Lista Serbe akuzon KQZ se po i mohon të drejtën për vëzhgim në ditën e zgjedhjeve

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka shprehur pakënaqësi për përbërjen e komisioneve zgjedhore për numërimin e votave për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në vendvotime dhe në qendrat e numërimit të votave.

Ajo e ka akuzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) se e ka dëmtuar atë, pasi në shumë komuna, Lista Serbe nuk ka anëtarë të vet për të “kontrolluar ligjshmërinë, legjitimitetin dhe karakterin demokratik të zgjedhjeve”.

Zyrtari i kësaj partie, Igor Simiç, tha në një konferencë për media se partia e Nenad Rashiqit, Paria Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, është “favorizuar” dhe se, në disa raste, ka më shumë anëtarë në komisionet zgjedhore, edhe pse, sipas tij, në zgjedhjet e vitit 2021 kjo parti mori dukshëm më pak vota.

Si shembull për pretendimet e tij, Simiç e mori komunën e Istogut, ku në zgjedhjet e vitit 2021 Lista Serbe mori 259 vota, por nuk ka asnjë kryesues apo anëtar në komisionin zgjedhor, në qendrën komunale të numërimit të votave ose në vendet për votimin me kusht.

Simiç theksoi se Lista Serbe, edhe pse parlamentare, ka më pak anëtarë në komisionet zgjedhore, madje edhe në komunat me shumicë serbe.

“Në komunën e Mitrovicës së Veriut, Lista Serbe si parti parlamentare ka 18 përfaqësues në vendvotime, përfshirë vetëm tre kryesues nga gjithsej 24 vendvotime dhe 15 anëtarë. Si rrjedhojë, mund të llogaritni vetë – në gjashtë vende ne nuk kemi përfaqësuesit tanë, që do të thotë se në gjashtë klasa me potencialisht 6.000 votues, nuk kemi kontroll mbi procesin zgjedhor, pasi nuk kemi anëtarë të cilët mund ta mbikëqyrin procesin”, tha Simiç.

Ai gjithashtu theksoi përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet për të penguar Listën Serbe që të marrë pjesë në zgjedhje, duke deklaruar se kjo parti është “mburoja e mbrojtjes së interesave të serbëve dhe Serbisë në Kosovë”.

Lexo edhe :  Serbia “përgatitet” për zgjedhjet në Kosovë

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në lidhje me akuzat e Listës Serbe për “shkeljen e rregullave zgjedhore”, por deri në publikimin e lajmit nuk ka marrë përgjigje.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje bëri përpjekje ta ndalonte pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet e 9 shkurtit duke kërkuar moscertifikimin e saj, por Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në dy raste mori vendime në favor të Listës Serbe.
Përfaqësuesit e partisë në pushtet e kanë arsyetuar kundërshtimin e certifikimit të Listës Serbe duke thënë se kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe vazhdon ta quajë atë provincë autonome të Serbisë, “Kosova dhe Metohia”.

Ndër arsyet e kundërshtimit të pjesëmarrjes së Listës Serbe në zgjedhje nga Vetëvendosja është edhe fakti se partia serbe nuk është distancuar nga ish-nënkryetari i saj Millan Radoiçiç, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, ku u vra një polic kosovar.

Ndërkohë, kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, deklaroi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po përpiqet të pengojë pjesëmarrjen e kësaj partie në zgjedhje, pasi e konsideron atë “kundërshtarin më të madh”.

Lista Serbe u themelua në vitin 2013 me mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe që atëherë ka pasur mbështetje për të marrë pjesë në institucionet e Kosovës.

Deri më tani, në të gjitha proceset zgjedhore ku ka marrë pjesë, kjo parti ka fituar mbi 90 për qind të votave të komunitetit serb, por Misioni Vëzhgues i BE-së, në raportin e saj të vitit 2021, ka përfunduar se Lista Serbe ka “monopolizuar jetën politike ndërmjet serbëve të Kosovës” dhe janë shënuar raste të frikësimit dhe presionit ndaj votuesve nga kandidatët dhe aktivistët e kësaj partie./K.K

Të fundit

Hamasi liron 4 ushtare izraelite në këmbim të 200 të burgosurve palestinezë

Hamasi ia dorëzoi të shtunën Izraelit katër ushtaret izraelite të mbajtura rob në Gazë. Ndërkohë, Izraeli i liroi 200...

Zbulohen dhuratat që morën të ftuarit e Trump në inaugurimin e tij

Si një mikpritës i mirë, Donald Trump nuk i lejoi të ftuarit në inaugurimin e tij të dytë si president i Shteteve të Bashkuara të largoheshin...

Kosto e rritur e jetesës, shqetësimi kryesor i shqiptarëve!

Përmirësimi i financave personale dhe kujdesi për shëndetin ishin objektivat kryesorë për këtë vit në shumicën e 504 e pjesëmarrësve në një anketë që...

Vrasja e Kristian Markut, arrestohet 36-vjeçari, i siguroi autorit automjetin

Policia e Vlorës ka dhënë detaje lidhur me vrasjen e Kristian Marku alias Kristian Bardhi, në Vlorë. Pas hetimeve të thelluara, theksohet se është...

Qëlloi me armë mikun e tij të fëmijërisë, partneri i Rihannës rrezikon 24 vite burg

Një gjyq ka filluar këtë të premte kundër reperit të njohur amerikan, A$AP Rocky, i cili akuzohet se qëlloi me armë një ish-mikun e...

Lajme të tjera

Web TV