Nga Ben Andoni
Ajo që t’i shikon në rastin e Ramës, Berishës dhe Metës, kur ishte jashtë arrestit, është se rrethohen me pasues të verbër, nëpunës civilë të bindur, që nuk e respektojnë etikën profesionale. Ekziston një foto gati ikonike, ku Enver Hoxha i kërkon apo debaton për diçka me prof. Eqrem Çabejn. Përgjigja e këtij të fundit me një dorë të ngritur sipër është dukshëm e qartë për mohimin: Jo. Nuk mundet! Jo në kuptimin e drejtpërdrejtë, por cilido që e kundron atë foto kupton një përmasë humane të personalitetit të njohur të gjuhësisë historike dhe mbi të gjitha respektin për etikën e profesionit. “Kur i vramë ata…”, i shprehet një bashkëbiseduesi në një vend poeti ynë i madh Lasgush Poradeci duke mbajtur mbi vete një gjë, tejet tagrit të vet, lidhur me persekutimin. Po, lista është bajagi e madhe, por jo aq sa për t’u futur cilido. Ishin vërtetë personazhe të rrallë të kohës, dy personalitetet që u përmendën më sipër. Një pjesë tjetër që e treguan dinjitetin dhe sidomos etikën morale dhe profesionale përfunduan keqazi. Musine Kokalari do e provonte në kurriz linçimin e turmës dhe ngazëllimin e prokurorëve, që do t’i tjetërsonin jetën asokohe. Në një rast me personazhe më “të thjeshtë”, mund të shikosh qasjen e publikut. Historia i është treguar autorit të këtyre rreshtave nga Uran Butka, kur e ëma bashkë me një grup grash të zakonshme do merrnin pjesë në një mbledhje të Frontit tek “Nacional”. Sapo gruan e Safet Butkës, personalitetit të Ballit, e pikasën mes turmës, i kërkuan të largohej.
Gruaja nuk doli, sepse i duhej të qëndronte dhe këmbënguli do të ishin të gjitha gratë, që do të largoheshin pas saj dhe në respekt të shoqes së tyre. Sot, këto, akte të thjeshta janë sfumuar. Protagonizmi i shumë kinseve të asaj kohe dhe anatema për çdo segment të së shkuarës komuniste nuk lejon që të gjykohet qetë apo më shumë akoma të tregohet nderim për ata qytetarë dhe qytetare, fshatarë\e, intelektualë\e që i bënë rezistencë komunizmit, falë edhe etikës profesionale apo asaj morale. Po pse e bëmë këtë hyrje të gjatë?! Kur publiku përballet me drejtues politikë, që e përcjellin vendin në rrugë pakrye ose figura autokratike, shembull shumë i lidhur me Ballkanin dhe me vendin tonë, atëherë vjen momenti që kërkohet rezistencë nga një lloj angazhimi profesional ose nga etika e punës. Ajo që t’i shikon në rastin e Ramës, Berishës dhe Metës, kur ishte jashtë arrestit, është se rrethohen me pasues të verbër, nëpunës civilë të bindur, që nuk e respektojnë etikën profesionale. Rasti i pasluftës së Shqipërisë dhe njerëzit që u bindën verbazi për t’i shërbyer regjimit të ri ishin shembull dhe parathënia e asaj që do të ndodhte. Ashtu, si një pjesë syresh nuk po kuptonin si duhet ose më mirë të frikësuar nga egërsia e regjimit po shërbenin dhe përtej angazhimit të tyre profesional dhe etikës. Është e vështirë dhe duket si “e largët” ajo që bënë shumë juristë pas Luftës së Dytë në Shqipëri, duke dënuar këdo që u vinte përballë dhe ashpër?! Në letra të ndryshme të militantëve të asaj kohe duket një ngazëllim për Luftën ndaj fesë dhe shumë herë më tepër sesa po impononte vetë regjimi. Si shumë të tjerë në garë të “jepnin ide” për mbarëvajtjen e kolektivizimit, që e çoi fshatin shqiptar në zgrip.
