“Serbia ka ndërhyrë në procesin zgjedhor të Kosovës”, deklaron shefja e Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë, Nathalie Loiseau. Ajo thotë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, dhe zyrtarë të tjerë nga Beogradi, kanë bërë presion që të votohet një listë e caktuar.
“Kemi dëgjuar zyrtarë të Serbisë që mbështesin një listë të caktuar, e cila është ndërhyrje në procesin zgjedhor. Kemi dëgjuar rregullisht presidentin serb Vuçiç, por edhe anëtarë të tjerë nga qeveria ose parlamenti i Serbisë, duke u thënë votuesve se duhet të votojnë për një listë të caktuar, dhe kjo nuk duhej të kishte ndodhur”, ka thënë shefja e Misioni vëzhgues të BE për zgjedhjet, Loiseau Nathalie.
Ajo kritikon partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, dhe gjuhën e përdorur gjatë fushatës zgjedhore.
“Tonaliteti i fushatës ndonjëherë ishte mjaft i ashpër. Kishte më shumë kritikë të kundërshtarit sesa promovim të programit. Ishte veçanërisht e ashpër për kandidatet gra, në takime, tubime dhe online. Për këtë më vjen shumë keq, sepse është një pengesë për gratë që të hyjnë në politikë, dhe nuk duhet të jetë kështu. Media bënë më të mirën për të intervistuar kandidatët nga parti të ndryshme politike, por siç e dimë të gjithë, partia në pushtet vendosi të mos marrë pjesë në disa debate ose të shkojë në disa intervista në disa media, dhe është një turp, sepse duhet të sigurojmë që votuesit të kenë një mundësi të informohen dhe të dëgjojnë gjithçka, dhe për partitë e vogla mbulimi mediatik nuk ishte i barabartë”, tha ajo.
Shefja e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë, ndër të tjera, thotë se personat me aftësi të kufizuara kanë pasur problem qasjen në disa qendra votimi.
Mbi 100 vëzhgues nga Bashkimi Evropian janë angazhuar ditën e zgjedhjeve më 9 shkurt. Kosova mbajti të dielën zgjedhjet e para të rregullta që prej shpalljes së pavarësisë më 2008./k.k