Nga Kastriot Kotoni
Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu ishin së bashku në të gjithë arritjet dhe zhgënjimet që i sollën popullit shqiptar. Pyetja që të vjen natyrshëm që herë i tregon njërin më hakmarrës se tjetrin, njërin më të t’merrshëm se tjetrin, po ashtu njërin më me zemërgjerësi se tjetrin, njërin më të përmbajtur se tjetrin dhe natyrisht që të dy e kanë përdorur njëri tjetrin, kush e di sa herë në dyert e politikës botërore, here në lindje dhe here perëndim. Pse e përdorën pushtetin e tyre duke kryer ndëshkime ndaj luftëtarëve të lirisë, të cilët popullit i dhanë liri e nuk gjendet kund vend në botë që të dënojë me pushkatim e burgim të përjetshëm pjesën më të madhe e më kryesore të luftëtarëve të lirisë.
Vetëm fakti i qenies komunist, e sidomos partizan i Luftës Nacionalçlirimtare apo bir e pjesëtar i këtyre familjeve, do të ishte i mjaftueshëm që ata të amnistoheshin e t’u viheshin të drejtat në vend. Personalitetet politke me emër, figura të ndritura të rezistencës shqiptare, e të luftës për liri e përparim si Sejfulla Malëshova e Ymer Dishnica, Tuk Jakova e Bedri Spahiu, Nako Spiro e Koço Theollosi, Naxhie Dume e Vera Pojani, Koço Tashko e Kiço Ngjela, Liri Gega e Liri Belishova, Todi Lubonja e Abdyl Këllezi, etj.
Komandantë e komisarë legjendarë të brigadave si Dali Ndreu e Tahir Kadareja, Kadri Hoxha, Hulusi Spahiu, Nexhip Vinçani e Pëllumb Dishnica, Gjin Marku, Muhamet Prodani e Andon Sheti e Hito Çako, Vaskë Gjini e Rahman Perllaku, Abaz Fejzo etj, Petrit Dume e Beqir Balluku etj etj. Edhe kundërshtari i luftës Balli Kombëtar do t’i respektonte po të ish në pushtet, në mos do t’i trajtonte siç trajtoheshin në Itali dhe Gjermani, por do t’i trajtonin të paktën siç trajtuan grekët Glezosin dhe Bellojanin, Markosin, jo se do t’u vinte keq, por për oportunitet politik do t’i shfrytëzonin në interes të tyre për të justifikuar aleancën antifashiste.
Janë një mori faktesh që duheshin denoncuar dhe në librin e Perlat Çaushit “Kush e vrau Mehmet Shehun”, megjithëse ndihet një frymë realiste, nuk ka shumë dritë kjo pjesë e historisë, përveç disa detajeve të gjyqit të Kadri Hasbiut dhe Fiqeret Shehut dhe disa të arrestuarve që kishin dhënë dëshmi në kushtet e torturave të tmerrshme fizike dhe psikologjike. Por kjo është edhe një e drejtë e autorit se, ashtu e ka menduar dhe ideuar ai duhet respektuar. Perlat Çaushi në kapitullin me titull “VITI 1981.
Revoltat në Kosovë. E fillon me këtë paragraf:- Nuk ka ngjarje, para dhe pas Luftës Nacionalçlirimtare që Enver Hoxha dhe Nexhmije Hoxha të mos e përfshijnë dhe vendosin Mehmet Shehun, në rolet e tij agjenturore në shërbim të të huajve. Lidhja bëhet kaq dilentanteske e pabesueshme dhe shpesh qesharake, saqë askush nuk gjen qoftë edhe një argument, apo logjikë sado të varfër që ta besojë.
Por kjo atyre iu bë ves. Dhe në fushatën e madhe të fantazive, me luftë dhe me përmbysje, armikut Mehmet Shehu ata gjetën vend edhe kur kosovarët u ngritën masivisht në protesta për të kërkuar për vendin e tyre statusin e Republikës, në federatën e Jugosllave, fati e desh që të bashkëjetonin tok me republikat sllave që përbënin Jugosllavinë. Në sheshet kosovare protestuesit dolën me parullën “ Kosova Republikë”.
