Në takimin e zhvilluar me ish-të përndjekur politikë dhe familjarë të tyre, kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh se Shqipëria është vendi i parë që përjeton një diktaturë të dytë.
Sipas tij, kjo diktaturë e dytë nuk ishte vetëm një zgjim i krimit, ekstremit të majtë në Shqipëri, por ajo erdhi, u fuqizua, u mbështet nga vendi që ne kurrë nuk e prisnim.
“Kjo diktaturë e dytë, u mbështet fuqishëm nga ekstremi i majtë në SHBA-të”, tha Berisha teksa kujtoi zhvillimet në SHBA, disa vite më parë.
“Pak vite më parë, qytetarët e vendit më të madh të lirisë e panë me sy se si përmbyseshin statujat, muzetë, simbolet, të cilat çfarë tregonin?
Tregonin Amerikën e lirë, tregonin Amerikën, rrugën e lirisë. Rrugën në të cilë kishte kaluar liria në këtë vend të bekuar. Dhe ato, një dallgë e madhe në të katërta anët për t’i shemb, për t’i rrënuar.
Një ngjashmëri e madhe me ekstremin e majtë në pikëpamje. Një botë pa kufij, pa shtete, pa të tjera, por edhe më të egër.
Një botë pa gjini, apo pa gjinitë që i ka dhënë Zoti shoqërisë njerëzore. Fatmirësisht, për fatin më të madh të kombit amerikan, por edhe njerëzimit, e them me bindjen më të thellë, kjo dallgë, kjo stuhi e tmerrshme që po sillte në piedestal eksremin e majtë, platformë marksiste dhe post marksiste, kjo u ndëshkua në mënyrën më shebullore nga kombi i madh amerikan.
Duke shpëtuar kështu, jo vetëm lirinë e atij kombi, por edhe lirinë e kombeve tjera, ndër të cilat duhet ta pranojmë, Shqipëria qe i vetmi kopështi i lulëzuar i socializmit. Shqipëria u bë kopështi i lulëzuar i sorosizmit”, tha lideri i opozitës, gjatë diskutimit për programin e PD mbi trajtimin e ish-të përndjekurve politikë.
“Midis gjykatës që i thoshte prokurores, që u thoshte më jepni vota, se do ta fus në hell kundërshtarin tonë, Donald Trump. Dhe, prokurores këtu, që bënte gjahun e opozitës, apo prokurori, nuk kishte asnjë dallim. E vetmja gjë që, ajo ishte e sinqertë, e hapur. Ajo nuk bënte hipokrizi. Unë do ta fus në hell këtë kandidatin e partisë tjetër, thoshte.
Por, fatmirësisht miq, këto morën një goditje për interesin më të madh, për shpëtimin e SHBA-ve. Dhe e vërteta është, shpëtimin në gjitha vendet e tjera të lira. Se ajo valë përbente ndofta një nga rreziqet më të mëdha të kohërave për lirinë.
Filloi censura. Sa e sa shqiptarë guximtarë, me dinjitet flijuan veten apo rininë e tyre vetëm për fjalën e lirë. Atje u krijuan komisionet e censurës.
Na erdhi këtu Sekretari i Shtetit, firmosi një procesverbal, një marrëveshje. Çfarë ishte marrëveshja në Ministri të Jashtme? Komision censure. Fatmirësisht që, ai mori vendin që meritonte”, tha ndër të tjera, kreu i PD, Sali Berisha.
Duke përfunduar, kryetari i PD, i quajti këto zhvillime pozitive për çdo qytetarë, por dy herë pozitive për ish-të përndjekurit që kanë ndjeshmërinë më të lartë ndaj këtyre zhvillimeve represive./e.t