Tensione tepër të larta në sallën e Gjykatës Speciale. Ish-komandanti i UÇK-së në Rahovec, Ismet Tara, u përplas ashpër me prokurorët gjatë dëshmisë së tij. Ai pretendon se deklaratat janë manipuluar nga hetuesit duke e nxjerrë atë si tradhtar. Tara sqaroi se kjo gjë i ka rrezikuar familjen dhe ka njollosur edhe luftën e UÇK-së. Debatet e forta dhe përplasje vazhduan për disa minuta derisa dëshmitari tha se nuk do të flasë më pasi nuk i beson Gjykatës Speciale.
“Prej këtu nuk i besoj asgjë kësaj gjykate, nuk është dokument që unë e kërkoj, ma keni ndërruar dokumentin, dokumenti është i nënshkruar prej intervistuesve të mijë, më 2019, pa dijeninë time, pa nënshkrimin tim, këtë dokument keni provuar ju ta ndryshoni. Nuk i besoj më asgjë kësaj gjykate, nuk flas asgjë. Dokumentin investigues timin të vitit 2019, të nënshkruar nga ish hetuesit e prokurorët e mijë. Përshkrimin se çka i kam thënë unë, por ma dijeninë time dhe pa ma dhënë ta lexoj. Që më kanë paraqitur mua si tradhtar të kombit tim, tradhtar të UÇK-së. Ky është dokument që kurrë nuk ma keni paraqitur. Kam kërkuar edhe prej juve të ma jepni një kopje, nuk ma keni dhënë zonja prokurore. Nuk jam unë këtu lojë, unë kam bërë luftë çlirimtare për popullin tim, nuk jam unë këtu lojë dhe nuk i frikësohem as juve as askujt. Unë kam dëshmuar 32 orë dhe jam në gjendje të dëshmoj prapë 32 orë…Dokumenti më duket se ka avulluar brenda gjykatës, dokument që është shumë i rëndësishëm, të tregohet se çfarë po bënë gjykata me UÇK-në, me njollosjen e luftës së UÇK-së, pastaj mund të diskutojmë”, tha Ismet Tara, dëshmitar, ish-komandant i UÇK-së./e.t