Enver Hoxha u ndodh i befasuar, jo sepse nuk ishte informuar nga Ministria e Brendshme, apo strukturat e saj, por për ca arsye të tjera që do të shtjellohen më poshtë. Të gjitha strukturat shtetërore dhe partiake në Shqipëri prisnin me ankth një qëndrim zyrtar mbi këto ngjarje. Aq më shumë në pritje të një qëndrimi ishin vëllezërit kosovarë. Të paktë, nuk iu dha një orientim as strukturave të tilla si Ministria e Jashtëme, asaj të Brendshme e tjerave. Mbase gaboj në saktësi, por pas rreth tetë ditësh, u botua një artikull në “Zërin e Popullit,” ku shprehej përkrahja ndaj këtyre revoltave dhe ndaj të drejtës sublime për “Kosovën Republikë”.
Drejtoria e Zbulimit disa herë i ka kërkuar Komitetit Qendror që të jepej një orientim se çfarë përgjigje u duhej dhënë shqiptarëve të Kosovës. Asnjëherë nuk u dha një përgjigje e saktë dhe e prerë. Me shkrim jo e jo, por as verbalisht. Tek tuk përgjigja u lihej në derë vetë kosovarëve, duke u thënë se ne donim të kishim marrëdhënie normale me Jugosllavinë dhe rezervoheshim të ndëhynim në punët e brendshme të saj.
“Veç kësaj, situatën brenda vendit e njihni më mirë ju sesa ne, prandaj vendimin më të drejtë e merrni ju,”-i mbyllnim shpjegimet ne. Përveç frikës që i pari i vendit kishte, se mos me Jugosllavinë krijoheshin komplikacione politike e aq më shumë ushtarake, kishte edhe një arsye tjetër.
Në pyetjet që i drejtoheshin Komitetit Qendror mbi qëndrimin që duhet mbajtur rreth parrullës “Kosovës Republikë”. Pas ngjarjeve në Kosovë udhëheqësi formuloi një platformë, e cila për shkak të karakterit sekret, iu bë e ditur, shumë pak kuadrove. Edhe atyre iu tha që ishte përgatitur vetëm për t’u lexuar. Nuk u lejua të mbaheshin shënime. 1 Shpallja e Kosovës Republikë më vete, nën suazën e federatës jugosllave. 2 Bashkimi me Kosovën i të gjitha viseve të tjera shqipfolëse në një republikë të vetme, gjithmonë brenda federatës Jugosllave. 3 Pasi të arrihet kjo, organizimi i një referendum për shkëputje nga federata.
4 Bashkimi me Shqipërinë. Perlat Çaushi thekson se kjo platëformë në dallim nga e kaluara, pranonte shpalljen e Kosovës republikë, dhe, si të thuash, llogariste hapat për një “Shqipëri të Madhe”. Sepse arritja vetëm e statusit Republikë për Kosovën, qoftë edhe bashkimi i saj me Shqipërinë, do të ishin zgjidhje gjysmake. Sigurisht ka dhe shumë faktorë, por kryesori, ai që i dha tatëpjetën federatës dhe i hapi rrugën shpërbërjes së saj, ishte shpërthimi i problemit Kosovar. Pas vetëvrasjes së Shehut, Enver Hoxha, në “Tablonë…” e tij, lidhur me këto demostrata e gjeti vendin që kishte dëshirë t’u jepte.
Më tej në faqen 198 gjejmë interpretimin e Perlat Çaushit, se Enveri dhe gruaja e tij pretendojnë se nuk ishin informuar nga Ministria e Brendshme. -Kjo nuk është aspak e vërtetë, shkruan Çaushi. Koha para se të shpërthenin revoltat, Drejtoria e Zbulimit, hartoi një relacion të hollësishëm mbi gjendjen në Kosovë në të gjitha fushat dhe në veçanti në atë politikë. Me fakte konkrete gjendja paraqitej shpërthyese.
Nuk evindentohej vetëm data ekzakte, se kur do të fillonin revoltat, por këtë ndoshta nuk e dinin as vetë organizatorët kosovarë. Materiali iu paraqit ish ministrit Feçor Shehu, për t’ia dërguar Enver Hoxhës. Meqë materiali disi i gjatë në mos gabojë arinte rreth 50 faqe, u shkurtua, u përmblodh dhe u dërgua në destinacion. Të dhëna për gjendjen shpërthyese në Kosovë dërgoheshin edhe nga Drejtoria e Parë e Kundërzbulimit, të mbledhura nga thyerësit e kufirit dhe burime të tjera të hapura dhe të mbyllura.
