Nga Nesip Kaçi
Sali Vranishti lindi në fshatin Vranisht të Vlorës më 20 mars të vitit 1880. I ati i tij Murat Mamani kishte marrë pjesë në luftën kundër pushtuesve osmanë në fund të shekullit të kaluar. Si gjithë fshatarët e tjerë të Vranishtit, ai u muar një jetë të tërë me blegtori dhe punoi ato pak toka që kishte në Shënepremte në kufi me fshatin Tërbaç. Murat Mamani dhe bashkëshortja e tij, Sara, lindën katër fëmijë. Saliu ishte fëmija i parë. Kur Saliu u bë 12 vjeç i ati e mori me vete pas bagëtive. Jeta në male e kaliti Saliun me trup të fuqishëm dhe rrezistent. Saliu mësoi shumë legjenda dhe histori. Në marrëdhëniet shoqërore në fëmijërinë dhe rininë e tij mbahet mend si djalë i urtë dhe i sjellshëm.
Kur populli ynë u ngrit në këmbë kundër Tanzimatit, gjyshi i Saliut, kishte luftuar kundër taboreve osmane me parullën: ” Nizam e xhelepe s’ka, është vëndi fukara. ”Sali Murati, ose, siç do ta quajmë më tutje, Sali Vranishti e urrente pushtimin osman se fshati i tij ishte katandisur keq e mos më keq. Gjëndja ishte e mjerueshme, iknin djemtë nizamë larg nëpër shkretëtira dhe më të shumtët nuk ktheheshin më të gjallë. Saliu nuk shkoi nizam. Vranishti paguante vergji, të dhjetat, xhelep e taksa të tjera, si taksa e përjashtimit nga shërbimi ushtarak, taksa e martesës dhe e kullotës.
Vranishti i asaj kohe vlonte nga urrejtja kundër rregjimit pushtues osman. Një ditë Saliun e ofendoi një suvari (kalorës osman) dhe Saliu i tha c’farë të bëra? Pse më ofendon? Erdhi puna që suvariu i drejtoi armën ta vriste. Saliu e çarmatosi, i mori dhe kalin. Në këto kushte i ati i Saliut, Murat Mamani, s’mundte më ta mbante djalin në fshat.
Kështu që Saliu mori lart malin e Shashicës e zbriti në Dukat. E kërkuan koshallet ( organet e ndjekjes turke) Saliun nëpër Topalli por nuk e gjetën. Koshallet goditën me pëllëmbë kryeplakun e fshatit. Këtë e mori vesh dhe Saliu dhe djemtë e fshatit, u përleshën me mylazimin ( togerin) dhe koshallet, morrën në krahë komandantin e tyre të plagosur dhe ikën.
Kjo ishte një ditë e shënuar për Sali Muratin, i cili doli komit. Të tillë rini kaloi Saliu, me halle, vuajtje e ndjekje nga armiku. Në gushtin e vitit 1902 Sali Vranishti doli komit në moshën 22 vjeç me veshjen karakteristike të Labërisë, po përqafohej me njerëzit e vëllezërinë e tij. Të nesërmen e ngrysi në shpellat e Alizogës në majë të Çikës. Ditën e tretë kaloi në majën e Merimerit. Me muaj e vite ai u bë banor i malit, i shpellave të malit. Mylazimi (togeri), me shumë forca u kthye sërish në Vranisht dhe kërkonte maleve e staneve Sali Vranishtin, por nuk ra në gjurmët e tij.
Ai u inatos shumë kur mori vesh se kishte dalë malit komit. “Edhe në fund të dynjasë të vejë, unë do ta gjej, nuk më shpëton, ore Sali, shfrynte Mylazimi”. I ati i Saliut vdiq në kohën që i biri kishte dalë komit. Saliu kur filloi dimri zbriti nga mali, u takua me njerzit e tij dhe mori rrugën e emigracionit, në Janinë, për të humbur gjurmët dhe për të mos dëmtuar të afërmit nga autoritete osmane.
