Zgjedhjet në Kosovë dhe distanca me Shqipërinë dhe Perëndimin

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Mero Baze

Shqipëria qëndroi indiferente dhe u përmbajt nga shprehja e simpative politike për partitë politike që garuan sot në Kosovë në zgjedhjet parlamentare, për shkak të klimës së komplikuar gjeopolitike krijuar pas ndryshimeve politike në Uashington.

Ndryshe nga Albin Kurti, që marshoi mbi Tiranë katër vjet më parë për të votuar kundër qeverisë së Edi Ramës, edhe fizikisht, qeveria shqiptare i ka injoruar tërësisht zgjedhjet në Kosovë, në çdo detaj.

Edi Rama, një aleat tradicional i Partisë Demokratike të Kosovës së drejtuar nga Hashim Thaçi, ka shmangur si zakonisht shprehjen e simpative publike për shkak të postit të tij si kryeministër i vendit, por edhe partia e tij nuk është përfshirë në fushatë.

Shpresat se ndryshimet në Shtëpinë e Bardhë mund të prodhojnë një klimë më favorizuese për katër udhëheqësit politikë të Kosovës që po gjykohen në Hagë, ka bërë që ai të tregohet më i kujdesshëm se më parë, kur e kërkonte këtë gjë publikisht.

Fakti që prokurori special Jack Smith, për të cilin katër udhëheqësit e Kosovës ankohen se është i motivuar kundër tyre, ka rastisur të jetë edhe një armik personal i Presidentit të SHBA Donald Trump, shikohet si një arsye për të shpresuar në një ndryshim qëndrimi.

Në një siklet më të madh është Partia Demokratike e Sali Berishës. Historikisht Partia Demokratike e Shqipërisë ka qenë mbështetëse e LDK-së së Ibrahim Rugovës, edhe pse raportet e Berishës me të kanë qenë të këqija.

Por në këto zgjedhje, PD ka heshtur. Aleati i saj real është Albin Kurti, dhe shumë njerëz afër Berishës kanë shprehur publikisht mbështetjen për fitoren e tij, përfshirë edhe avokatin e Berishës.

Por edhe këtu raportet janë çrregulluar nga fitorja e Donald Trumpit.

Ndërsa Sali Berisha shpreson se Donald Trump do t’i heqë sanksionet si “non grata” atij dhe gjithë familjes së tij, të akuzuar për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë, Albin Kurti nga ana tjetër është në telashe me administratën e re të Presidentit Trump dhe të dërguarin e tij special Richard Grenell, i cili vetëm javën e fundit e sulmoi dy herë publikisht, duke e konsideruar shkatërrues të raporteve të Kosovës me SHBA.

Lexo edhe :  Gjunjëzimi i PD para “Kandidatit për Kryeministër”

Dhe kjo e ka komplikuar edhe simpatinë publike të Berishës për Kurtin. Edhe pse realisht janë aleatë, Berisha e ka të vështirë ta mbështesë atë publikisht, pasi shpreson që e njëjta administratë që mund të ndëshkojë Kurtin ta çlirojë atë nga sanksionet.

Partitë e reja të vogla, të paprovuara në zgjedhje, janë dukshëm të gjitha me Albin Kurtin, jo aq nga identiteti politik, por nga ideja që ai është më i ri se politikanët e tjerë, e vetmja arsye përse ata janë në garë.

Përveç Arlind Qorrit, që në fakt është një klon i Albin Kurtit, edhe Endri Shabani apo Lapaj, që vijnë nga e djathta, kanë shprehur simpatinë e tyre për Kurtin.

Ashtu si politika, edhe media qëndroi neutrale. Përgjatë fushatës, ato kanë mbuluar vetëm lajmet më të rëndësishme nga beteja elektorale, ndërsa të shtunën në mbrëmje, Top Channel i hapi hapësirë Grida Dumës të intervistonte udhëheqësit kryesorë të Kosovës, në disa biseda sipërfaqësore, ku dukshëm Grida mësoi shumë gjëra të reja për Kosovën, por publiku asgjë të re.

Tani që zgjedhjet mbaruan dhe Albin Kurti udhëheq, por duke mos qenë fitues absolut i zgjedhjeve, do të fillojë një proces i ri negociatash, ku ndoshta ndikimi i Shqipërisë do të jetë vendimtar për qeverinë e re, jo aq si kërkesë nga Kosova, por si kërkesë e Perëndimit për një qeveri më të qëndrueshme dhe më bashkëpunuese me ta.

Ajo që është e sigurt pas zgjedhjeve në Kosovë, është se Kosova humbi aureolën e vendit më pro-amerikan në botë, për shkak të kontributit që SHBA ka në lirinë e Kosovës, pasi të paktën 40 për qind e elektoratit shqiptar, përfaqësuar nga Albin Kurti, mendohet se kur ka votuar, ka pasur parasysh që po voton edhe kundër SHBA dhe BE.

Mjerisht, Kosova tani do të ketë një qeveri që ose do ta bëjnë fituesit e vendit të parë dhe t’i japin pushtetin një partie anti-perëndimore, ose do të jetë një vend properëndimor dhe t’ia japë pushtetin një shumice partish që nuk janë në vendet e para fituese.

Është rasti paradoksal kur vendi humbet nga fituesi dhe fiton nga humbësit./   S,M

Të fundit

‘Palestinezët nuk do të kenë të drejtë të kthehen’/ Trump zbulon planin e tij për Gazën

Presidenti Donald Trump deklaroi se palestinezët në Gazë nuk do të kenë të drejtën e kthimit sipas planit të...

Një milion dollarë për të deshifruar shkrimin enigmatik të Luginës së Indus

Një milion dollarë do të shpërblehen për këdo që mund të zgjidhë enigmën e shkrimit të Luginës së Indus, një nga misteret më të mëdha...

Richard Gere e quan Trump një njeri bullizues: Jemi në një vend shumë të errët në Amerikë

Ndërsa pranoi një çmim për arritje të jetës në Çmimet Goya në Spanjë, Richard Gere shfrytëzoi rastin për të shprehur shqetësimet e tij për...

‘Një martesë, një divorc, një funeral’/Komedia satirike premiere në Korçë

‘Një martesë, një divorc, një funeral’ është komedia satirike që u shfaq për 5 netë radhazi në sallën e tejmbushur të Teatrit të Korçës. Me...

Përparësitë e kopshteve vertikale nuk janë vetëm estetike, ato ulin temperaturën në qytet

Kopshtet vertikale janë një risi (relative) vitet e fundit, ato po shfaqen gjithnjë e më shpesh në lagjet e qytetit tonë dhe ata që...

Lajme të tjera

Web TV