Vera e re në fuçinë e vjetër/ Një analizë për raportin vjetor të SPAK

Nga ROLAND QAFOKU

Kaloi me shumë pak komente raporti vjetor i SPAK i paraqitur përpara KLP  të enjten e 4 prillit nga Altin Dumani për institucionin që ai drejton përgjatë vitit 2023. Në media u trajtuan disa detaje, në disa raste të parëndësishme që më shumë ishin të njohura dhe nuk kishin ndonjë vlerë reale. Në fakt ky raport është më i rëndësishmi që publiku shqiptar ka parë dhe dëgjuar jo vetëm për vitin që kemi lënë pas, por besohet edhe për të gjitha vitet pas rrëzimit të komunizimit. Kjo për arsyen sepse ai ka vlerën e shumatores së çfarë ka prodhuar në realitet reforma e re e drejtësisë e miratuar në vitin 2016 me 140 votat unanime në parlament. Ai merr vlerë edhe për faktin se është i pari raport i bërë publik dhe me kaq të dhëna të bëra publik për shqiptarët, por edhe pse për herë të parë kemi një bilanc me kaq shumë konkluzione. Mbështetur në raportin e plotë po analizojmë pjesët më të rëndësishme të dalë në konkluzionet më themelore që kanë nxjerë prokurorët e SPAK. Ajo që rezulton si pjesa më e rëndësishme e këtij raporti është qartësia se ky institucion, 3 vjet e gjysmë pas krijimit tashmë ka marrë formë të plotë dhe nuk rezulton të jetë pjesë e politikës. Ai tregon se as qeveria, as mazhoranca, e as opozita e as individë të veçantë nuk e diktojnë dhe ndikojnë te ky institucion. Fakti që 69 përqind e shqiptarëve besojnë se SPAK është i pavarur është një shifër që e konfirmon këtë pavarësi. Edhe pse të dy kahjet e politikës kanë hedhur akuza të rënda ndaj tij, po ato janë po aq të zellshme për të depozituar padi në këtë institucion duke treguar edhe besim që kanë për të. Por cilat ishin vlerat e këtij raporti? I marrim me radhë.

DEMASKIMI I POLICISË DHE DREJTËSISË SË INKRIMINUAR

Nëse ky raport ka një pikë kulmore tejet të rëndë teksa konkludohet se oficerë të rangjeve të larta të Policisë së Shtetit si dhe funksionarë të organeve të drejtësisë, prokurorë dhe gjykatës kanë lidhje të forta me krimin e organizuar. Pasoja e kësaj lidhjeje është dekonspirimi i operacioneve, por edhe bërja pjesë edhe e garës në konkurencën mes grupeve kriminale. Shkruhet në raport:

“Oficerë të policisë dhe funsionarë të organeve të drejtësisë kanë bashkëpunuar me grupet kriminale dhe kanë bërë që të dekonspirohen operacionet e policsë, ata kanë njoftuar personat kundërshtarë që janë vënë në shënjestër për t’u vrarë, kanë dhënë informacione individëve të ndryshëm dhe kanë kryer aktivitet për pengimin e drejtësisë”.

Kjo është hera e parë që SPAK bën një akuzë kaq të rëndë për këto dy institucione. Për policinë është thënë dhe stërthënë që segmente të saj kanë lidhje me krimin e organizuar. Por kur kjo konstatohet nga SPAK që është organi më i specializuar i hetimit, situata vërtetë është shumë e rëndë. Madje më e rëndë akoma është e dhëna se oficerë të policisë në nivel lokal por edhe qendror kanë dhënë informacione për grupet rivale kriminale dhe kjo e kompromenton edhe më shumë policinë. Prandaj drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme u del si detyrë primare pastrimi i radhëve të policisë nga të tillë element. Por edhe më shqetësues është lidhja e grupeve kriminale me prokurorë dhe gjykatës. Në raport theksohet se kanë qenë pikërisht ata që kanë penguar drejtësinë për kryerjen e hetimeve dhe dhënien e vendimeve të drejta. Pikërisht këto dy lidhje të forta me përfaqësues të shtetit që kanë detyrë luftën ndaj krimit të organizuar, ka bërë që ai të ndjehet shumë herë më i fortë.