Me pak fjalë, atëherë kur u kërkua angazhimi dhe etika profesionale, individi shqiptar jo pak herë gaboi, duke i shërbyer regjimit. Mbeten të rralla arsyetime të personaliteteve të kohës si ish-ministri i dënuar i Kulturës dhe Arsimit Thoma Deliana apo Kahreman Ylli për të mos kaluar caqe dhe për të shërbyer si amortizatorë. Megjithatë, kokë-ulja e një pjese të madhe të intelektualëve bashkëkohës, gara për të shërbyer dhe për t’i rënë në sy Byrosë i shkaktuan vendit aq shumë probleme. Mbi të gjitha krijoi personalitetin e shqiptarit që lakohet dhe merr çdo formë. Për hir të së vërtetës nuk mund t’ia kërkosh vetëm shqiptarëve. Historiani Timothy Snyder, nga ku po marrim idenë e këtij shkrimi, e lidh fenomenin edhe me Gjermaninë, vendin e filozofëve më të njohur të kohëve moderne. Ai përmend rastin e avokatit të Hitlerit, Hans Frank, që “pretendonte se ligji kishte për synim t’i shërbente racës dhe kështu dukej gjë e mirë që raca të bëhej ligj!” Pak vite më vonë, mjekët gjermanë do të bëjnë eksperimente të frikshme në kampet e përqendrimit, kurse biznesmenë dhe kompani të njohura gjermane (syresh jetojnë edhe sot) shfrytëzuan pa mëshirë punën e të internuarve dhe të burgosurve. Në Shqipëri, ligji ishte i lidhur me doktrinën e Diktaturës së Proletariatit, që në mendimin socio-politik marksist, i referohej një shteti ku proletariati ose klasa punëtore ka kontrollin e plotë të pushtetit politik. Termi, u shpik nga Jozef Weydemeyer dhe u mor nga themeluesit e marksizmit, Karl Marksi dhe Frederik Engelsi në shekullin XIX për t’u transformuar frikshëm në BRSS nën drejtimin e Stalinit, kurse në Shqipëri u përçudnua, falë dhe mungesës së etikës profesionale të shumë njerëzve. Një eksperiment i tillë social pati pasoja të tmerrshme, por kohët post’90 po na tregojnë realisht se fenomeni është gjallë në një formë tjetër: nëpunësit dhe shumë individë nuk e kanë etikën profesionale, që t’i bëjnë ballë që në momentet e para të keqes, korrupsionit dhe sidomos drejtimit pa logjikë, ku po drejtohet jo pak vendi.
Sërish pas në histori: “Nëse juristët do të kishin ndjekur rregullin se nuk mund të ketë ekzekutim pa gjyq, nëse mjekët do të kishin ndjekur rregullin se nuk mund të ketë ndërhyrje kirurgjikale pa miratim, nëse biznesmenët do të kishin mbështetur ndalimin e skllavërisë, nëse burokratët do të kishin refuzuar të merreshin me punën dokumentare që përfshinte vrasje, atëherë regjimi nazist mund të kishte qenë shumë më tepër në vështirësi për të realizuar krimet, për të cilat mbahet mënd”,-shkruan Snyder. Dhe, sërish, profesionet do mund të krijojnë forma të bisedave etike, të cilat janë të pamundura për t’u kryer mes një individi të vetmuar dhe një qeverie të largët, vazhdojmë logjikën e historianit, që do të thotë se është barriera e parë e një drejtimi të gabuar. Etika profesionale është ajo që i duhet sot Shqipërisë, që p.sh. personazhet që kanë drejtuar hipotekën të mos ua bëjnë dhe më të keqe jetën njerëzve, pas dekadave kur u morën gjithçka dhe një pjesë tashmë bëjnë gjumin e përjetshëm pa marrë pronat, por të respektojnë ftohtë dhe pastër ligjin. Etika profesionale i duhet gjyqtarëve për të ndihmuar shqiptarët, që gjenden para tyre, për t’u dhënë drejtësinë e duhur dhe jo për t’i çuar në kalenda. Etika profesionale mund t’i bëjë mjekët që të mos e shikojnë pacientin si klient dhe të luajnë në formë cinike me shëndetin. Etika profesionale i duhet sot administratës Rama për t’i thënë jo disa prej urdhrave të tij, që janë të tepërt; respektit të meritokracisë; apo që nuk mund të përdoren për zgjedhje. Kur ngatërrojnë etikën profesionale me emocionet që vinë prej bindjes së verbër atëherë rrjedh momenti, kur një pjesë e tyre e gjejnë veten “duke thënë ose bërë gjëra që më herët i kanë menduar si të paimagjinueshme”, na vjen në ndihmë Snyder. Frika e SPAK-ut i ka trandur një pjesë jo të vogël, por sërish respekti për dinjitetin dhe etikën është ende larg. Ndaj, në Shqipëri pushteti i Ramës dhe Berishës është aq i pamatë, sepse njerëzit nuk e respektojnë si duhet dinjitetin e tyre përkundrejt pushtetit. Dinjiteti njerëzor përfshin nderimin, respektin dhe mbrojtjen ndaj çdo personi, si një qenie e lirë me një histori unike. Dinjiteti njerëzor nuk lidhet me statusin shoqëror, as me performancën fizike apo intelektuale, thuhet në literaturë. Kaq, mjafton të kuptosh se: etika profesionale mund të jetë barriera e parë e të keqes dhe e pushtetarëve, që nuk ngopen me pushtet. Rasti i Çabejt dikur e tregoi hapur, ashtu si Musine Kokalari, apo dhe Zef Mala, dy personalitete, mes shumë të tjerëve, që na ndriçojnë me fatin e trishtë por edhe me dinjitetin e madh.