Presidenti Volodymyr Zelensky tha se Ukraina është e gatshme të ulet në tryezën e negociatave sa më shpejt të jetë e mundur për të arritur një paqe të qëndrueshme dhe se është i hapur për të punuar nën lidershipin e Trump për ta bërë këtë realitet.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka pranuar se takimi i tij me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë nuk u zhvillua siç ishte parashikuar.
Në një postim në platformën “X”, ai e cilësoi këtë situatë si të pakëndshme dhe theksoi nevojën për ta përmirësuar marrëdhënien mes palëve. Pavarësisht tensioneve të momentit, ai shprehu mirënjohje për ndihmën amerikane në ruajtjen e sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës, duke kujtuar mbështetjen e mëparshme të Trump, përfshirë furnizimin me raketat Javelin.
Në lidhje me luftën me Rusinë, Zelensky bëri të ditur se një nga hapat e parë për t’i dhënë fund konfliktit mund të përfshijë një shkëmbim të burgosurish dhe një armëpushim në hapësirën ajrore dhe detare, nëse Moska pranon të bëjë të njëjtën gjë.
Ai shtoi se Ukraina është e gatshme të ulet në tryezën e negociatave sa më shpejt të jetë e mundur për të arritur një paqe të qëndrueshme dhe se është i hapur për të punuar nën lidershipin e Trump për ta bërë këtë realitet.
Ndërkohë, presidenti ukrainas konfirmoi edhe gatishmërinë e tij për të firmosur marrëveshjen për mineralet e rralla me SHBA-në në çdo moment dhe në çdo format të përshtatshëm.
Sipas tij, kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm drejt sigurimit të garancive të forta për sigurinë e Ukrainës./K.K