Studiuesi i shquar shqiptaro-francez, Dr. Mathieu Aref nderohet në Francë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Mentor HOXHA, Francë

Studiuesi multidisiplinar, doktori i Universitetit të famshëm të Sorbonës dhe etnolinguisti francez me origjinë shqiptare, Mathieu Aref është nderuar në Francë me Çertifikatën e Mirënjohjes. Kjo Çertifikatë iu dha më 15 qershor 2024 nga Association Albanaise Iliria në Lyon me këtë motivacion: “Në shenjë respekti për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm në studimin e historisë së prejardhjes së popullit shqiptar, ju japin këtë mirënjohje në emër të tërë Diasporës. 

Studimet e kërkimet tuaja të palodhura, veprat që keni publikuar, janë një pasuri e paçmuar për të kuptuar të shkuarën e popullit shqiptar dhe do të shërbejnë si burim frymëzimi për brezat që do vijnë. Me këtë mirënjohje ju dëshmojmë respektin tonë”. Dekorata iu dorëzua nga presidentja e shoqatës, Elisabeta Gjegji-Shehi gjatë promovimit në Lyon të Francës të enciklopedisë voluminoze “Les Personnalités Albanaises de France” (Personalitetet shqiptare të Francës nga lashtësia deri në ditët tona) të autorit Mentor Faik Hoxha ku mori pjesë trupi diplomatik i Shqipërisë dhe i Kosovës në Francë, si Konsulli i Nderit i Republikës së Shqipërisë në Lyon, Z. Denis Di Leonardo, Konsulli i Kosovës në Francë, Z. Xhevdet Grainca, bashkëshortja e Ambasadorit të Kosovës në Francë, artisti dhe përfaqësuesi i Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë, Shemsi Krasniqi, kryetari i “France Albanie Bussines”, Gasmen Toska, drejtuesit dhe anëtarët e Kryesisë së shoqatës “Iliria” në Lyon, Rina Çela-Grasset, Elisabeta Gjegji-Shehi, Abaz Pllana, Ramadan Dan Bozhlani, Raimond Shehi, Fehmi Plakiqi, Avni Bilali, Kosovar Halili dhe mjaft personalitete të tjera që kishin ardhur për të takuar e dëgjuar profesorin e shquar dhe për të ndjekur promovimin e enciklopedisë “Les Personnalités Albanaises de France”, si Shukrie Rexha dhe vajza e saj Uarda, Alban Ranuci, Leon Molla, Fran Kamshi, Shkëlqim Deda,  Gëzim Hila dhe shumë e shumë të tjerë.

Aktiviteti u moderua në frëngjisht nga përkthyesja e shkëlqyer e gjuhës frënge, Rina Çela-Grasset, autore e katër librave në frëngjisht dhe për 11 vite presidente e shoqërisë shqiptare “Iliria” në Lyon (nëntor 2013-maj 2024). Profesori Mathieu Aref erdhi enkas nga Parisi në Lyon si i ftuar special në promovimin e librit të Mentor Hoxhës.

Ai mbajti një ligjëratë gjatë këtij promovimi. Nderimi i tij nga shoqata Iliria ishte një surprizë e veçantë dhe mjaft emocionues për të, siç ishte surprizë edhe fakti që Çertifikata iu dorëzua me emocion të madh nga bashkëpatriotja e tij nga Mati, Elisabeta Gjegji, presidente e Association Albanaise Iliria në Lyon.

Dekorimi i tij, përkoi me ditën e parë të Les Fétes consulaires (Festat konsullore) në Lyon, festat më unike në Francë të cilat u zhvilluan me 15 dhe 16 qershor. Gjatë këtyre festave, Lyoni u vesh me ngjyrat botërore dhe shqiptare pasi 45 shtete ngritën stendat e tyre në Place Bellecour (sheshi kryesor) dhe prezantuan kulturën dhe traditat e tyre.

Stendat e Shqipërisë e të Kosovës u përgatitën nga Association Albanaise Iliria në bashkëpunim me përfaqësuesit diplomatik të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe të France Albanie Bussines dhe u vizituan nga qindra vizitorë, të cilët shijuan ekspozitën e Klement Sinës dhe të Shemsi Krasniqit si dhe punimet e artistit të spikatur 14 vjeçar, Rafael Shehi, shijuan rakinë shqiptaro-franceze, “Gonxhe”, u njohën me xhubletën shqiptare, pjesë e UNESCO-s (një bashkëpunim me Swiss Albania Event me kryetare, Aina Hoti) dhe ndoqën promovimin në frëngjisht të enciklopedisë “Personalitetet shqiptare të Francës nga lashtësia deri në ditët tona”. Stendat shqiptare u vizituan edhe nga Kryetari i Komunës së Lyonit, Z. Grégory Doucet, i cili mori me dedikim nga autori Mentor Hoxha enciklopedinë “Les personnalités Albanaises de France”.