Po ashtu të dhëna dërgoheshin edhe nga Drejtoria e Zbulimit në Ministrinë e Mbrojtjes, ku nga më të rëndësishmet ishin ato që grumbulloheshin nga pikat e përgjimit rreth e rrotull kufirit që flisnin për lëvizje forcash në drejtim të Kosovës apo nëpërmjet zbërthimit të kodeve, me anën e të cilave repartet jugosllave komunikonin me njëri tjetrin. Kur shpërthyen kritikat ndaj Ministrisë së Brendshme, kryesisht ndaj Drejtorisë Zbulimit, e cila nuk paskësh ndjekur situatën në Kosovë dhe nuk kishte informuar udhëheqjen për çka po ndodhte, me një farë takti iu kërkua shpjegim ministrit Feçor Shehu, të na thoshte se ku përfundoi informacioni ynë mbi gjendjen në Kosovë.
Përgjigja e ministrit ishte: “Çfarë doni ju? Doni t’i them Enver Hoxhës se të kemi informuar?!”. Pra njerëzit bënin sikur i gëlltisnin çdo gjë që thoshte kreu i partisë, edhe atëherë kur akuza mbi shpatullat e tyre. Enver Hoxha nuk i jepte rrugë problemit që ngrinin kosovarët, nëse duhet të dilnin me parrulën “Kosova Republikë”, nuk mund të pranonte që ishte i mirë informuar për çka po ndodhte , dhe ia linte fajin në derë institucioneve rreth tij. Këtë “fajësim, “ Enveri e përforcon duke e pleksur çështjen me veprimtarinë agjenturore” të Mehmet dhe Fiqeret Shehut, në favor të UDB-as, CIA-s, dhe Inteligjens Servisit. Është e vështirë pa fund të analizosh dhe t’u përgjigjesh gënjeshtrave që parashtrohen nga Nexhmija.
Por ama, se cilët qenë ata shoqërues të Fiqeretit që raportuan për takimin që zhvilloi zonja e Kryemistrit Shehu me zbuluesin jugosllavnë Paris, as pyetje asaj nuk iu bë dhe as përgjigje prej saj nuk u dha. Askush s’ka folur për këtë. E përse do ta dërgonte Mehmeti gruan për t’u takuar me të dërguarin e UDB-së, kur Mehmeti, sipas Enverit, gjith ato kanale për t’u ndërlidhur me jugosllavët, amerikanët, Inteligjens Servisin dhe “zotërat” e tij. Të tillë kanale , po sipas tij, ishin Feçor Shehu, Kadri Hasbiu, berberi i “Dajtit”, radio transmetuesja, djali i tij Skënderi në Suedi dhe plot mundësi të tjera.
Kjo gënjeshtër është e një niveli të ulët edhe për faktin se gruaja e Kryeministrit të një vendi, që viziton një vend tjetër, gjithmonë është në vëzhgim dhe në mbrojtje, qoftë dhe parënë në sy, nga organet e specializuara mbrojtëse të vendit pritës. Pra Mehmeti nuk mund ta bënte këtë gabim sepse një takim i tillë, i fshehtë, do të merrej vesh edhe nga francezët. Fiqereti duke u ndodhur në kushte anormale, mbasi mësoi vdekjen e djalit të saj Vladimirit, trilloi gjithçka që iu kërkua nga hetuesia të depononte, që t’u sillte hetuesve të saj, lëndën që nevojitej të kopsitej”Tabloja” e të Madhit. Është e vështirë të gjykosh gjendjen psiqike të Fiqeretit.
Ndodh që i arrestuari, i lodhur nga hetimet, vjen një moment që pranon gjithçka gjatë që i sygjerohet. Të ketë ndodhur kjo me Fiqeretin? Apo i janë premtuar lehtësira për dy djemtë e tjerë? Apo, e ndodhur në rrethana çnjerëzore trajtimi, qoftë dhe vetëm presioni psiqik, ajo e kishte humbur gjykimin dhe përsëriste pa u ndalur, ato që i thonin. Shumë pak u tha se si dhe nga se vdiq në burg, ajo grua. Por, një gjë është e sigurtë: dëshira e udhëheqësit ishte që ajo të vdiste në burg, ndryshe ngrehina ”Tablo Sinoptike” do të shkërmoqej me daljen e saj në liri. E shkreta nënë!
