Gjasat janë që kryeministri i Kosovës mbrëmë, nuk ka folur për opozitarët, por për ndërkombëtarët, të cilët duken se po përpiqen të mund të ndërtojnë një qeveri të opozitës…
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në dy dalje të mbrëmshme para selisë së Vetëvendosjes dhe në sheshin kryesor të Prishtinës, ka shfaqur perfornancë nervoze përmes një gjuhe mjaft të ashpër.
Në një logjikë normale, siç e kemi parë edhe në rastet e zgjedhjeve nëpër botë, fituesi është gjithmone i qeshur, i qetë, por edhe bashkëpunues ndaj atyre që kanë marrë më pak vota. Dhe zakonisht ndodh telefonata e rivalit që t’a urojë për fitoren.
Tashmë siç shihet qartë, Vetëvendosja është bindshëm fituesja e zgjedhjeve me mbi 40%, por asnjëri prej liderëve të tjerë rivalë, përkatësisht kandidatët për kryeministra apo krerëve të partive opozitare, nuk ja kanë uruar fitoren Vetëvendosjes.
Akti i parë, që njeh realitetin elektoral dhe fut në shina procesin politik për nga vullneti i sovranit.
Opozita e Kosovës, përkatësisht PDK, LDK e AAK-Nisma, ka bërë të ditur se e ndjen veten fituese dhe e ka çuar Albin Kurtin në shtëpi. Mbështetësit mediatikë të opozitës, thanë mbrëmë se ka më shumë shqiptarë në opozitë sesa me qeverinë.
Natyrisht ky është fakt, Albin Kurti nuk e ka mazhorancën absolute, ka marrë rreth 41% e mund të shkojë maksimumi deri në 47 vende në Kuvend, kur shumica që kërkohet është 61.
Opozita, së bashku mund të shkojë në maksimumi 65. Megjithatë, ata, pra opozita nuk u paraqitën në zgjedhjet si një koalicion i përbashkët me një listë unike që të ju paraqitej qytetarëve të Kosovës si “partia anti-albin” që nëse fiton shumicën merr qeverinë, përndryshe është në opozitë.
Ata ju nënshtruan modelit politik elektoral të Kosovës, ku partitë garojnë proporcionalisht dhe në qeveri shkon ajo parti që ka më shumë vota, e cila nis bisedimet me të tjerët. Nëse nuk e realizon, fillon partia e dytë e kështu me radhë, deri sa të konsumohen të gjitha propabilitetet e mundshme për të përfunduar në shpërndarjen e Kuvendit.
Vetëvendosja është fituesja e zgjedhjeve dhe i takon të formojë e para qeverinë e re. Albin Kurti e tha qartë këtë, madje me siguri të plotë, në dy daljet e tij. Që do të thotë se nuk do ta lërë aq kollaj të drejtën e tij për të qenë sërish kryeministër.
Po përse bërtiti mbrëmë Kurti, kur mund të kishte dërguar një mesazh më të butë te opozitarët?
Sepse gjasat janë që kryeministri i Kosovës nuk ka folur për opozitarët, por për ndërkombëtarët, të cilët duken se po përpiqen të mund të ndërtojnë një qeveri të opozitës.
Kurti me nervat e tij u ka bërë të ditur se nuk do ta lejojë, e këtë e bëri në radhë të parë për t’i çuar një mesazh Emanuel Macronit që sot ka thirrur Vjosa Osmanin në Elysee.
Për t’i thënë që mos e merr guximin që të bëjë plane për një qeveri të re pa Vetëvendosjen, se nuk do ta lejojë. E për këtë është gati të marrë të gjitha kostot, deri në zgjedhje të reja. Ku Vetëvendosja mund të dalë parti e parë sërish dhe i njëjti skenar do të vijojë pambarim.
Kurti, do të ndryshojë gjuhë, kur të thirret në Berlin, tek aleatët e tij që e sollën në qeveri, por që shpesh i ka pasur kritikë, pra te socialdemokratët gjermanë. Të cilët janë të angazhuar me zgjedhjet parlamentare, dhe ku e kanë shumë të vështirë. Ndaj Albini, po u thotë, që ta thërrasin atë përpara se të lënë qeverinë. Atëherë ka gjasa të ndryshojnë gjuha dhe lojrat në terren./ S,M