 

KUSH ËSHTË MATHIEU AREF, DOKTORI I UNIVERSITETIT TË SORBONËS

 

Dr. Matheu Aref (Mati Aref) është ndër studiuesit dhe mësimdhënësit e rrallë të universiteteve franceze që njeh shkëlqyeshëm hershmërinë e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe. Cilësohet si profesori i pellazgëve dhe i pellazgjishtes. Ka botuar 5 libra studimorë në frëngjisht, të cilat janë përkthyer edhe në shqip. Ka shkruar shumë artikuj shkencorë dhe ka dhënë mjaft intervista në mediat shqiptare dhe franceze. Ka mbajtur ligjërata në konferenca të shumta shkencore në Francë dhe Shqipëri ku ka foluar për historinë e shqiptarëve dhe prejardhjen e tyre nga pellazgët.

Ka folur për qytetërimin grek, origjinën e të cilit e vë në dyshim. Ai sfidon me prova bazat e ideologjisë indoevropianiste të gjuhësisë moderne. Njohja e disa gjuhëve dhe kulturave i japin atij një finesë shpirtërore dhe erudicion të madh. Dr. Mathieu Aref ka marrë disa tituj dhe dekorata të larta në Shqipëri dhe në Francë. Më 21 mars 2017 u dekorua nga Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani me titullin “Naim Frashëri” me këtë motivacion: “Në vlerësim të punës së tij të palodhur, përmes botimeve shkencore në fushën e studimeve historike si dhe për kontributin e shquar të dhënë për nxjerrjen në pah dhe bërjen të njohur të fakteve mbi historinë e gjuhës shqipe në kohë të ndryshme për kombin tonë”. Titulli iu dorëzua në Presidencë nga vetë presidenti ku Aref mbajti një fjalim emocionues.

Lexo edhe :  UNESCO vlerëson progresin e Shqipërisë në ruajtjen e Trashëgimisë Botërore

Në vitin 2018, Bashkia e Matit i dha titullin e lartë “Qytetar Nderi i Matit”. Më 20 maj 2022 iu dorëzua në Paris titulli “Ambassadeur de Paix” (Ambasador i Paqes) për kontributin e tij të spikatur në fushën e historisë dhe të gjuhësisë shqiptare dhe ballkanike. Është përfshirë në enciklopedinë voluminoze “Les personnalités albanaises de France” (Personalitetet shqiptare të Francës nga lashtësia deri në ditët tona” (Autor: Mentor F. Hoxha, Shtëpia botuese “Edlora”, Tiranë, maj 2024, ISBN: 9 789928 803306). Ka titullin shkencor “Doktor në Histori dhe Qytetërim të Antikitetit” nga Universiteti i Sorbonës, Paris. Ka lindur më 1 mars 1938 në Kajro të Egjiptit nga dy prindër shqiptarë nga Mati i Shqipërisë. Flet shqip, frëngjisht, arabisht, italisht dhe anglisht.

Nga viti 1961 banon në Paris. Ka tre djem dhe një vajzë. Në Egjipt banoi për 23 vite me radhë ku kreu shkollën e mesme klasike për letërsi dhe gjuhë greke e latine si dhe studimet e larta për histori, gjuhësi, arte të bukura dhe arkitekturë në Akademinë e Arteve të Bukura në Kajro.

Me 3 janar 2012 mori gradën shkencore “Doktor në histori dhe civilizimet antike” nga Universiteti Sorbonne-Paris IV. Titullin e mbrojti me tezën me temë “Studime dhe hulumtime mbi pellazgët në zanafillën e qytetërimit grek” përpara një jurie prej tre anëtarësh, profesorë të njohur si Dominique Briquel (profesor në Universitetin Paris-Sorbone që ishte edhe drejtuesi i temës), Charles Guittard (profesor në Universitetin Paris-Nanterre, Paris X) dhe Guillaume Bonnet (profesor në Universitetin e Bourgogne, Dijon).

Kjo tezë është rezultat i një pune studimore dhe hulumtuese gati 50 vjeçare. Te ky studim, paraqet fakte e dokumente të pakontestueshme për prejardhjen e shqiptarëve nga pellazgët, trajton periudhën parahelene dhe të Greqisë arkaike dhe autorët e lashtë në lidhje me zanafillën e qytetërimit grek nëpërmjet referencës së pellazgëve.

Hulumtimet dhe studimet e tij i ka përfshirë në librat e tij në frëngjisht dhe shqip: “Albanie (Historie et langue) ou l’incroyable odyssée d’un people préhellénique” (Paris, 2003), “Shqipëria-historia dhe gjuha-Odiseja e pabesueshme e një populli parahelen” (Plejad, Tiranë 2007, 608 faqe), “Grèce (Mycéniens-Pélasges) ou la solution d’une énigme”, “Greqia (Mikenët=Pellazgët) ose zgjidhja e një enigme” (Plejad, Tiranë 2008), “Les Pélasges: Prédecesseurs des Grecs et anêtres des Albanais” (Paris, 2022), “Pellazgët, në zanafillin e qytetërimit Helen dhe stërgjyshërit e Shqiptarëve” (Plejad, Tiranë 2021), etj.