Një temë tjetër të cilën e trajton me një metodë profesionale të saktë eksperti i spiunazhit … Perlat Çaushi është e përshkruar në kapitullin “DIÇKA RRETH BANDËS SË XHEVDET MUSTAFËS”. Dihet se kjo temë është tjerrur shumë në medie, por le të shohim si e trajton autori i librit “KUSH E VRAU MEHMET SHEHUN?”. -Rreth këtij grupi terrorist është folur shumë në shtypin tonë. Edhe këtë episodë Enver Hoxha e shfrytëzoi për të “pasuruar ”Tablonë e tij me rrezikun e jashtëm që i kanosej.
Të dhënat e para rreth kësaj bande dhe përgatitjeve që ajo po bënte për të hyrë në vendin tonë, u morën nga Drejtoria e Zbulimit. Ato na i serviri një shqiptar nga Maqedonia, i cili ishte në marrëdhënie konfidenciale me anëtarët të asaj bande. Ndër pjestarët e bandës ai implikoi edhe të quajturin Halit Bajrami, i cili rezultoi të ishte agjenti me pseudonim Baseni. Dy anëtarët e tjerë ishin Xhevdet Mustafa dhe Sabaudin Hasnedari. Ishte edhe një person i katërt, por në momentet e fundit u tërhoq. Të dhënat filluan të vinin edhe nga Baseni. Pra, si të thuash, fillimisht pati një vertetim paralel të të dhënave rreth bandës. Herë pas here, bëheshin analiza mbi informatat që vinin në qendër nga rezidenturat tona jashtë vendit.
Në analiza merrte pjesë Hekuran Isai, minininistër, Kadri Hasbiu, i cili ishte kreu i Ministrisë së Mbrojtjes, por i ngarkuar nga Enver Hoxha , të ndihmonte Hekuran Isain në problemet e Sigurimit të Shtetit. Në njërën nga analizat që bëheshin rreth bandës, Hekuran Isai informoi pjesëmarrësit se kishte marrë një urdhër.
Ai nuk e tha, por kuptohej se atë urdhër e kishte marrë nga Enver Hoxha. Ishte një urdhër që të bëhej e pamundura, që banda të mos vinte. Ose , alternative tjetër; banda të asgjesohej pa shkelur brigjet tona, që në det! Kadri Hasbiu ishte në mënyrë kategorike i mendimit që banda të mos asgjesohej. Nga ana jonë dihej me saktësi vendi ku do të strehohej banda.
Drejtoria jonë e zbulimit nuk ishte për asnjërin nga këta variante. Logjika që u parashtrohej shefave ishte se, ai shërbim sekret që po përgatiste këtë bandë, pas asgjesimit, apo paralizimit të saj, për t’ia arritur qëllimit, do të përgatiste një bandë tjetër, por në një rast të tillë ne nuk do të ishim në dijeni të saj sikurse ishim këtë herë. Rreth bandës ishin të paqarta disa momente të rëndësishme.
E para, në rrugë operative, nuk u saktësua se cili ishte shërbimi i fshehtë që po përgatiste këtë bandë. Një agjent me fuksion të rëndomtë si Petër Pavliçi u montua në akuzë si personi që instruktoi bandën për kontaktin që ajo do të merrte me Kadri Habiun, sapo banda të futej në Shqipëri.
Kush është ai , qoftë edhe injorant, që mund t’u besojë këtyre mballomave, me të cilën u ndërtua akt-akuza?! Kushdo që e dërgoi këtë bandë, ishte e pakuptueshme dhe me të drejtë shtrohet pyetja, si ka mundësi që shërbimi sekret, me të cilën ishte lidhur kjo bandë, të pajiste me pjesëtarët e saj me veshje të tilla , si këpucë “Adidas”, apo çanta shpine, të cilat në ambientin shqiptar të vitit 1982, do të binin menjëherë në sy.
