Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, shprehet se shpopullimi dhe rënien e lindshmërisë janë kërcënime serioze për të ardhmen e vendit. Ai thekson nevojën për politika konkrete që mbështesin rininë dhe familjet, duke promovuar një ekonomi që garanton dinjitet dhe zhvillim.
Sipas tij, në programin e Demokratëve Euroatlantikë, familja zë një vend qendror. Përmes Fondit për Mirëqenien e Familjes, Basha premton masa si:
2,000 euro për çdo bebe të lindur;
20 mijë euro për fëmijën e tretë;
Mbulim të plotë të interesit të kredisë së banesës për 30 mijë çifte të reja.
“Familja shqiptare është e para për ne, sepse Shqipëria meriton më shumë,” deklaron Basha, duke bërë thirrje për një qeverisje të re që lufton korrupsionin dhe administron me përgjegjësi.
Postimi i plotë i Lulzim Bashës
Shpopullimi dhe rënia e lindshmërisë po kërcënojnë të ardhmen e vendit tonë. Në një realitet ku kostoja e lartë e jetesës, pagat e ulëta dhe pamundësia për të siguruar një banesë të parë po i detyron të rinjtë të shtyjnë planet familjare, është koha për politika konkrete që mbështesin rininë dhe familjet. Vetëm me një ekonomi që krijon kushte për të jetuar e punuar me dinjitet, produkt i një qeverie të re që lufton frontalisht korrupsionin dhe administron me përgjegjshmëri dhe transparencë taksat e qytetarëve, do të mund të frenohet ky trend i rrezikshëm dhe të sigurojmë një Shqipëri më të fortë e më të begatë.
Familja është në qendër të programit të Demokratëve Euroatlantikë për zgjedhjet e 11 majit.
Përmes Fondit për Mirëqenien e Familjes –i japim fund harxhimeve të kota në koncesione e PPP korruptive, duke i vendosur paratë e taksave në shërbim të familjeve shqiptare. Ne propozojmë subvencione konkrete dhe të drejtpërdrejta:
2,000 euro për çdo bebe;
20 mijë euro për fëmijën e tretë;
Mbulim i plotë i interesit të kredisë së banesës për 30 mijë çifte të reja.
Familja shqiptare është e para për ne, sepse Shqipëria meriton më shumë/ S,M