Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi bëri një “lumë” akuzash ndaj Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Shkak për akuzat e Bardhit ishte mbyllja e hetimeve për Olsi Ramën vëllanë e kryeministrit Edi Rama për çështjen e laboratorit të kokaỉnës në Xibrakë.
Megjithatë, Bardhi thotë se mendon ndryshe nga Sali Berisha që e quan SPAK-un, një institucion kriminal. Kreu i grupit parlamentar të PD-së u shpreh se nuk e cilëson SPAK si një institucion kriminal dhe se nuk ka komplekse për ta thënë këtë pavarësisht kostove që mund të marrë brenda partisë.
“E kam thënë në këtë studio që ka prokurorë, shumë pak, me integritet aty dhe nuk mund t’i baltos ata. Ka njerëz që u rrezikohet jeta dhe unë nuk u them dot kriminelë, ndërsa këtij zotërisë që e kam me letra i them kriminal sepse ka prishur prova dhe ka manipuluar dosje hetimore”, – tha Bardhi i ftuar në emisionin “Open” duke folur për prokurorin e SPAK, Alfred Shehu.
Këtë prokuror, Bardhi e akuzoi se gënjeu në rastin e vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan duke deklaruar se në makinën e viktimës nuk kishte materiale zgjedhore. Hetimet mbi çështjen u kryen po nga ky prokuror, i cili, sipas Bardhit, kishte ngarkesë politike.
“Ai ka fshehur identitetin e 4 personave të përfshirë në atë ngjarje, të cilët ishin të armatosur dhe qëlluan të parët” – tha Bardhi, duke e akuzuar atë se ka bërë manipulim të provave dhe ka mbrojtur kriminelë, duke u dhënë atyre “certifikatën e virgjërisë.”
Bardhi shtoi se në 10 maj 2024 ka kërkuar largimin e prokurorit të përfshirë në këtë rast, duke argumentuar se nuk kishte besim te ai. “Nuk kam të dhëna që ai është i korruptuar, por në çështjet me ngarkesë politike, ai është një ushtar i partisë në pushtet dhe manipulues i çështjeve që heton,” – deklaroi ai. Sipas Bardhit, kërkesa e tij për ndërhyrje nuk u mor parasysh nga autoritetet, me arsyetimin se ai nuk është një person i interesuar në këtë çështje./ S,M