Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ka njoftuar ditën e sotme se Shqipëria është përzgjedhur këtë vit si vendi organizator i Konferencës Rajonale Europiane të Interpol.
Përmes një njoftimi në rrjetin social “Facebook”, Balla njofton se ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit do të mirëpresin më 11-13 qershor të këtij viti, drejtuesit më të lartë të policisë nga e gjithë Europa dhe vende të tjera për të diskutuar forcimin e bashkëpunimit.
Sipas Ballës, vendimi për të zhvilluar këtë konferencë në vendin tonë vjen si vlerësim i performancës së lartë të policisë shqiptare dhe bashkëpunimit të ngushtë të kësaj të fundit me INTERPOL, ndërveprim i cili u konkretizua me ekstradimet e sotme të dy shqiptarëve nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, si dh me kapjen nga policia spanjolle e Lutfi Xekës, i cili ishte i dënuar me 4 vite burg nga drejtësia shqiptare për kultivim kanabisi.
Në vlerësim të rezultateve të arritura nga Policia e Shtetit, Shqipëria është përzgjedhur këtë vit si vendi organizator i Konferencës Rajonale Europiane të Interpol, organizatës më të madhe policore me 196 anëtarë në mbarë botën.
Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit do të mirëpresin më 11-13 Qershor 2024 drejtuesit më të lartë të policisë nga e gjithë Europa dhe vende të tjera për të diskutuar forcimin e bashkëpunimit. / S.M