Dr. Merita Toçila
Mund të themi se ka qenë e vështirë për ta sjellë Heroin ashtu siç mund të ketë qenë realisht në pamje e veshje, pasi të dhënat figurative për të, vijnë pas vdekjes së tij dhe portreti më i afërt me të tijin vlerësohet të jetë ai në galerinë Uffizi në Firence. Njohuritë për veshjen mund t’i plotësojmë vetëm duke studiuar veprat e artit të Mesjetës së vonë, Rilindjes së hershme dhe të vonë evropiane, si dhe historinë e kostumit në territorin arbëror dhe ato përqark tij në mungesë të artefakteve. At Giuseppe Valentini shkruante në një analizë rreth një dokumenti mbi shtatlartësinë e heroit botuar te “Shejzat” se “është për të ardhur keq që nga afërsisht dyzet kostume që duhej të kishte patur Skënderbeu për gati njëzet vite nga marrëdhëniet pak a shumë të mira me Venedikun, nuk na ka mbërritur të paktën një prej tyre dhe mbetet veçse t’i imagjinojmë”.
Po t’i referohemi shënimeve të Marin Barletit tek “Historia e Skënderbeut”, ai e përshkruan heroin trim, të fuqishëm, me trup të lidhur, madje “trupi më i bukur burrëror që mund të gjendej” dhe i veshur me petka të bukura luftëtari. Por askund te Barleti nuk përshkruhet me hollësi si vishej Skënderbeu në kohë lufte apo paqeje. Ndoshta ai e ka konsideruar një fakt të mirëqenë kostumin, duke i dhënë rëndësi më të madhe veprës dhe bëmave heroike. Merren në konsideratë petkat e tij, por ato vlerësohen vetëm si: të mira, shumë të mira, të çmuara, të shtrenjta, dhurata nga Venediku, Raguza, etj, por jo të përshkruara me detaje. Edhe historianët e huaj shënonin “me veshje sipas rangut”, që duhet të përkojë me tekstile të kadifenjta me një nga tre ngjyrat e lejuara hierarkike (sipas normave të kohës), dekoracione të arta dhe gëzof hermini të zgjedhur për mbretër. Në shënimet e tyre Skënderbeu edhe “në moshën 59-vjeçare ishte ende burri më i pashëm i Evropës: ndonëse ravijëzuar nga rrudha hallesh e dërrmimesh gjatë një jete të mundimshme, fytyra e tij kishte ruajtur një pjesë të bukurisë që kishte dhe mjekrra sapo kishte filluar t’i përhimej. Kur populli i Romës e pa të shfaqet para tij me pamjen mbretërore, me vështrim të ndritur nga gjenialiteti dhe guximi i tij i pamposhtur, veshur me kostumin e vet oriental të shkëlqyeshëm, armatosur me atë shpatë që kish dorezë floriri dhe qe bërë tmerri i armiqve, një duartrokitje e pafund shpërtheu për t’i uruar mirëseardhjen.” Shtojmë këtu edhe përshkrimin që i bën portretit të Gjergj Kastriotit një nga bashkëkohësit e tij i quajtur Petruzi në letrën dërguar senatit venecian ku midis të tjerash nënvizon: “Kastrioti është i madh më tepër se madhësia e zakonshme e njeriut, i fuqishëm, muskuloz…” Artistët tanë nuk i janë larguar përshkrimeve për fizikun që vijnë nga dokumentimet e kohës. Ata kanë shfrytëzuar gjithë materialet e mundshme për të qenë sa më pranë të vërtetës. Pothuajse nga të gjithë ai vizatohet me sy shqiponjë, hundëshkabë, mjekërr e gjatë me majë në stilin kalorsiak, trup i lidhur, mbi kalin e tij të bardhë, me armatimet e tij të personalizuara etj. Ajo që lë vend për diskutime është veshja e tij.
