Derbi i ndezur i Stambollit mes Galatasaray dhe Fenerbahces është mbyllur në “paqe”, në një barazim pa gola dhe pa shumë momente spektakolare, pasi dominoi frika për të mos humbur ndeshjen. Por si zakonisht polemikat nuk kanë munguar pas sfidës.
Nëse nga një anë trajneri i Fenerbahçes, Jose Mourinho u shpreh i lumtur me paraqitjen e gjyqtarit slloven Slavko Vincic, nga ana tjetër trajneri i Galatasarayt, Okan Buruk, ka qenë jo edhe aq i lumtur edhe pse diferenca e skuadrës së tij me ndjekësen ka mbetur në 6 pikë.
“Nuk më kujtohet një gjyqtar që të ketë vepruar kaq keq në një derbi, ne ankohemi gjithmonë se gjyqtarët turq vërshëllejnë shumë, sot kishim dyfishin e ndërprerjeve. Po shkelim të drejtat e gjyqtarëve turq, ka edhe më keq se ata. Gjyqtari që drejtoi finalen e Ligës së Kampioneve kishte duart që i dridheshin. Muldur thuajse luajti volejboll dhe ai nuk e dëgjoi gjyqtarin e katërt vetëm se është turk. Kjo është mungesë respekti. Pas ndeshjes i thashë që ishte më keq se gjyqtarët turq. Jam i pakënaqur, ishte sikur kishte ardhur vetëm për të mbyllur ndeshjen 0-0.
Mourinho? Ka kaluar shumë kohë duke qarë, tani është i famshëm për të qarat. Ka qarë brenda në fushë, ka qarë jashtë dhe sikur të mos mjaftonte, shkoi te dhoma e gjyqtarit dhe qau edhe atje. Lëreni të vazhdojë”, tha Buruk pas ndeshjes./ D.C