Sipas deklaratës së Drejtorisë së Komunikimeve të Turqisë në X, në bisedë është nënvizuar fakti që miqësia dhe solidariteti midis dy vendeve janë forcuar, dhe se Erdogan ka shprehur shpresën e Turqisë për “një qeveri të re që do të krijohet në Serbi sa më shpejt që të jetë e mundur, për të ruajtur paqen dhe stabilitetin” dhe se Ankaraja do të vazhdojë të zhvillojë marrëdhëniet dypalëshe me qeverinë e re.

“Presidenti Erdogan deklaroi se përpjekjet e përbashkëta të bëra për rritjen e fushave të bashkëpunimit mes dy vendeve, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes, pritet të japin fryte në të ardhmen e afërt”, thuhet më tej.

Erdogan gjithashtu i shprehu homologut serb urimet, pas aksidentit automobilistik më 8 shkurt dhe i uroi atij shërim të shpejtë.

Nga ana e tij, Vuçiç i ka shprehur presidentit turk urimet e tij me rastin e 71 vjetorit të ditëlindjes.