DEMASKIMI I INSTITUCIONEVE QË FSHEHIN KORRUPSIONIN

Sa më shumë që SPAK e ka rritur nivelin e luftës ndaj krimit të jakave të bardha aq më e ulët ka qenë shkalla e denoncimeve nga ana e institucioneve të shtetit. Sipas Altin Dumanit numri i padive nga institucionet publike në SPAK përgjatë vitit 2023 ka rënë me 40 për qind. Kjo është një shifër vërtetë shumë e lartë që tregon edhe frikën e institucioneve ndaj Strukturës së Posaçme Antikorrupsion por tregon edhe një tërheqje për të goditur dhe bërë vetë denoncim. Kjo hedh poshtë mburrjen që bëjnë disa institucione shtetërorë se në Shqipëri është rritur lufta ndaj korrupsionit. Që lufta ndaj korrupsionit është rritur kjo është evidente, por kjo ëshë meritë vetëm e SPAK dhe si të tillë qeveria nuk duhet ta ketë më këtë pjesë të artikulimeve të saj.

A ËSHTË KY SPAK-U QË KËRKONIM?

Pas më shumë se tre vitesh që është krijuar mund të themi se SPAK nuk është një makineri e përsosur, por jemi të bindur se është një institucion në rrugën e mbarë për atë që u krijua. Në këto 34 vjet që nga rrëzimi i komunizmit është i vetmi institucion që ka bërë klasën politike të dridhet. Sigurisht që me kaq sa është bërë deri tani është e pamjaftueshme, por shifrat e raporti për vitin 2023 janë tejet inkurajuese. Gjatë këtij viti janë 23 personalitete të larta politike që janë me statusin në hetim dhe të pandehur: 3 ish gjyqtarë të shkallës së parë, 1 ish gjyqtar i Apelit, 1 ish prokuror, 5 ish kryetarë bashkie, 1 ish kandidat për kryetar bashkie, 2 kryetarë bashkie, 1 ish ministër finance, 1 ish ministër i Mbrojtjes, 1 ish ministër Mjedisi, 1 ish ministër i Shëndetësisë, 1 ish zëvendësministër i Shëndetësisë, 1 ish kryeministër; 1 ish sekretar i përgjithshëm i ministrisë së Mjedisit, 1 ish sekretar i përgjithshëm i ministrisë së Drejtësisë; 1 ish sekretar i përgjithshëm i ministrisë së Shëndetësisë. Në një vit kalendarik Shqipëria nuk ka pasur asnjëherë kaq zyrtarë që të kenë punë me drejtësinë. Por ndërsa prangat janë vetëm një masë, marrja e pasurive të atyre zyrtarëve që akuzohen për korrupsion është vërtetë e lartë. Kështu janë sekuestruar dhe konfiskuar 41 milionë Euro. Nga këto 22.5 milionë janë të konfiskuara dhe 18 milionë Euro të sekustruara. Ndërkaq konstatohet se SPAK ka rritur me 20 për qind numri i çështjeve të regjistruara për korrupsion dhe 16 për qind më shumë procese të regjistruar gjatë 2023 në krahasim me një vit më parë. Dhe një tjetër tregues është edhe shifra 53 për qind është rritur dhënia e fajësisë që SPAK ka marrë nga gjykatat. Po ashtu, është rritur me 139 për qind nisja e hetimeve kryesisht në krahasim me vitin 2022. Të gjitha këto rezultate kanë sjellë që Shqipëria të dalë nga zona gri përsa i përket pastrimit të parave, një arritje jo pak e vogël kjo.