Në Vranisht la nënën, gruan dhe dy djem të vegjël. Në emigracion, në Janinë, Saliu u kacafyt me një oficer tjetër turk, se ky i fundit e shau i tha “pis arnaut” – “Pis shqiptar “ Ne, ca shokë shqiptarë, këndonim një këngë labçe, këngë trimash, dhe turkut nuk i pëlqeu kjo këngë, tregon Sali Vranishti dhe na shau “pis arnaut”. Saliu iu afrua turkut dhe i tha kujt i thua ti “pis arnaut”, e di ç’të bëj unë, të luaj tepelekun. Turku u trëmb, nxorri koburen desh e qëlloi Saliun, i cili për vetëmbrojtje, i futi turkut duart në fyt, i mori armën dhe e vrau. Saliu, për t’i shpëtuar organeve të policisë, u kthye në Shqipëri, në Vranisht, por një spiun, kish lajmëruar autoritetet, që e rrethuan dhe e futën në burg. Vranishti ra në zi, që Sali Murati u kap tradhëtisht.
Saliun e arrestuan dhe brënda natës e shoqëruan me 12 xhandarë dhe e çuan në burgun e Beratit e pas një jave e dërguan në Janinë. Në Janinë atdhetarët e ndihmuan Sali Vranishtin, Ahmet Mestanin nga Staravecka e Skraparit dhe Jaup Feratin nga Brataj i Vlorës, të cilët, që të tre dolën nga burgu i Janinës. Që këtej, nga Janina Sali Vranishti kaloi në Leskovik – Kolonjë-Përmet- Labëri-Vranisht. Takimi me Ismail Qemalin. Pas arratisjes nga burgu, Sali Vranishti mori përsëri malet me dyfek në sup. Ky lajm u përhap në tërë krahinën e Mesaplikut. Ai ruhej se mos binte rishtaz në dorë të armikut. dhe mbledh rreth vetes një grup djemsh.
Në shtator 1908 Ismail Qemali shkoi në Vranisht. Rrugën për Brataj e bëri fshehtazi. Bratajt me Memo Meton i dolën në urën e fshatit dhe iu lutën të qëndronte mik në fshatin e tyre. Ai nuk ndejti. Përpara se të vinin në Vranisht bëri një vizitë në Shalëz-Mesaplik nën hijen e një rrapi shekullor në mes të fushës së Mesaplikut, ku kuvendoi me parinë e lumit të Vlorës. Edhe sot i thonë Rrapi i Ismail Qemalit, atje ku kuvëndoi ai me atdhetarët. Sali Vranishti kishte qënë në Vuno dhe të nesërmen sa mori haberin e ardhjes së Ismail Qemalit në Vranisht, u nis dhe mbriti atje që pagdhirë.
Pasi u takua me të, Ismail Qemali tha se më gëzon zemra që njoha këtu Sali Muratin (Vranishtin), që paska kaluar një odise të tërë vuajtjesh e përpjekjesh. Saliu rinte e dëgjonte, jo vetëm nga forca e zakonit, por ishte edhe më i riu në atë sofër burrash, pasi e kish zakon që të dëgjonte bashkëfolësin me kujdes, pastaj të fliste. Ismail Qemali bisedoi gjatë duke e vënë theksin te dituria, uniteti, trimëria, falja e hasmërive e të tjera.
Midis të tjerëve foli edhe Sali Murati ku në esencë tha se porositë e Ismail Qemalit i kishin kuptuar.Ismail Qemali e përgëzoi Sali Muratin për trimërinë që kishte treguar deri atëhere, kundër pushtuesve osmanë. Ismail Qemali u prek shumë nga pritja dhe nga këngët e vallet dhe tha këto fjalë : Këngë e valle paçi për jetë o vranishiotë, se keni burra të pushkës, të kuvendit dhe të këngës. Para se të largohej Ismail Qemali iu la dy abetare. Disa djem i recituan Ismail Qemalit pjesë nga “ Bagëti e Bujqësi” e Naim Frashërit dhe “ Herveheja “ e Muhamet Çamit.
Çeta patriotike e Kapedan Saliut. Jehonë të madhe në Labëri kishte bërë sidomos çeta e Çerçiz Topullit në Gjirokastër dhe ajo e Muharrem Rushitit në Çamëri. Në nëntor 1908 në fshatin Tërbaç shkoi për vizitë Çerçiz Topulli dhe takoi trimat e Tërbaçit dhe u foli për çetat e Labërisë që po formoheshin. Sali Murati kishte marrë armë në Himarë dhe i kishte fshehur në Shpellën e Hajdutëve mbi Vranisht. Qysh me krijimin e çetës, shoku i tij i armëve u bë trimi Azem Sulo nga Vranishti, Remzi Janji nga Kallarati, Selam Abazi nga Tërbaçi, Goxho Aliko nga Brataj, Xhezo Balua e Hito Dalani nga Tërbaçi, Tahir Myftari nga Kanina, Abedin Kanani nga Smokthina. Kjo çetë është thirrur “Firarët e Sali Kapedanit “.