Në këto libra, ai analizon dhe përdor referenca duke vënë në dyshim origjinën e qytetërimit helen të pranuar përgjithësisht dhe datën e shfaqjes së tij, të cilën e daton vetëm pas shekullit të VIII para erës sonë. Pohon se mikenasit ishin pellazgë dhe jo helenë (grekë), dhe poemat e famshme homerike “Iliada” dhe “Odisea” i konsideron me dëshmi mbështetëse si poema epike parahelene, domethënë “pellazgjike”.

Përveç kësaj, ai vë në pikëpyetje gjuhësinë moderne, bazat e së cilës u krijuan në fund të shekullit të 19-të nga gjuhëtarët modernë, të cilët, pasi nuk arritën të gjenin një gjuhë amtare për Evropën krijuan “indoevropianizmin”.

Te libri i tij në frëngjisht “Les Pélasges” (Pellazgët), bashkon studimet dhe kërkimet e kryera në një mjedis universitar dhe një tezë të dorëzuar në Universitetin e Sorbonës në Paris IV. Ai vë në pikëpyetje fillimet e historisë së qytetërimit të helenëve (feniko-asiro-egjiptianëve) që nënshtruan vendin e pellazgëve, të paraardhësve të tyre dhe jo paraardhësit e tyre, dhe uzurpuan, cunguan, modifikuan, rregulluan dhe manipuluan qytetërimin e tyre.

Ai tregon me prova, argumente dhe referenca, se as Zeusi, as mikenasit, as poemat epike, as kozmogonia nuk janë pjesë e trashëgimisë kulturore, kultike dhe etnolinguistike të helenëve, por i përkasin qytetërimit që i parapriu, atij të pellazgëve. Ai tregon gjithashtu se Lufta e Trojës (1193-1183?!) nuk është ajo që ne besojmë, por parodia (historitë e rregulluara dhe të manipuluara) të një lufte ose përleshjesh (Epoka e Bronzit: Troja VI/VII) e shndërruar në një luftë të vërtetë që korrespondon me pushtimin e Azisë së Vogël perëndimore nga pushtuesit helenë rreth shekullit të VIII para Krishtit (Troja VIII). Më në fund ka një realitet që ka heshtur ose nuk është perceptuar: “katër shekuj të errët” (1200-800 p.e.s.) kanë heshtur ku nuk gjejmë as prova më të vogël të ekzistencës së helenëve në këtë “tokë të askujt” ku nuk dimë asgjë për këtë periudhë të historisë.

Helenët u përpoqën të ngatërronin historinë duke u përpjekur të eliminonin të gjitha gjurmët e paraardhësve të tyre, pellazgëve.

Por krimi nuk ishte perfekt sepse mjaftuan pistat e pakta që i shpëtuan censurës dhe manipulimit të pushtuesve helenë. Mathieu Aref ka shkruar edhe mbi 200 poezi që i ka përfshirë në librin në frëngjisht “Recueil de poésies” (Mnemosyne, Paris 2022) ku ka edhe poezi në shqip.

Të fundit

Gruaja greke organizoi me të dashurin vrasjen e ish-burrit! Roli i dy shqiptarëve në krim

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Greqinë ku një grua, dyshohet se së bashku me të dashurin e saj,...

Sa po shpenzon Shqipëria për mbrojtje?/ Forcat e Luftimit “përthithin” 2.7 mld lekë

Përgjatë 4 muajve të parë të 2025 janë shpenzuar 8.2 miliardë lekë për mbrojtjen nga 52.7 miliardë lekë që planifikohen për t'u shpenzuar në...

Kryeparlamentari turk dënon nga Tirana sulmet në Siri: Izraeli nuk njeh asnjë rregull

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, mbajti një konferencë të përbashkët sot me homologun e saj turk Numan Kurtulmuş. Ky i fundit vuri theksin...

Ngjela paralajmëron fundin e Ramës/ Ja gabimet fatale që po e çojnë drejt rrëzimit

Avokati i njohur, Spartak Ngjela ka lëshuar një paralajmërim të fortë për fundin politik të Edi Ramës. Sipas tij, kryeministri nuk është më në kontroll...

10 rregulla për të përballuar vapën në tavolinë: nga frutat dhe perimet te bishtajoret

Filloni ditën me një mëngjes të lehtë dhe hidratues, mundësisht me kos dhe fruta të freskëta. Shmangni ushqimet yndyrore ose tepër të përpunuara dhe...

Lajme të tjera

Web TV