Nga Ilir Yzeiri
Faktet e rënda që po publikohen përditë në lidhje me mënyrën se si është rekrutuar prokurori Olsi Dado që, për mendimin tim, ka kryer një atentat ndaj demokracisë shqiptare, më bëjnë të besoj se ky vend po ndërton një klimë terrori që mbahet gjallë nga kamikazët e Berishës të cilët ia dolën që të kapin strukturat e SPAK-ut dhe BKH-së dhe me arrestimin pa asnjë fakt të numrit 2 të Partisë Socialiste, të atij që mund dhe duhet të jetë kandidati për kryeministër i ardhshëm i këtij vendi, ata vranë edhe ëndrrat dhe dëshirën e atyre të rinjve që duan të kthehen në Shqipëri apo që duan të investohen në politikë. Rasti i Erion Veliajt është emblematik për shumë arsye.
E para, ai është modeli i të riut shqiptar që u angazhau fort në shoqërinë civile dhe me karizmën dhe integritetin e lartë organizoi një nga lëvizjet më të mëdha e më të fuqishme shqiptare, « MJAFT »-in e famshëm që u bë një lloj vetëdijeje e re për hapësirën tonë. Që këtej, me meritë ai u tërhoq nga Edi Rama dhe bashkë me të rinjtë e tjerë që kishte me vete, i dha Partisë Socialiste freski, energji dhe shumë punë.
Ai shkëlqeu në të gjitha angazhimet që mori përsipër, por puna e tij e palodhshme në krye të Bashkisë së Tiranës e bëri atë kampion të politikanit të ri me ëndrra e shpresa. Pikërisht këtu nisi edhe lufta ndaj tij.
Atë që më parë e kishte pësuar në kurriz Edi Rama, tani makina e ndyrë e shpifjeve sulmeve dhe të gjitha ndyrësive të këtij rruzulli që drejtohet nga Sali Berisha u hodh në aksion për të goditur simbolin e shpresës së këtij vendi, modelin që mund të frymëzonte edhe të tjerë të rinj të talentuar që të ktheheshin në këtë vend e të merrnin pjesë në ndërtimin e mbrothësimin e tij. Këtu u zbulua edhe një tragjedi tjetër.
Rasti Veliaj tregoi se Reforma e thellë e Drejtësisë paska qenë një mashtrim spektakolar dhe se qeveria socialiste jo vetëm që ka dështuar në ndërtimin e kësaj ngrehine, por, me naivitetin dhe me mendjelehtësinë më të madhe, ka ndërtuar një pallat luksoz për të strehuar aty Gjin Gjonat e rinj, por këtë radhë me emër tjetër : Duman, Dado dhe Samet.
Pas pesë vjetësh ne sot po shohim se kjo strukturë e posaçme jo vetëm që nuk kishte ndërmend të hetonte kënetën e gjakut të 21 janarit apo Gërdecit apo krime të tjera, por qëllimi i saj paska qenë dhe është të godasë PS-në dhe të vrasë shpresën.
Sot marrim vesh se ekspertët që paskërkan punuar për ndërtimin e strukturës ligjore dhe penale kryesisht për të vënë në funksionim SPAK-un dhe BKH-në qenkan të tilla që u japin të drejtë këtyre personave pra « gjingjonarve » të rinj që kanë uzurpuar këto struktura që të vrasin demokracinë shqiptare dhe ta kthejnë këtë vend në një shtet ku askush nuk e ka veten të sigurtë, sidomos nëse je i suksesshmëm dhe nëse ke ëndrra.
Reforma në drejtësi që entuziazmoi të madh e të vogël, që i çoi disa delirantë të shkruanin natë e ditë se tani FBI-ja amerikane dhe CIA do të hetonin krimet e mëdha, na doli se paska qenë një parajsë për të katapultuar aty njerëz pa asnjë meritë dhe në shkelje flagrante të ligjit.
Deri tani media ka zbuluar dy skandale në rekrutimin në SPAK e BKH, Olsi Dadon dhe Samet Gurgurin, por një investigim më i thelluar mund të nxjerrë skandale të tjera. Këto ditë, duke biseduar me një nga personalitetet më të formuar në fushën e sigurisë kombëtare dhe me një kulturë të thellë, me zotin Sandër Lleshaj, ramë në një mendje se Shqipëria nuk trashëgoi në asnjë rast traditën e juristëve të formuar.
Nëse gjatë komunizmit ne patëm inxhinierë të zotë, kimistë, ushtarakë apo ndërtues hidrocentralesh të kalibrit botëror, kjo ndodhi, veç të tjerash, se performanca e tyre matej me kokën e gjithësecilit, ndërsa juristët tanë u formuan në një shkollë të varfër sepse ligjin e bënte autoriteti i diktaturës. Një shkollë që nuk mësonte avokatinë apo shkallët e gjykimit e plot mangësi të tjera.
Pas viteve ’90, ndodhi skandali i plepave dhe pas plepave skandali tjetër me juristët që u formuan në fakultetin e Argita Malltezit. Kësaj trupe iu la në dorë ndërtimi i sistemit të ri të drejtësisë pa bërë as përpjekjen më të vogël për të thirrur nga jashtë juristë shqiptarë që janë në universitetet më të mëdha të botës.
Rezultati : një mishmash juridik, një autoritet i fryrë dhe bosh dhe gjueti shtrigash ndaj të zgjedhurve socialistë e çështje banale që fillojnë me arkat me peshk e mbarojnë te ndalimi i një kryetari bashkie pse ka ndërtuar një rrugë. Ligësia, urrejtja, hakmarrja, klientelizmi dhe mungesa e thellë profesionale dhe integriteti i juristit ka pjellë Olsi Dadon dhe Sametin e të dy këta kanë bekimin e Dumanit.
Ndërkaq Shqipëria ngjan me një kënetë ku ata që bëjnë karrierë dhe pasuri janë gjykatësit e prokurorët që dolën nga sistemi me pasuri të frikshme dhe me lidhje monstruoze me krimin e nuk i prek askush.
Përkundrazi tani ata do t’i kemi edhe deputetë siç është rasti emblematik i Gjin Gjonit apo i atij prokurorit që ishte në makine më Rumin e Shijakut kur iu bë atentat. Si mund të kthehet një profesionist i mirë nga jashtë kur vendi është i pushtuar nga Dumanët, Gjin Gjonët, Dadot e Sametët të cilët nga urrejtja nuk kanë asnjë frikë.
Ata ditën për diell marrin nga zyra modelin dhe shpresën e të rinjve shqiptarë, Erion Veliajn dhe e plasin brenda dhe një hetues me emrin Samet i terrorizon edhe gruan me mesazhe natën dhe shteti shqiptar nuk ka asnjë mekanizëm parlamentar ta shmangë këtë katastrofë. E bëjnë këtë pa asnjë provë.
E bëjnë këtë pas një denoncimi anonim të një personi që nuk ekziston. Si mund të kthehen të rinjtë në këtë vend ? Ky vend nuk qeveriset nga Edi Rama dhe socialistët. Ky vend është në dorën e kamikazëve të Sali Berishës dhe krimit politik. Përsa kohë që do jetë kështu, shpresa është e vrarë./ S,M