Në këto vite, 1910-1911, Sali Murati bashkëpunoi edhe me luftëtarë të tjerë firarë si Pasho Ramadani, Nase Beni, Jani Rexho, Jani Kolori e të tjerë atdhetarë, të cilët grumbullonin armë për luftën kundër pushtuesve osmanë. Gazeta “Liri e Shqipërisë” e 7 korrikut 1911 shkruan: “Që në fund të Çipinit e deri në Delvinë janë mbushur malet me trima shqiptarë. Që në Karbunarë e gjer në Dukat e Sarandë lëvizin çetat shqiptare”. “Numëri i personave që kanë marrë pjesë në kryengritje është 2500 deri në 3000 vetë, i shkruante konsulli Frosord në Janinë Kontit Eventi. Klubet e organizatave të armatosura janë të lidhura me Ismail Qemalin, që është shpirti i lëvizjes”.
Në rritjen e rrezistencës kundër pushtuesit, një rol të veçantë lozi dhe çeta e Sali Muratit, që kishte filluar nga kryerja e aksioneve në Polobuar të Shashicës, në Picar të Armenit, ku përsëri doli pa dëmtime. Në pranverë të vitit 1910 çeta e Sali Muratit kreu në Mifol një tjetër aksion, ku u shkoi në ndihmë fshatarëve për mbrojtjen e tokave të tyre, që donin t’ua grabitnin bejlerët dhe agallarët. Sali Murati mori pjesë në mitingun që u organizua në Urën e Shushicës ( Drashovicë ) në korrik 1911.
Në miting morrën pjesë 3000 fshatarë, myslimanë e të krishterë. Nga këta 3000 vetë që morën pjesë në miting, u formuan katër çeta të armatosura mirë. Nga Vranishti në kuvendin e Drashovicës morrën pjesë 39 burra, të cilët u radhitën në kryengritjen e armatosur që shpërtheu në Vlorë, Mallakastër e Berat. Vera e vitit 1912 Ismail Qemalin e solli rishtaz në Vlorë. Atje shkoi Sali Murati, Mehmet Kuçi e Alem Mehmeti dhe takuan Ismail Qemalin. Ishte gusht 1912. Ismail Qemali në takim me parinë e Vlorës, kishte kërkuar një mbledhje në Fier dhe lajmëroi personalitetet që do merrnin pjesë në atë mbledhje të Fierit. Në këtë mbledhje çeta e Sali Muratit bëri roje rreth ndërtesës ku u bë takimi. Sali Murati ka qënë një trim i rrallë.
Ai në rrethimin në Buzuk të Tërbaçit, çau mespërmes rrethimin e xhandërëve dhe populli i këndon Saliut kështu: “Sali Murati vetëtimë, çau mespërmes pusinë”. Hapja e burgjeve në Vlorë dhe lufta e Qishbardhës ishte një nga aksionet e suksesshme të çetës së Sali Murat Vranishtit. Në këtë aksion çeta e Sali Muratit e çorientoi armikun turk megjithë përforcimet që erdhën nga Vlora , përsëri armiku dështoi. Populli i këndoi kështu kësaj fitoreje të çetës së Sali Muratit : “Rahën telat anë e mbanë, Të zini Sali Muranë, Jo të vdekur por të gjallë, Treqind asqerë i vanë, Po s’i qaseshin dot pranë”.
Aksioni i Delvinës i vitit 1912. Një letër që i erdhi nga Delvina dhe rrethinat e saj, Sali Muratit ose Sali Vranishtit, e njoftonin për krimet që bënin në atë krahinë bandat shoviniste dhe andartët grekë të Thimio Lolit, Jani Potecit dhe nipit të tij Grigor Formaqi, që kishin me vete 200-300 avzonë grekë, të cilët kërkonin të aneksonin Delvinën me rrethina si territor grek.
