Nga Spartak Ngjela
Po ne shqiptarët sot, me dy shtete shqiptare që kanë ardhur në histori pas një lufte të gjatë për mbijetesë – në çfarë gjendje shoqërore ndodhemi?
Kosova me ardhjen e re të Albin Kurtit si kryeministër, sipas fjalimit të tij të parë, kuptohet që luftën kundër korrupsionit e ka përparësi.
Kjo sigurisht që do të sjellë risi në shtetin demokratik të Kosovës, dhe, nëse do të bëhet e saktë dhe krijuese në funksion të drejtësisë, do të ketë influencën e vet pozitive edhe në Shqipëri.
I.
Ashtu siç duket nga një fjalim i parë, Kurti foli me një ton autoritar dhe me përbuzje kundrejt ish individëve të korruptuar në pushtet.
Nëse Kurti ka ardhur me një doktrinë të vërtetë kombëtare dhe antikorrupsion, kjo do të krijojë një vlerë të re për shqiptarinë.
A e dini se si dhe ku ka degraduar ngaherë patriotizmi dhe kombtarizmi në Shqipëri?
Ka degraduar gjithmonë te korrupsioni dhe dëshira për pushtet absolut e liderëve që, pasi kanë marrë pushtetin në Tiranë ata kanë krijuar absolutizmin e tyre shtetëror si kult të individit.
Ja shiheni historinë e Shqipërisë: një kryeministër është shpallur mbret në vitin 1928, dhe një tjetër po kryeministër në Tiranë, u shpall sekretar absolut i pushtetit komunist në vitin 1945 e derisa vdiq.
E përse t’i dojë historia këta?
II.
Duhet të theksojmë se, të dy shtetet shqiptare edhe Shqipëria, edhe Kosova po kuptohet se, në funksion të drejtësisë, ligjit dhe moralitetit të një qeverie, kanë të njëjtën sëmundje – korrupsionin.
Duhet ta theksojmë gjithashtu se korrupsioni dhe vjedhja e pushtetarëve të lartë, në thelbin e vet, është një urrejtje ndaj popullit tënd.
Kapitali privat mund të pasurohet brenda respektimit të ligjit, sepse është loja e tregut që e pasuron drejt krijimit të milionerëve, dhe, këta individë, në esencën e vet, duhet të jenë brenda moralitetit shoqëror dhe respektimit të ligjit.
Kurse korrupsioni banal me dëmtimin e shoqërisë tënde, jo vetëm që është krim, por ky fenomen, kur kthehet dhe bëhet masiv, është antikombtarizëm që, në një vlerësim moral, është i barabartë me tradhtinë kombëtare.
Individi në pushtetet që korruptohet duke u paguar nga kapitali vendas, është i prirur gjithashtu që, për para, të shesë atdheun e vet kundrejt të huajve.
Dhe ky është një krim i njohur në të tre qytetërimet radhazi që kanë kaluar në shoqërinë njerëzore.
Duhet të kujtohemi se në funksion të shfrytëzimit të njeriut nga njeriu, ishin skllevërit të parët që krijuan pasurinë dhe pushtetin e skllavopronarëve në sistemin e skllavërisë;
Ishin feudalët që shfrytëzonin barbarisht fshatarësinë në kohën e feudalizmit; dhe ishte borgjezia e parë që doli me spekulime financiare në treg bashkë me zhvillimin industrial mbas revolucioneve të tregut; por ama, ishte frika e ligjit dhe e gjykatës që barazoi brenda të drejtave të njeriut edhe raportin midis punës dhe kapitalit.
III.
E pra, ne shqiptarët sot jemi në Perëndim; por duhet të kujtohemi gjithmonë se në Perëndim jemi në kohën kur puna nuk shfrytëzohet, dhe kapitali privat zhvillohet drejt progresit dhe pasurimit, i kontrolluar me ligj perfekt, me moralitet në tregun e mallrave, dhe sidomos në raportin e drejtë në funksion të pagave.
Por kjo arritje e kohës sonë duhet të kujtohemi se ka ardhur me revolucione, përplasje dhe gjithashtu edhe mes dy luftrave të përgjakshme botërore.
Dhe gjithkush duhet ta ketë të qartë që, të gjitha krimet shoqërore që janë bërë në historinë e qytetërimit për të ardhur te qytetërimi aktual perëndimor, janë kryer për pushtetin e individit.
Gjithçka për pushtet politik të një individi apo të një klase, por gjithmonë për pushtet dhe për para.
Prandaj, pavarësisht nga doktrinat që janë shpallur në këtë ecuri – nga skllavëria deri në kohën e sotme të triumfit të të drejtave të njeriut në Perëndim, lufta për pushtet ka sjellë aksese të mëdha antinjerëzore.
IV.
Po ata që jetojnë jashtë qytetërimit të sotëm perëndimor; Evropë – Amerikë: në çfarë gjendje shoqërore ndodhen?
Ata ende janë në konceptet dhe praktikat feudale të zhvillimit shoqëror, dhe prandaj vijojnë, sipas rastit, të ecin nga diktatura ushtarake, në oligarkinë e pushteteve që, në thelb, nuk sjellin asgjë të re në zhvillimin kombëtar apo shoqëror.
Po ne shqiptarët sot, me dy shtete shqiptare që kanë ardhur në histori pas një lufte të gjatë për mbijetesë – në çfarë gjendje shoqërore ndodhemi?
Ne shqiptarët, në të dy shtetet tanë, Shqipëria dhe Kosova, ende nuk po dimë të kuptojmë për ta ndarë zhvillimin shoqëror të shoqërisë shqiptare nga antikombtarizmi që vjen po njëlloj në funksion të korrupsionit.
Por, tani do shohim se çfarë do të sjellë kjo kohë e sotme që po vjen në të dy shtetet shqiptare, dhe gjithmonë në funksion të moralitetit, drejtësisë dhe zhvillimit ekonomik e interesit kombëtar.
Por deri tani, ne mund të themi se, me përjashtim të luftës historike që bëri UÇK për çlirimin e Kosovës dhe pavarsinë e saj nga pushtimi i gjatë i Serbisë, të katër këta ingredientë thelbësorë të zhvillimit kombëtar, ende nuk janë në lartësinë e duhur.
Në Shqipëri dihet se pengesa ka ardhur nga korrupsioni galopant që ka ekzistuar në mbi 25 vite rresht. Kurse në Kosovë, kuptohet se ka arsye të tjera që lidhen me ndërhyrjet agjenturore që zhvillon në Prishtinë Serbia, ish pushtuesi shekullor i Kosovës.
Por tani një gje kuptohet qartë si histori aktuale: zhvillimin në ecjen përpara të shqiptarisë në Gadishullin Ilirik nuk mund ta pengojë dot më asnjë lloj force.
Po bashkimi kombëtar i të gjithë shqiptarisë që është etnia e parë në Gadishullin Ilirik, a do të kryhet tani shpejt?
Ai Bashkim e ka nisur ecurinë e vet si histori e vërtetë.
Prandaj…
Prisni me optimizëm dhe shikoni me vëmendje historinë shqiptare që po vjen!/ S,M