Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median gjermane “Berliner Zeitung”, ku mes të tjerash ka folur edhe për marrëveshjen e emigrantëve me Italinë.
Rama tha se marrëveshja Shqipëri-Itali mund të shërbejë si model, që të gjenden zgjidhje afatgjata europiane.
“BE-ja ka dy lloje kufijsh: të brendshëm dhe të jashtëm. Dhe Ballkani Perëndimor është në qendër të gjithçkaje. Gjatë krizës së refugjatëve të vitit 2015, emigrantët erdhën në BE përmes Greqisë. Më pas vazhduam nëpër Ballkan – sërish jashtë BE-së – në Hungari. Ndryshe është kur refugjatët vijnë direkt në Shqipëri nëpërmjet Mesdheut. Për mendimin tim, çështja e migracionit kërkon një zgjidhje pan-evropiane. Është çështja e dytë më e rëndësishme pas ndryshimeve klimatike. Migrimi nuk mund të ndalet dhe çdo përpjekje për ta bërë këtë është politikisht dritëshkurtër. Por ju duhet ta menaxhoni migrimin me mençuri, dhe kjo përfshin gjithashtu hapjen ndaj të rinjve që duan të jetojnë dhe punojnë këtu. Sepse shoqëritë evropiane po plaken gjithnjë e më shumë”, u shpreh ai.
Megjithatë, kreu i qeverisë deklaroi se nuk do të pranonte që marrëveshjen e emigrantëve ta bënte edhe me shtete të tjera.
Kryeministri deklaroi se marrëveshja me Italinë është unike.
“Mendoj se është gjithmonë mirë të bisedosh me njëri-tjetrin. Të mos flasësh, nga ana tjetër, është gjithmonë e keqe. Madje do të ishte një ide e mirë të bisedonim me Putinin. Por nëse më pyesni nëse Shqipëria do të lidhë një marrëveshje të dytë të ngjashme me një vend tjetër, unë ju them: Jo, kjo është unike dhe vlen vetëm për Italinë, unë them se për dy arsye: duhet të ketë zgjidhje afatgjata europiane. Marrëdhëniet midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor ende duhet të zhvillohen. Atëherë mund të diskutonim shumë gjëra”, theksoi Rama./ S,M