Thimio Loli e kompani të njëjtën gjë bënin dhe në Himarë. Thimio Loli, tradhëtar dhe agjent i vorioepirotëve grekë ishte bashkuar me bandat e Jani Potecit dhe Grigor Formaqit dhe vrisnin e prisnin shqiptarët që nuk u bindeshin tradhëtisë së tyre. Për këtë populli i Delvinës njoftoi Sali Vranishtin me një letër ku i kërkoi ndihmën e çetës së tij. Me ta marrë letrën nga Delvina, Sali Vranishti me çetën e tij, menjëherë mori rrugën për Delvinë dhe pasi arriti mbi kodrat e saj, rrethoi bandën e Thimio Lolit në Krane të Delvinës.
Duke përfituar nga mjegulla e mëngjesit , çeta kaloi urën e Kranes mbi Bistricë dhe pa u diktuar zuri pozicionet e sulmit. Me çetën u përfshinë edhe disa delvinjotë dhe luftëtarë të tjerë të viseve të jugut. Çaushi (reshteri) i xhandarmërisë Mustafa Fterra, me pak forca që kishte postkomanda e Qafë Gjashtës, si Xhafer e Tafil Mato, Jashar Mato, Shaqo Mita e të tjerë, si shqiptarë që ishin,morrën pjesë në këtë luftë, duke iu bashkuar çetës së Sali Vranishtit.
Kapedan Saliu pasi pozicionoi tërë luftëtarët në vendet e tyre, vetë zuri pozicion ku mendohej se ishte strehuar Thimio Loli. Thimio tentoi të çante rrethimin drejt jugut. Në këtë kohë Sali Vranishti i thirri: “Dil, Thimio pushti të shohim shoshojnë, se trimat fshehur s’e kanë zakon të rrinë e as të qëllojnë”. Thimio Loli mori guximin e foli : “Ti je Saliu që thonë”. “Unë jam, iu përgjigj Saliu, po t’i mos u largo, t’i përplasim armët”. Ndërsa shkëmbenin fjalë lufta vazhdoi dhe plumbat e plagosën Thimio tradhëtarin, Thimio renegatin, që i shërbente vorioepirotëve kundër bashkatdhetarëve të tij dhe ishte transformuar në një andart grek. Banda shoviniste, duke tentuar për të çarë rrethimin mori drejtimin e Çukës, drejt kodrave të saj.
Çeta e Sali Vranishtit e ndoqi këmba këmbës bandën shoviniste greke, deri sa i rrethoi përsëri në katundin Çukë të Sarandës. Në përpjekjen e Çukës u vranë i vetëquajturi “kapiten” Jani Poteci me nipin e tij Grigor Formaqin, të tjerët u rrethuan keqas. Në përpjekjet me armë që vazhduan disa orë, u vra dhe Thimio Loli dhe dy shkronjësit e tij si dhe shtatë kriminelë të tjerë. Drejtuesit e kësaj bande shoviniste u vranë po thuaj të gjithë ndërsa të tjerët ikën të tmerruar dhe u futën me bisht në shalë në Greqi, nga kishin ardhur. Aksioni i Delvinës ishte një sprovë e vërtetë për çetën e komanduar nga Sali Vranishti. Ky aksion i rriti shumë emërin dhe nderin kësaj çete.
Shpallja e pavarësisë. Më 28 nëntor 1912 ora 02 e 30 minuta Sali Vranishti me shokët e çetës dhe fshatarë të tjerë ishin në sheshin para shtëpisë ku u ngrit flamuri në Vlorë. Pas fjalës së Ismail Qemalit, shpërthyen duartrokitjet : Rroftë Flamuri ! Rroftë Shqipëria e lirë! Pastaj filloi kënga e vallja. Ismail Qemali e mbajti pranë Sali Vranishtin si njeri i sprovuar, ai i besoi detyrën e komandantit të Sigurimit Publik dhe i tha ti do të jesh adjutanti im, ti do të jesh njeriu im, kështu e do interesi i Shqipërisë dhe Sali Vranishti u bë një mbrojtës pa lëkundje dhe ushtar besnik i tij. Sali Vranishti ka thënë: “Ismail Qemalit nuk i prek kush asnjë fije floku, e mbron dyfeku ynë”.