Lexo edhe :  “T’i thuash një deputeti të PD ‘kandido në Tiranë’, është sikur ta vrasësh”

KRIMI I ORGANIZAUR

Për herë të parë SPAK ka zbërthyer skemën se si janë të strukturuar por edhe mënyrën e funksionimit të grupet kriminale shqiptare Sipas raportit, grupet kriminale shqiptare përbëhen nga 15-25 persona. Ato janë polikriminale dhe në aktivitetin e tyre përfshihet trafiku i narkotikëve, vrasjet, rrëmbimet, mbajtja pa leje e armëve dhe mjeteve shpërthyese, dhuna. Karakteristika kryesore e këtyre grupimeve është lidhja që ata kanë krijuar nëpërmjet pagesave me prokurorë, gjykatës, oficerë policie të rangjeve të ndryshme, kryepleq të fshatrave që përbëjnë bazën e dekonspirimit të aksioneve të policisë dhe pengimin e drejtësisë dhe dhënien e të dhënave për grupet rivale. Një tipar dallues i krimit të organizuar shqiptar është angazhimi i femrave në botën kriminale. Në raport shkruhet se ato janë bashkëjetuese e krerëve të organizatës dhe janë shumë të besueshme. Ndërkaq, vrasjet me pagesë e grupeve kriminale janë forma e sofistikuar e vrasjeve që nuk lënë gjurmë. Një tjetër mënyrë se si funksionojnë këto grupe janë edhe format e koduara të komunikimit me aplikacione të ndryshme. Grupet kriminale shqiptare kanë sofistikuar veprimet si rezultat i përplasjeve me grupe të tjera. Një element tjetër është shtrirja e aktivitetit të tyre edhe në tregjet ndërkombëtare si në Amerikën e Jugut, BE dhe Britani. Baza e grupeve kriminale shqiptare janë lidhjet familjare dhe shoqërore. Një tjetër karakteristikë është përfshirja e biznesmenëve të fuqishëm lokalë në lidhjet kriminale me grupet kriminale të cilët luajnë rolin e ndërmjetësit, bëjnë tregti, ofrojnë lidhje me policinë dhe organet e drejtësisë por edhe me administratën publike veçanërisht për dhënie informacioni.

QYTETET E KRIMIT

Nga 61 qytete bashki që ka Shqipëria, në hartën e SPAK 9 prej tyre veçohen si baza të krimit të organizuar dhe ku ai tregon dhëmbët. Kryeqyteti shqiptar është edhe kryeqyteti i krimit në Shqipëri. Tirana ka si specifikë se është kampion për pastrimin e parave të pista. Ndërkaq, qyteti i dytë më i inkriminuar është Durrësi. Sipas raportit janë tre vepra penale që në këto qytete konsumohen më shumë: trafiku i drogës, korrupsioni i zyrtarëve dhe vrasjet. Vlora është qyteti i tretë më i inkriminuar dhe veçohet për trafikun e drogës dhe vrasjet. Gjirokastra dhe Kurbini janë qytet ku më së shumti funksionon trafiku i drogës. Fieri është qyteti ku funksionon trafiku i drogës dhe vrasjet. Elbasani i veçuar për vrasje. Kurbini për trafikun e drogës dhe Shkodra për korrupsion të zyrtarëve dhe vrasjet. Ndërkohë një qytet si Fushë- Kruja ndonëse i vogël në sipërfaqe dhe banorë, veçohet për vrasje, blerje armësh dhe mjete shpërthyese dhe vjedhje makinash që shërbejnë për vrasje.