Përderisa Skënderbeut i vinin veshjet (dy herë në vit më së shumti) nga vendet përballë Adriatikut ose mund të kishte mjeshtra artizanë vendas që kujdeseshin për paraqitjen e tij, lind pyetja nëse kur shkonte për vizita kortezie në vendet fqinje ka veshur ato petka që merrte dhuratë nga mjeshtrit rrobaqepës evropianë apo kishte një kostum ceremonial të trashëguar nga tradita familjare?! Dhe më tej akoma: Cilat ishin veshjet që përdorte në territorin arbëror? Sipas rangut duhet të ketë patur kostumin e personalizuar të fisnikut (atë festiv, për ceremoni, për përditshmëri) dhe një uniformë të caktuar lufte. Si duhet të ketë qenë e para? A ka ngjashmëri ajo me mantelin e kuq të fisnikëve shqiptarë me mëngët konike të varura pas dhe kapelen tipike të njohur si model “albanian”. Po uniforma e luftës? Ka qenë uniforma kalorsiake e Mesjetës apo ka patur kombinim me elemente të veshjes tradicionale që njohim sot?!
I rikthehemi përsëri Barletit. Edhe pse ai nuk e përshkruan veshjen, në librin e tij ka disa ilustrime të realizuara nga Bernardinus Venetus de Vitalibus disa dekada më pas që paraqesin skena nga betejat mes turqve dhe shqiptarëve. Në asnjërën prej tyre nuk ka veshje luftëtarësh me tirq, por veshje militare të Mesjetës së vonë a Rilindjes së hershme evropiane dhe midis tyre spikat aty-këtu një kësulë konike me strehë dhe manteli me mëngët e varura. Libri është botuar në Venedik dhe përkthyer në disa gjuhë, por këto grafika ndoshta mund të mos kenë qenë thjesht ilustrative. Ato mund të jenë mbështetur mbi fakte historike dhe vizatime të mëparshme të kohës. A mund t’i marrim si dokumente të periudhës së Skënderbeut këto skica betejash?!
Veças tyre ekziston një portret i Skënderbeut realizuar më 1463, i cili përkon me kohën kur ai ka qëndruar në Romë. Si i tillë ai mund të konsiderohet autentik dhe shërben si pikë referimi rreth pamjes së heroit. Në grafikën te Barleti, ai paraqitet me petkun e një rangu të lartë, ashtu siç e përshkruan dhe historiani roman apo siç shihet në pikturën e Cristofano dell’Altissimo-s vite më vonë. Veshja e tij është ajo e një fisniku të kohës, me kësulë, mantel të rëndë prej pëlhure me dekoracione floreale dhe gëzof. Manteli në ngjyrë të kuqe i pasqyruar në pikturë, që aludohet të ishte veshja tipike e Gjergj Kastriotit, është tregues i përkatësisë së rangut më të lartë. Këtë kostum Skënderbeut ia dhuronte çdo vit Senati i Venedikut, sipas letërkëmbimeve me ambasadorin e tij në Venedik, Gjergj Pellinin. Ndër të tjera, ai e porosiste të merrte dhe dy veshjet me stofin ngjyrë skarlet, që i dërgonte Serenissima. Në portretin e Firences, Kastrioti mban një beretë prej tekstili të ngjeshur ngjyrë skarlet, stil italian i periudhës së Mesjetës që përfundon me një fortesë që mbështillet si kurorë përqark rrethit të kokës, nën të cilën duket pjesërisht dhe nënkresa e bardhë ose me ornamente. Ky model në formë cilindrike përdorej nga fisnikët e rangut të lartë ose gjeneralët ushtarakë dhe cilësohet sipas botimit të parë mbi veshjet dhe kostumet “la beretta ducale”. Nga vëzhgimet në disa skica, gravura e piktura që datojnë në shekullin XVI, rezulton se Skënderbeu, krahas beretës, paraqitet me një kësulë konike të thjeshtë me bordurë gëzofi ngjashëm me plisin, si dhe një lloj kapuçi të hershëm me majën lart të përthyer i quajtur kapuçi frigjian me të njëjtën fortesë gëzofi. Nuk mund të konfirmohet nëse kanë bërë pjesë në repertorin e veshjeve të zgjedhura për heroin, por ato janë modele, të cilat janë përdorur gjerësisht deri në fillim të shekullit XIX në popullsitë arbëreshe në Greqi dhe Italinë jugore, si dhe në territorin shqiptar.