Në luftë kundër shovinistëve të jugut. Me shovinistët grekë bashkëpunoi ngushtë himarjoti renegat, pseudogrek Spiro Milo. Pas telegramit që Ismail Qemali mori më 28 dhjetor !912 nga komandanti i njësive territorjale të Kuçit, i cili kërkonte nga qeveria e Vlorës ndihmë për të përballuar ushtrinë greke, që po përparonte në zonën e Himarës, kryetari i qeverisë Ismail Qemali, thirri Sali Muratin me 40 luftëtarë dhe i ngarkoi detyrën për t’u nisur në frontin e luftës në malet e lumit të Vlorës për të luftuar kundra andartëve grekë, që bënin krime në fshatra të ndryshme.
Sali Vranishti gjatë vitit 1913 deri në prill 1914, me çetën dhe forca të tjera shqiptare drejtoi luftimet kundër shovinistëve dhe andartëve grekë në Qafën e Gurës së Vranishtit, në kalanë dhe malin e Borshit, në Fterrë, në Qafën e Rrëmullës, në Tatzat, në Qafën a Skërficës, në Kallarat, në Valin e Bogonicës, në Lopës të Tepelenës dhe deri në fshatin Bolenë.Kjo luftë bëhej në kuadrin e përgatitjes që bënte Spiro Milo, për të shpallur “autonominë” e Himarës, siç e shpalli më 2 mars 1914. Renegati Spiro Milo, i cili jetonte ditët e ankthit në Himarë, në rezidencën e tij, kënaqej me fshatrat e djegura nga vorioepirotët dhe andartët grekë, si në Borsh, Fterrë, Kallarat e gjetkë.
Është i njohur edhe marshimi i Sali Vranishtit drejt Himarës. Ai me një forcë goditëse jo të vogël u nis drejt Himarës në rrugëkalimin Vranisht – Kallarat – Pilur. Patriotët e Pilurit e informuan Saliun për vendndodhjen e Spiro Milos në Himarë dhe çeta e Saliut u fut në Himarë për ta kapur të gjallë renegatin Spiro Milo.
Ky i fundit dhe “trimat “ e tij nga frika, nuk patën kurajo të prisnin Sali Vranishtin me trimat e tij por zbritën në Palermo, ia hipën vaporit dhe e lanë vrapin në Korfuz. Emëri i Spiro Milos u bë symbol tradhëtie, simboli i tymit të zi që doli nga djegia e Kurveleshit dhe Bregut të Detit që dogji sherbëtori i vorioepiroteve Spiro Milo. Ndër trimat vullnetarë që luftuan me armë në dorë kundër shovinizmit grek dhe andartëve, kishte shumë djem të Bregut të Detit si Nase Beni e Sevo Andoni nga Vunoi dhe Stefan Thomagjini nga Nivicë-Bubari i Sarandës e shumë të tjerë, të cilët luftuan bashkë me forcat e Sali Vranishtit.
Në Luftën e Vlorës të vitit 1920. Sali Vranishti mori pjesë në shumë takime të rëndësishme të patriotëve të krahinës dhe në takimin me kryeministrin Sulejman Delvina në fshatin Lepenicë, që u organizua për përgatitjet e Luftës së Vlorës. Çeta e tij në këtë kohë përbëhej nga 200 vetë, që vepronte midis Jorgucatit dhe Korçës. Ai qe përpjekur me forcat italiane para fillimit të luftës, para 1920.
Si përfaqësues i Vranishtit më 29 maj mori pjesë në Barçallanë historike. Nën thirrjen atdheu në rrezik, populli i Vranishtit nxorri 250 veta, që u nisën me armë në krah në luftë me në krye Sali Vranishtin. Në këtë numër bënin pjesë edhe 40 veta të komanduara nga Azem Sulo dhe Mehmet Majko. Aksioni i parë ishte përpjekja me postkomandën italiane në Vranisht, e cila pas përpjekjesh me armë u dorëzua. Të 12 karabinierët rrobër, me komandantin në krye, me urdhër të komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare” u shoqëruan për në fshatin Vajzë. Më 1 qershor fshati u çlirua, u këcyen valle rreth flamurit kuq e zi.
Pastaj gjithë luftëtarët u nisën për në Beun, ku u organizuan çetat e krahinave dhe u saktësuan planet e luftimeve. Në pllajat e Beunit kapedan Sali Vranishti dhe luftëtarët e tjerë u takuan dhe u përqafuan me Osman Haxhinë, Ahmet Lepenicën, Myqerem Hamzarajn, Qazim Kokoshin, Sali Bedinin, Hamit Selmanin, Hysen Shehun, Duro Shaskën, Zaçe Xhelon, Murat Tërbaçin, Beqir Velon dhe krerë të tjerë të Luftës së Vlorës kundër pushtuesve italianë.
