Edi Rama “trazon” ujërat e politikës greke e italiane

Mesazhet e forta të Ramës për Greqinë dhe Italinë u përqendruan te marrëveshjen e tij me Melonin për emigrantët e paligjshëm dhe debati me grekët për pronat në Himarë.

Kryeministri Edi Rama ka trazuar ditën e djeshme politikën greke dhe italiane. Si fillim Rama reagoi në rrjetet sociale për artikullin në “La Repubblica’, i marrë me shpejtësi nga një pjesë e mirë e mediave italiane për emigrantët e paligjshëm që do të vijnë në vendin tonë.

Në raportimin e “La Repubblica” shkruhet se kryeministri kishte kritikuar marrëveshjen, ndërsa nuk kanë munguar tituj si “Rama ndryshon mendje”, “Rama lëshon Melonin”, “Rama: Marrëveshja nuk do të funksionojë” etj.

La Republica citon Ramën kur shkruan se kryeministri shqiptar ka vënë në dyshim funksionimin e marrëveshjes për emigrantët në Gjadër për shkak të procedurave ligjore, planin Matei për të dërguar para dhe bashkëpunim ekonomik me vende afrikane, por mbi të gjitha i referohen Ramës se ka thënë së në fakt këtë krizë emigrantësh në Itali do ta menaxhonte shumë mirë Massimo D’Alema, një ish kryeministër italian i viteve 1998-2000 që menaxhoi krizën e emigrantëve me Shqipërinë.

Por në një postim të gjatë në ‘X’, Kryeministri Rama mohon gjithçka është shkruar. Ai thotë se as nuk ka ndryshuar mendje, se nuk ka dhënë një intervistë por ka biseduar me një mik, ndërsa mohon edhe kontekstin që i është dhënë fjalëve të tij për D’Aleman. “Jo, as kam ndryshuar ide, as kam dhënë intervistë.

Kam bërë shqiptarin që praktikon fenë e vet të lashtë të mikpritjes – shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut – duke iu ofruar një kafe disa miqve të mirë që kishin ardhur në Tiranë nga Italia. Folëm për shumë gjëra në një atmosferë të bukur miqësore dhe, sigurisht, edhe për marrëveshjen dhe historinë e imigracionit klandestin nga Shqipëria drejt Italisë, të cilit qeveria D’Alema arriti t’i jepte fund me një logjikë dhe largpamësi strategjike.

Kurrë, ama, nuk e kisha menduar që do të përfundoja edhe njëherë në batakun e luftës politike italiane, duke më cituar me fjalë që nuk i kam thënë kurrë, të llojit “do jetë një dështim” ose “do duhej D’Alema” nën titullin “Rama heq dorë nga Meloni”,  ku nuk e gjej aspak veten”, shkruan Rama.

Lexo edhe :  Shkarkohet zv/ministri i Brendshëm. Po pinte cigare në ambient të mbyllur (FOTO)

Kryeministri përsërit se sikur të kthehej mbrapsht 100 herë, do ta bënte marrëveshjen me Italinë dhe me asnjë vend tjetër. Nga ana tjetër kreu i qeverisë  është ndalur dje në Himarë, për të dorëzuar disa certifikata pronësie për shtëpitë e trashëguara.

Gjatë fjalës së tij Rama nuk i kurseu as këtë herë batutat, kur iu drejtua banorëve duke u thënë se mes shqiptarëve janë njisha dhe se merren me politikë, dhe jo politikë lokale, por globale. Ai i ka dhënë një mesazh të qartë Greqisë se pronat e himarjotëve janë të mbështetura në letra, jo nga Hëna.

“Himarjotët janë himarjotë dhe pikë. Secili e di vetë se ku i ka rrënjët. Ne nuk i ndajmë shqiptarët dhe jo të ndajmë himarjotët. Kush ju thotë diçka tjetër, shiheni mirë se pse e thotë. Mes shqiptarëve himariotët janë njisha, politikë nga mëngjesi deri mëngjesin tjetër, politikë globale! Kur isha i vogël dhe ndaloja te kafja e vogël në Vuno, pleqtë diskutonin për Nelson Mandelën”, tha ai.

Rama ka deklaruar se si kryeministër do të bëjë të pamundurën që banorët në Himarë, por edhe në çdo zonë të Shqipërisë, të gëzojnë pronën e tyre ose të lënë trashëgim nga të parët e tyre. “Shtëpitë e të parëve që nuk kanë marrë certifikata ende, po jo për ndonjë fakt apo plan të ndonjërit për tu marrë shtëpitë e për të ndërtuar.

Edhe në Theth çmimet rriten, hotele janë plot. Pra është një problem që nuk ka të bëjë fare me broçkullat propagandistike që ju kanë mbushur kokën. Nuk dimë ne fare jo kështu jo ashtu”, tha ai.