Nga Fatos Çoçoli
Është e para herë në 34 vite tranzicion, që bujqësia sheh përpara vetes fonde potenciale deri në 350 milionë euro, të vëna në dispozicion nga struktura shtetërore, si dhe një vëmendje maksimale nga po shteti.
Huatë e buta të Bankës së Shqipërisë
Për këtë vit, Banka e Shqipërisë ka shpallur një program kredish të buta prej 250 milionë euro, për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, me qasje të kufizuar në sistemin bankar, me hua deri në 250 mijë euro, për investime në rritjen e kapacitetit prodhues dhe të shërbimeve që këto ndërmarrje japin. Një pjesë e mirë e programit do t’i kushtohet bujqësisë dhe fermerëve shqiptarë.
Ky program i BSH-së do të realizohet në formë projektesh nga bankat tregtare në Shqipëri. Qeveria këto ditë deklaroi se programi i BSH-së do të mbështetet nga Buxheti i Shtetit me një garanci sovrane, garancia më e lartë e dhënë ndonjëherë për programe kreditimi.
Në programin e miratuar nga Banka e Shqipërisë, bizneset e vogla dhe të mesme do të marrin kredi të buta deri në 250 mijë euro për investime, me normë interesi deri në 3.5 përqind. Me caktimin e garancisë sovrane nga qeveria, norma e interesit mund të ulet deri në 2 përqind, nëse garancia mbulon 55-75 përqind të vlerës së kredisë. Kjo skemë me kredi të buta synon që të rrisë futjen masive të bizneseve të vogla dhe të mesme në sistemin e huave bankare, sidomos sipërmarjeve të tilla në bujqësi.
Banka e Zhvillimit sheh nga bujqësia
Edhe projekti i Bankës së Zhvillimit të Shqipërisë, projekt i shpallur nga kryeministri Rama në fund të janarit 2025, parashikon themelimin një bankë, fillimisht me kapital shtetëror 100 milionë euro, e cila do ketë në vëmendje kryesore programet e mbështetjes për bujqësinë shqiptare dhe inovacionet në aktivitetin rural.
Banka Shqiptare e Zhvillimit do të bashkëpunojë ngushtë me programin e Bankës së Shqipërisë. Ajo do të japë kredi, ofrojë garanci dhe do të investojë në letra me vlerë të borxhit tonë publik.
Përmes skemave financiare, Banka Shqiptare e Zhvillimit do të nxisë dhe mbështesë projekte në nivel qendror dhe vendor, duke u fokusuar në sektorët strategjikë të vendit, si në energji dhe bujqësi. Po ashtu, kjo Bankë do të ofrojë financim për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, mikrondërmarrjet, si dhe start up-et, me qëllim që ato të rrisin produktivitetin, konkurrueshmërinë dhe të jenë më të pranishme në tregjet ndërkombëtare.
Pse u rritëm me 21 përqind eksportet bujqësore 2024?
Sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, eksportet bujqësore shënuan rritje gjatë vitit të kaluar. Fermerët tanë ia dolën të përmirësojnë në mënyrë cilësore produktet me të cilat konkurrojnë në tregjet ndërkombëtare, përmes arritjes së standarteve më të larta. Krahasuar me vitin 2023, eksportet bujqësore u shtuan në sasi me 21 përqind.
Shtimi në sasi i produkteve bujqësore tregon realisht rritjen, pasi vlera mund të të gënjejë, për shkak të rritjes së çmimeve të këtyre produkteve. Gjatë vitit 2024, Shqipëria eksportoi mbi 471 mijë tonë produkte bujqësore, kundrejt 390 mijë tonëve produkteve që u eksportuan në vitin 2023.
Rritja e eksporteve të produkteve bujqësore “Made in Albania” jep një pasqyrë të qartë të shtimit të cilësisë dhe fuqizimit të fermerëve në vend. Politikat mbështetëse të qeverisë dhe Skema Kombëtare 2024 bënë që fermerët të shtojnë investimet në përmirësimin e cilësisë dhe të standardeve të produkteve shqiptare. Ata po e rrisin praninë e tyre në mënyrë të qëndrueshme në tregjet ndërkombëtare.
Produktet kryesore bujqësore që eksporton sot Shqipëria janë bimë mjekësore, perime të freskëta dhe të përpunuara, vaji i ullirit, vajrat esenciale, shalqinj, fruta, peshk i konservuar etj.
Skema Kombëtare për vitin 2024 mbështeti me dhjetëra mijëra fermerë, përmes masave të saj, ku mbi 52 mijë fermerë përfituan mbështetje për naftë. Ndërkohë, mbi 14 mijë fermerë të tjerë përfituan nga 7 masat e tjera mbështetëse. Në Skemën Kombëtare të Zhvillimit të Bujqësisë 2024 aplikuan shumica e fermerëve, të cilët kanë një NIPT, shoqëritë tregtare të angazhuara në sektor dhe shoqëritë e bashkimit bujqësor. Dhënia e mbështetjes direkte përfundoi brenda muajit dhjetor 2024, duke u siguruar që 100 përqind e fondit të mbetur të transferohej në llogaritë e çdo fermeri.
Për të tretin vit rradhazi, Shqipëria plotësoi me 100 përqind pagesat për fermerët e kualifikuar të Skemës Kombëtare direkte në Bujqësi 2024. Pra, i gjithë fondi prej 52 milionë eurosh, iu shpërnda fermerëve.
Më 4 shkurt 2025, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural bëri me dije se ka financuar 67,133 fermerë në shkallë vendi, përmes Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2024. Skema Kombëtare 2024 ofroi mbështetje për 8 masa: tufën bazë të matrikulluar (gjedhë dhe të imta), bletarinë, fermat organike, çertifikimi Global Gap, fara, fidanë dhe inpute të tjera, bimët mjekësore-aromatike, si edhe mbështetje me naftë për punimet e mekanizuara në bujqësi.
E gjithë kjo mbështetje u reflektua tek eksportet bujqësore për vitin 2024. Shtimi i ndjeshëm i eksporteve bujqësore e afron Shqipërinë drejt realizimit të objektivit qeveritar, për 1 miliardë euro eksporte bujqësore deri në vitin 2030./ S,M