Në Beun, përpara flamurit kombëtar mbajti një fjalim Osman Haxhiu, kryetar i komitetit “Mbrojtja Kombëtare “ Në mbasdite Ahmet Lepenica dhe ushtarakë të tjerë të lartë u dhanë komandantëve të çetave planin e luftimeve. Një pjesë e çetave të Vranishtit ishte caktuar në betejën e Gjormit, në krah me çetën e Tragjasit. U nisën çetat me radhë. Fronti ishte në garnizonin e Drashovicës. Fortifikatat italiane, telin me gjëmba dhe mjetet e mbrojtjes së armikut i njihnim. Pjesa tjetër e luftëtarëve të Vranishtit u caktua në krah me çetat e Dukatit, Gjormit , Tërbaçit, etj. Më 3 qershor morëm rrugën e Drashovicës. Rruga u bë natën që të mos zbuloheshim nga armiku.
Nga ora 3 e mëngjezit të datës 4 qershor, çeta e Vranishtit sëbashku me çetën e Kaninës ishin përqëndruar në Marko, në krye të përroit të Mimines. Këtu çetat bënë pushim, shkruan Beqir Velo, ish komandant i çetës së Kaninës. Unë, shkruan Beqir Velo, Saliu dhe Daut Sefer Gjikondi nga Vranishti, që ishte mësues, nuk fjetëm por qëndruam dhe dolëm në një rrëzë shkëmbi, ku kuvenduam për furnizimin e luftëtarëve me bukë. Lajmëruam dhjetë stane për të na prurë bukë, mish, qumësht dhe djathë. Stanet u treguan të gatshëm, menjëherë na furnizuan. Pas pushimit çetat u nisën për në Drashovicë rreth orës 20 e 30 të datës 5 qershor 1920.
Grupi i Sali Vranishtit sulmoi nga rruga Lapardha – Vodicë, grupi që drejtohej nga Daut Sefer Gjikondi sulmoi nga Kava e Gurit. Këtij grupi i ishte caktuar detyra për të prerë linjën telefonike dhe për të prishur Urën tek Kava, me qëllim që të pengohej ndërlidhja e pushtuesit me Vlorën dhe të pengoheshin ndihmat për të rretuarit. Prerja e linjës telefonike e bllokoi armikun, i cili mbeti i shkëputur nga qëndra në Vlorë. Grupi i Beqir Velos sulmoi nga qëndra e fshatit të vjetër të Drashovicës.
Për të futur në darë armikun sulmuan dhe dy grupe të tjera. Tej lumit të Shushicës, nga kodrat e Mavrovës zbritën me vërtik luftëtarët e çetës së Gumenicës. Forcat italiane i kapi paniku i madh nga sulmi i rrufeshëm i luftëtarëve të Labërisë. Në sulmin e parë, siç pohon Beqir Velo, u zunë 18 pushkë dhe një mitroloz i rëndë. Këto armë iu dhanë luftëtarëve se pjesa më e madhe e tyre ishte pa armë. Pas një mbrojtjeje aktive armiku u dorëzua. Në Drashovicë u zunë shumë pushkë, municione, ilaçe, ushqime.
Te gazermat u zu një top , që e mori Abdurahman Çiraku. Drashovica ra në duart e kryengritësve dhe këtu u vendos selia e komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare “, ndërsa çetat morën sektorët e rinj të luftës. Në çlirimin e Vlorës, çeta e Vranishtit kishte sektorin dominues mbi kalanë e Kaninës në anën veriore të saj. Sulmi filloi frontal nga Shashica në Panaja. Pasi doli nga përroi i Grabos, Saliu me forcat që komandonte, iu ngjit kodrës ku ngrihej kalaja. Në krahun e majtë sulmonte ceta e Kaninës, atje armiqtë dërguan forca të reja nga Vlora për ndihmë.