Në një grafikë të Boissard më 1596, figura e heroit kompozohet para ushtrisë së tij me një kapele gjenerali të periudhës bizantine, një beretë mbi të cilën fiksohet vertikalisht një kreshtë e gjatë me pendë që varet pas si tregues hierarkie. Janë mëngët e varura në mbipetkun e Skënderbeut dhe luftëtarëve, mbërthimi i pjesëve të përparme të veshjes me sumbulla, jaka e madhe dhe mbështjellja në mes me brez pëlhure që të kujtojnë përshkrimet e kohës për veshjen arbërore.
Në disa tablo nuk duket aq qartë si përfundon manteli, por nëse shohim një tjetër vizatim të Gentille Bellinit i vitit 1479 me titull “Shqiptari” (i cili ripunohet dhe vendoset në një kompozim nga Pinturicchio) që hamendësohet të jetë Skënderbeu ose fisnik arbër i kohës, mund të ndërtojmë me përafërsi një kostum të plotë: Pjesa e sipërme është një mantel i kuq prej cohe të kushtueshme me dekoracione, punuar dyfish me astar me ngjyrë kontrastuese, gëzof në jakë dhe sumbulla përpara. Nën të duket një tunikë me sumbulla të njëpasnjëshme në pjesën ballore dhe me një kordon të lidhur në mes. Gjithashtu tre dekada mbas vdekjes së Skënderbeut piktori i shquar arbëresh Vittore Carpaccio ka dokumentuar këtë tip veshjeje të fisnikëve arbër, që do të thotë se në lëvizjen e ngadaltë të kostumit, me gjasë ajo duhej të ishte veshja e dinjitetit të paktën për dy shekuj në tokat arbërore dhe ndoshta ai është vetë Kastrioti. E kuqja e ndriçuar me ornamente të arta si himation i sipërm me mëngë të gjata të varura, mbërthyer në pjesën e përparme me sumbulla të mëdha argjendi, punuar me astar prej ku duket dhe një jakë me pëlhurën e brendshme, përshkruan qartazi veshjen e sërës më të lartë. Një kapele shajaku të ngjeshur në formë rrumbullake me strehë të gjerë dhe flokë të gjatë të mbledhur mbrapa përmbyll imazhin e një veshje dinjitari. Dhe kur flitet se prijësi kishte ankesa për metrat e pakët që i dërgonin, ishte pikërisht mungesa e llogaritjes së mëngëve të varura në gjatësinë e tekstilit, për të cilën bën fjalë At Valentini në dokumentin e zbuluar prej tij dhe jo gjatësia e shtatit, e cila ishte e ditur për ta.
Një shënim plotësues nga studiuesi Gjon Keka veçon përshkrimin që i bën Petruzzi Skënderbeut nga letra dërguar senatit venecian kur e paraqet “veshur me të gjelbër, me brez në mes, brakesha të gjera me shtesë te këmbët; çorapet në të kuqe dhe çizmet e verdha janë stolia e tij e zakonshme…Në kohë paqeje ai shkon i veshur në bazë të veshjes kombëtare (arti i veshjes së vendit).” Sipas këtij informacioni kostumi duket pak a shumë i ngjashëm me tablonë e artistit Joanot Martorell në vitin 1670 dhe ngjyrat variojnë midis të kuqes, të artës dhe të gjelbrës (sipas veprimtarive). Konkluzioni tjetër është se Skënderbeu i ka përdorur veshjet tradicionale apo veshjet e vendit. Pra lind pyetja: Cila konsiderohej veshje tradicionale në Arbëri në kohën e Skënderbeut? Ai geg i veriut apo ai tosk i jugut (nëse kishin dallime midis tyre)? Apo asnjë prej tyre dhe i vetmi kostum që i referohen historianët ishte ai me gunën me mëngë të varura dhe kapelet me majë që përmendëm më sipër, të cilat perëndimi i quante “d’albanese”?! Nëse bëhet fjalë për këtë të fundit, mund të jemi shumë larg paraqitjeve të përftuara në tablo nga artistët tanë dhe po aq larg paraqitjes së ushtrisë së tij.