TRAFIKU I DROGËS

Trafiku i drogës i grupeve kriminale shqiptare është bërë transnacional. Grupet kriminale të trafikut përdorin Durrësin si pikë tranziti për drogën që vjen nga Ballkani dhe shkon në Itali. Në raport theksohet se ata trafikojnë drogë kryesisht kokainë, marijuanë dhe më pak heroinë të cilësisë së lartë në Amerikë, Spanjë, Hollandë, Mbretëri e Bashkuar, Greqi, Gjermani. kokainë dhe marijuanë dhe sasi të pakët heroine. Më i rëndësishmi është trafiku i kokainës. Grupet kriminale shqiptare janë të stacionuar në Amerikën e Jugut. Më pas bëjnë tregti në BE, Britani dhe Ballkan. Kokaina që tregtojnë është e një cilësie shumë të pastër dhe për të marrin porosi dhe e shpërndajnë mbi bazën e kërkesave dhe lidhjeve me grupe të huaja kriminale. Grupet shqiptare përdorin këto porte për transportin e kokainës: Gioia Tauor Itali, Roterdam Hollandë, Antëer Belgjikë, Algecirars Spanjë, Pire Greqi, Durrës dhe Tivar. Por ka raste që përdorin edhe rrugë ajrore si Aeroporti i Frankfurtit. E veçanta është se organizatat kriminale shqiptare janë të përbërë nga 20 persona grupi. Ata përdorin teknika të veçanta dhe të avancuara të funksionimit. Megjithatë sipas raportit pak kush shpëton nga drejtësia. E gjithë koha e nisjes së aktivitetit deri në arrestimin e tyre shkon 7 vjet.

VRASJET ME PAGESË.

Elementi më i rrezikshëm i grupeve kriminale shqiptare janë vrasjet me pagesë. Ato përbëhen nga 4 deri në 7 anëtarë, por vetëm 2 prej tyre janë kyc. Edhe këto grupe janë polikriminalë. Ata marrin porosi vrasje por kryejnë edhe vjedhje dhe grabitje të pikave të këmbimit valutor. Të dhënat janë se mjetet e krimit sigurohen mjetet shpërthyuese në Kosovë, ndërsa makinë dhe motorrët i sigurojnë në Elbasn, Durrës dhe Fushë Krujë. Një tjetër e vecantë ështe se komunikimi i tyre bëhet me platformën SKY ECC.

PASTRIMI I PARAVE

Ndonëse Shqipëria ka dalë nga zona gri e pastrimit të parave, raporti i Altin Dumanit në këtë fushë tregon të zezat e kësaj fushe. Konkluzioni më i rëndësishëm është se është në rritje numri i biznesmenëve që janë përfshirë në pastrimin e parave duke u bërë pjesë e skemave të lavatriçeve të parave. Një tjetër konkluzion i rëndë është se në këtë sipërmarrje janë bërë pjesë edhe bankat e nivelit të dytë. Tashmë mënyrat dhe metodat janë shumë herë më të rafinuara. Sipas Dumanit rasti më tipik është i një personi që pastronte para për llogari të Cosa Nostrës në Itali. Ai kalonte para nga një fondacion i hapur prej tij me qëndër Lichtenstein, por me llogari bankare të hapur në Zvicër. Paratë si fillim u transferuan nga llogaria e fondacionit në llogarinë e tij personale por në të njëjtën bankë në Zvicër. Prej aty, me anë të një shoqërie në Shqipëri që luante rolin e ndërmjetësuesit paratë do të vinin në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri. Më pas këto para do ti kalonin një shoqërie tregtare shqiptare që merrej me tregtinë e karburanteve në formë huaje dhe kjo shoqëri do ti transferonte në Hong Kong te një shoqëri tjetër tregtare që do të shërbente si garantuese për kryerjen e transaksioneve fiktive për blerje karburantesh. Për këtë shërbim shoqëria shqiptare do të fitonte 16 për qind, të vlerës së parave që do të pastroheshin, ose 3 milionë Euro. Kjo ishte vetëm një histori e bërë publik në këtë raport por janë me dhjetra të tjera që janë pjesë e hetimeve. Veçohet në raport se ata që pastrojnë para i investojnë ato në troje, ndërtim dhe bizhuteri.