Me të arritur këto forca në kala, u sulmuan nga çeta e Vranishtit dhe pësuan disfatë të shpejtë dhe të plotë. Megjithëse armiku përdori të gjitha llojet e armëve që dispononte, çeta e Sali Vranishtit, Bolenës dhe Kallaratit nuk u tërhoqën nga fronti, megjithë humbjet e shokëve që patën, si Sino Micoli nga Bolena, Mehmet Majko nga Vranishti, Hodo Zeqiri dhe Zenel Ramohito nga Dukati, Musa Basho nga Vranishti dhe u plagosën 14 luftëtarë të tjerë nga forcat tona. Por dhe armiku pësoi humbje të mëdha në njerëz, shumë të vrarë dhe të plagosur dhe shumë robër. Në luftën e Vlorës Sali Murati derdhi përvojën e tij të gjatë në luftra e rrethime kundër armiqve të atdheut. Ai ishte rritur e burrëruar mes luftrash.
Në sulmin e dytë e të tretë mbi forcat italiane, ai drejtoi jo vetëm çetën e Vranishtit, por edhe gjithë çetat e Rrëzës që sulmuan në drejtim të kalasë së Kaninës dhe në Qafë të Vreshtave të Mëdha, si çetën e Kaninës, Gumenicës , Tërbaçit, Bolenës dhe Kallaratit. Populli i këndoi : “ Çetë e Rrëzës u vërvinë, Kishin kapedan Salinë, Të madh trim, vetullëzinë “. Në mes të korrikut 1920 u krye sulmi i tretë, që ishte vendimtari në çlirimin e Vlorës nga armiku pushtues, që u krye natën.
Fillimi i sulmit iu la Sali Vranishtit, që në këtë kohë komandonte forcat rreth Kalasë së Kaninës dhe në Qafë të Vreshtave të Mëdha e deri në afërsi të Babicës. Para nisjes çetat u ndanë në dy drejtime : Njera mori drejtm Kallafetin nga ana e Kalasë dhe tjetra Vreshtat e Mëdha të po atij fshati. Çetat e tjera morën drejtimet e tyre, që u kishte caktuar komanda deri në Qafën e Koçiut, poshtë.Në orën e caktuar filloi zjarri me sulm të furrishëm.
Qysh në fillim fronti ynë përparoi dukshëm dhe pjesa më e madhe e fortifikatave të armikut u kapërcyen, forcat shqiptare arritën të kapin vijat e para të mbrojtjes italiane, duke e detyruar armikun të tërhiqet dhe shumica e mbrojtjes italiane e lanë vrapin në skelë të Vlorës. Ky shpartallim e frikësoi shumë general Piançentinin, i cili i humbi shpresat. Sulmi i tretë mbi Vlorë i datës 31 korrik 1920 i kushtoi rrëndë çetës së Rrëzës dhe veçanërisht çetës së Vranishtit sepse pati shumë të vrarë dhe të plagosur. Kapedan Sali Vranishti sulmin e tretë e udhëhoqi në ballë. Dhe aty në ballin e frontit një predhë artilerie e plagosi në kofshën e këmbës së djathtë.
Ai nuk donte të largohej nga fronti, por shokët, kur panë se kishte gjakderdje të madhe, Mersin Zoto dhe Hysen Gjuzi e morrën në krahë dhe e çuan në Kallafet, ku pastaj e hipën në kalë dhe e çuan në spitalin e Kotës. Edhe larg shokëve dhe frontit të luftës kundër okupatorit, ai e kishte mëndjen atje, te fitoria që po i afrohej Luftës së Vlorës. Atje në spital e gjeti marrëveshja e 2 gushtit dhe festimi i fitores së 3 shtatorit 1920. Lufta e Vlorës Sali Muratin,Vranishtin e përgatiti me të vërtetë si një strateg popullor. Ai ishte frymëzuesi i përdorimit të lesave e gunave mbi tela.
Ai ishte një ushtarak i talentuar, me intuit të mprehtë, çeta e tij ishte një repart fluturues, që shkonte atje ku e kërkonte atdheu dhe mbrojtja e popullit tonë.Trashëgimia që la Sali Murati – Vranishti, do të jetë përherë e vlefshme për brezat që vinë. Sali Vranishti është monumenti i atdhetarisë dhe trimërisë labe.
Ai mbylli sytë në fshatin e lindjes, më 24 janar 1926 nga një sëmundje e rrëndë, që iu shkaktua nga plagët e marra në luftime. Sot këtij atdhetari dhe trimi të madh i këndohet kënga : “ Kapedan Sali Vranishti, Sa rroi i punoi gishti. “Lavdi heroit të pavdekshëm të popullit tonë Sali Vranishti.