Në vështrim të parë duket sikur portretet me kostumet e fisnikërisë evropiane apo ai arbëror i shek. XV-XVI nuk janë marrë fort në konsideratë nga artistët shqiptarë të periudhës së realizmit socialist që kanë trajtuar figurën e Skënderbeut. Ata e sollën në art heroin ashtu siç e kërkonte koha, brenda rregullave të vendosura nga sistemi me ndryshime të vogla, por thuajse te të gjithë mbizotëron kostumi tradicional shqiptar i dokumentuar si i dy shekujve të vonë XVIII-XIX. Artistët tanë u përqëndruan te veshja e vonë tradicionale, me siguri për të dhënë imazhin e Skënderbeut si një identitet i fortë shqiptar (atë që ka mbetur në memorjen e afërt), kryesisht në kostumin me tirq e xhamadan dhe atë me fustanellë. Për të gjithë shqiptarët ai ishte heroi që u rikthye në Arbëri dhe rimori titujt dhe privilegjet e trashëguara të paraardhësve të tij. Zhveshi uniformën osmane dhe riveshi kostumin e arbërit. Luftoi për liri e pavarësi dhe përmes veprimeve luftarake u bë muri mbrojtës për Evropën në ndalje të invazionit otoman. Për të fituar luftën u mbështet te masat e popullit dhe kjo përkonte me mesazhin që duhej të përcillte arti socialist. Meqënëse kostumografia socialiste e kishte fshirë studimin e veshjeve sipas shtresave shoqërore edhe arti lipsej të reflektonte këtë barazi të imponuar. Sipas kësaj ideologjie, Skënderbeu ishte prijës i dalë nga gjiri i popullit dhe veshja e tij nuk duhej të paraqiste diferencime të dukshme. Por, a është uniforma e një gjenerali lufte të asaj kohe veshja që propozonte arti?
Edhe për këtë duhet t’i rikthehemi katalogut të kostumit të mesjetës nga Vecellio ku shkruhet “për një farë kalorësi me emrin Georgei pikturuar nga natyra nga piktori venedikas Luigi Vivarini”, bashkëkohës i Skënderbeut. Duhet theksuar se Gjergj Kastrioti ishte rritur, edukuar dhe kishte përvetësuar artet e luftimit dhe ishte mësuar të përdorte uniformën e rëndë kalorsiake të kohës. Zgjidhja stilistike e artistëve tanë me një siluetë që është më pranë shekullit XIX-XX sesa shekullit XV, e tirqeve malësore ndoshta është gjetje e zgjuar artistike dhe, për nga komoditeti, e pakrahasuar me asnjë model tjetër të kohës. Imazhi që përcjellin tirqet, strukturuar pas trupit, të lehta dhe që mundësojnë lëvizje të zhdërvjellëta të një trupi të gatshëm për veprim, krahasuar me veshjet e rënda kadifeje apo metali, perëndimore a lindore të kohës, është ai i një atleti ose perëndie pagane të paraqitur në vizatimet e periudhës homerike. Kjo i shkonte për shtat edhe emërtimit “Athleta (Christi)” në kuptimin jofetar e jo të drejtpërdrejtë të fjalës i një titulli akorduar Skënderbeut nga Papa.