A nuk posedonte ai zbulim kartmonedha shqiptare? E dyta paqartësi, rrjedh ngaqë në takimet që organizoheshin me agjentin Baseni, pra në rrugë operative, nuk u qartësua se cilat do të ishin bazat ku do të strehohej, kur ajo të mbërrinte në Shqipëri. Baseni e justifikonte : Mustafa ekzekutori i bandës dhe Hasnedari truri i bandës, nuk i jepnin atij asnjë të dhënë për sa më sipër. Gjatë analizave që i bëheshin pritës që po përgatisnim ne , por edhe në ditën e parë të zbarkimit, ishte përsëritur dhe rënë dakort , që të mos bëhej asnjë njoftim zyrtar, por sipas situatës do të gjehej mundësia e organizimit të një radio-loje me padronët dhe ideatorët e vërtetë të bandës.
Pa përfillur këtë fshehtësi, për çudi, në atë mbrëmje Radiotelevizioni ynë e përhapi njoftimin për ardhjen dhe asgjesimin e bandës. Ishte koha që Enver Hoxha kishte piketuar goditjen e Kadri Hazbiut. Edhe më të paditurit i vjen në mendje pyetja, se si ka mundësi që Hazbiu, i lidhur me zbulimet e huaja dhe ishte në dijeni të të gjitha veprimeve që kishin ndërmarë organet e zbulimit dhe të kundërzbulimit për kontrollin e bandës, nuk informoi, ato zbulime me të cilët ishte lidhur si agjent, mbi rreziqet që i prisnin bandën në Shqipëri?
Por ç’ndodhi? Baseni, i cili erdhi me udhëzimet tona , u dënua për kalim të paligjshëm të kufirit. Gjatë qëndrimit në hetuesi, ca me premtime dhe ca me presione , ai u manipulua dhe u deturua të depononte në hetuesi dhe para trupit gjykues, se ai si pjesëtar i bandës, erdhi të merte lidhje me Kadri Hazbiun! Mëkatari Basen, familjen e kishte lënë në Zelandën e Re. Në hetuesi i kërcënohej jeta me pushkatim.
U thye, sepse s’kishte rrugë tjetër. Ai deponoi ato që Hoxha , i sygjeronte në porositë e tij dhënë prokurorit dhe kryetarit të trupit gjykues. Së treti ngeli enigmë edhe fakti, se cilat ishin detyrat që do të kryente banda. Është supozuar dhe kështu është folur, se banda do të kryente atetntat kundër Enver Hoxhës.
Edhe mundet! Por po e përsërisim, për bandën ky do të ishte një veprim shumë i vështirë dhe s’kishte pse, kur të gjithë njëerëzit që rrethonin Enver Hoxhën, përfshi edhe ata që i përgatisnin ushqimin, bile shumë nga ata , ishin të afërm të pjesëtarëve të komplotit të Mehmet Shehut, ishin agjentë në shërbim të zbulimeve të huaja dhe këtë akt mund ta kryenin fare pa vështirësi.
Më tej shkruan Perlat Çaushi: Në kohën kur Kadri Hazbiu ishte shkarkuar si ministër dhe ishte përjashtuar nga partia, por akoma nuk ishte arrestuar, më thirri ministri i Brenshëm Hekuran Isai, i cili më pyeti nëse dija gjë rreth dy mbledhjeve të ministrave të Brendshëm të vendeve të Traktatit të Varshavës të zhvilluara në Pragë edhe në Moskë. I thashë se, ishte e pamundur që një anëtar i Byrosë Politike të dilte jashtë shtetit, pa dijeninë e Sekretari të Parë. Pastaj ai shtroi pyetjen nëse ai pati marrë autorizim me shkrim.
Megjithatë në gjyqin e Kadri Hazbiut një nga akuzat kundër tij ishte se duke qenë agjent i shërbimit të KGB-së, u kishte dorëzuar sovjetikëve agjenturën e zbulimit të vendit tonë. Kadri Hazbiu insistoi që të shikonte dokumentet, trupi gjykues, qoftë për këtë çështje qoftë edhe për të tjerat, nuk pranoj që t’u referohej materialeve.
Në gjyqin e tij zuri vend dhe aksioni i bandës terroriste të Xhevdet Mustafës e Kadri Hazbiu shpalosi më së mirë absurditetin e këtyre lloj skenareve. Trimëria, inteligjenca, mprehtësia dhe memorja e tij brilante, bën që të hidheshin poshtë të gjitha akuzat. Edhe sikur të lejohej mbrojtja , nuk do të kishte asnjë avokat që ta mbronte siç e mbrojti ai veten e tij në gjyq. Por urdhri për pushkatimin e Kadri Hazbiut ishte dhënë ende pa filluar gjyqi.