terroriste; krime kundër autoritetit të shtetit; vepra penale kundër drejtësisë; vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve; vepra penale të kryera nga banda të armatosura dhe organizata kriminale.

Po ashtu, nuk përfitojnë nga amnistia personat e dënuar me burgim të përjetshëm dhe personat e dënuar, akuzat penale ndaj të cilëve janë gjykuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Gjithashtu, përjashtohen nga amnistia personat që i janë shmangur drejtësisë. Ndërkohë, nuk përjashtohen nga vuajtja e dënimit personat e fshehur, të arratisur ose të ikur, të cilët, megjithëse kanë dijeni, i shmangen me vullnet procedimit penal, zbatimit të masave të sigurimit ose ekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë të dënimit. “Ky parashikim është bërë për shkak se qëllimi i amnistisë është rehabilitimi i personave dhe personat që i shmangen drejtësisë nuk mund të përfitojnë nga kjo masë e cila në thelb ka humanizmin dhe riintegrimin, pasi me veprimet e tyre kanë treguar se nuk janë në kushtet e rehabilitimit dhe nuk synojnë pikërisht këtë riintegrim”, saktësohet në relacionin bashkangjitur pr/ligjit.

Në projektligj sqarohet se të gjithë personat e dënuar, të cilët nuk plotësojnë kriteret për t’u përjashtuar nga vuajtja e dënimit, edhe pse plotësojnë kriteret për përfitimin e amnistisë, u zbritet: 1 vit e gjysmë nga dënimi i mbetur, për personat e dënuar, gra, dhe të mitur; 1 vit nga dënimi i mbetur, për personat e dënuar, burra.

Edhe në këtë rast nuk përfitojnë të dënuarit me burgim të përjetshëm dhe personat të cilët i janë shmangur drejtësisë. Në mbledhjen e fundit të Komisionit të Ligjeve, kur u miratua dhe drafti final, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja shprehu dakordësinë për propozimet e bëra nga relatori dhe nga deputetët e opozitës, ku sqaroi se është pranuar amnistia për veprat penale bazike që lidhen me organizimet e protestave, vepra penale kundër rendit dhe sigurisë publike, por jo për personat e armatosur në protestë dhe veprat penale “goditje për shkak të detyrës”, “shkatërrimi i pronës me zjarr”, “shkatërrimi i pronës”.

 

 

Të fundit

“Kanë marrë peng hapësirën komunitare”/ Rama: Çdo hapësirë do t’i kthehet komunitetit

Kryeministri Edi Rama ka ndarë një tjetër video që tregon zaptimin e hapësirave publike. Në videon e postuar në...

“Nga i nxehti afrikan te rrebeshet e shiut”/ E diela sjell kthesën e papritur të motit

Pas një prej ditëve më të nxehta në dy apo tre dekadat e fundit, Shqipëria ndodhet nën ndikimin e një vale të fortë të...

Situata me zjarret/ 17 vatra aktive, 1000 forca në terren, mbështetje nga ajri

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka bërë të ditur se situata e zjarreve në vend mbetet kritike, me 17 vatra aktive në disa qarqe...

Durrësi po vuan ujin e pijshëm, bashkia me arrogancë ndaj bizneseve

Anëtarja e Këshillit Bashkiak të PL-së në Bashkinë e Durrësit, Anisa Ibraj, dha sot një deklaratë ku denoncoi dukurinë e mungesës së ujit të pijshëm...

Gara ndërkombëtare, “Enkelana” starton me maratonën e bebeve në Pogradec

Maratona ndërkombëtare Enkalana që bëhet çdo vit në Pogradec e ka ngritur siparin e saj këtë vit me aktivitetin e veçantë, “Maratonën e bebeve”. Fëmijë...

Lajme të tjera

Web TV